Zëvendëspresidentja e Partisë së Lirisë, deputetja Erisa Xhixho, ka reaguar pas publikimit të vendimit për alokimin e 4.2 milionë eurove nga fondi rezervë i shtetit, duke akuzuar qeverinë se ka mashtruar publikun lidhur me financimin e koncertit të Kanye West.
Në një postim në Facebook, Xhixho kujton deklaratat e mëparshme të ministrit të Financave se koncerti nuk do t'i kushtonte buxhetit të shtetit, ndërsa thekson se këto fonde duhej të ishin përdorur për nevoja prioritare të qytetarëve, si shëndetësia dhe mbështetja sociale.
Postimi i plotë:
Pasi i gënjyen publikisht shqiptarët duke deklaruar se koncerti i Kanye West nuk do t’i kushtonte asnjë qindarkë buxhetit të shtetit, sot e vërteta doli në shesh: qeveria ka alokuar 4.2 milionë euro nga fondi rezervë.
“0 lekë” deklaroi ministri i Financave , kur e pyeta drejtpërdrejt se sa para do të përdoreshin nga buxheti i shtetit për koncertin e Kanye West.
Mashtrim dhe vetëm mashtrim.
4.2 milionë euro nga fondi rezervë mund të ishin përdorur për të siguruar ilaçe për pacientët me kancer, për të rikthyer në funksion pajisjet mjekësore që mungojnë në spitale, apo për të mbështetur pensionistët, të cilët kjo qeveri i poshtëroi me një “bonus” qesharak prej vetëm 5 mijë lekësh.
Prioritetet janë të qarta. Paratë e shqiptarëve nuk shkojnë aty ku ka nevojë qytetari, por në spektakle propagandistike dhe fasada, me të cilat kryeministri përpiqet të fshehë realitetin e varfërisë, kolapsit të shëndetësisë dhe braktisjes së qytetarëve.
© SYRI.net