Në SPAK u zhvillua sot seanca e radhës për dosjen “Partizani”, ku dëshmoi ish-zëvendëskryeministri dhe ish-ministri i Mbrojtjes Gazmend Oketa lidhur me mënyrën e trajtimit të klubit sportiv dhe pronës së tij gjatë periudhës së detyrës së tij në vitet 2009–2012.
Gjatë dëshmisë së tij, Oketa deklaroi se çështja e “Klubit Partizani” nuk ka pasur ndonjë rëndësi apo trajtim të veçantë në Ministrinë e Mbrojtjes gjatë kohës që ai e drejtonte. Sipas tij, klubi është trajtuar si subjekt privat dhe nuk ka qenë pjesë e diskutimeve institucionale.
Në seancë u përmendën edhe çështje procedurale lidhur me kalimin e pronës dhe zbatimin e vendimeve të Këshillit të Ministrave, ndërsa Oketa deklaroi se nuk ka pasur interes të veçantë institucional për këtë pronë dhe se çdo veprim është ndjekur sipas praktikave të kohës.
Pas përfundimit të seancës, Jamarbër Malltezi reagoi ashpër ndaj procesit, duke u shprehur se dëshmitë e dhëna sot rrëzojnë disa nga argumentet e prokurorisë. Sipas tij, gjatë seancës nuk u identifikua asnjë rast tjetër privatizimi që të ketë zgjatur mbi katër vjet apo të ketë pasur kosto më të lartë se rasti në fjalë.
Malltezi deklaroi gjithashtu se procesi hetimor ka përfshirë, sipas tij, “falsitete të prokurorisë” dhe shtoi se disa nga dëshmitë e ekspertëve dhe ish-zyrtarëve mbështesin qëndrimin e mbrojtjes. Ai përmendi se në seancat e ardhshme priten dëshmi nga figura të tjera publike dhe ish-zyrtarë të lartë.
Malltezi:
I biri refuzon ta sjellë. Tjetri është nga çunat e Dubait dhe prokuroria me sa duket do të bëjë aleancë me çunat e Dubait, mirëpo dhe ai e refuzon. Parullaçi është në Dubai dhe refuzon të vijë. Gjithashtu, Isa Tarja thotë i biri që e ka zënë demenca por edhe refuzon ta sjellë. Dy dëshmitarë sot, korrekt të dy, ish-ministri Oketa dhe vlerësuesja Elvira Lame. Dy elementë dolën aty. E para dhe kryesorja në rast se ju e keni parë, nuk dinte asnjëri të thotë një proces tjetër privatizimi që të ketë zgjatur katër vjet apo më shumë. Ky që ne flasim është, nga momenti që ka miratuar Mediu e deri në momentin që ka mbaruar privatizimi ka zgjatur katër vite. E pyeta dhe ministrin Oketa dhe specialistin, a dini ndonjë proces privatizimi që ka zgjatur mbi katër vjet? Asnjë.
Pra ky është ndër proceset që ka zgjatur më tepër dhe kjo rrëzon një nga falsitetet e tjera, një nga falsifikimet e tjera që kishte bërë prokuroria, në krye të herës kur thoshte që institucionet kanë vepruar me shpejtësi. Kaq shpejtësi kanë vepruar saqë nuk dinë njeri të thotë që të ketë ndonjë privatizim që të ketë zgjatur më tepër se katër vite. Ky ka zgjatur katër vite. Këtë e keni. Së dyti, doli sipas ekspertes, nuk arrin dot të thonë një privatizim tjetër, një proces tjetër privatizimi që të ketë kushtuar më shumë sesa ka kushtuar ky. Nuk arrinin dot. Thanë që ka shumë që janë më pak, më tepër nuk dinin. Dy elementë, dy falsitete të prokurorisë që u rrëzuan sot. Kjo ishte më kryesorja. Besojmë pas dy javësh do vijnë ish-presidenti Bamir Topi, ish-ministri Fatmir Mediu dhe ish-drejtori Uri Muja.
Zoti Rama është dëshmitari që e kemi thirrur neve, jo prokuroria për fat të keq. Prokuroria ka aty ndërrim destinacioni nga Edi Rama, ka leje ndërtimi nga Edi Rama, ka autorizime për vlerësimin e sipërfaqeve nga Edi Rama, ka gjyqe ku ka qenë palë Edi Rama i cili i ka shkaktuar bashkisë dëm financiar sepse ka refuzuar të zbatojë ligjin, por prokuroria nuk ka guxuar as ta thërrasë për të pyetur Edi Ramën. Pyeteni Edi Ramën kush ishte ai i gjati që caktoi arkitekt Libeskindin aty te klubi i Partizanit? Prokuroria nuk guxon. Por ai do jetë dëshmitari jonë, nuk do jetë dëshmitari i prokurorisë, kështu që kur t'i vijë radha do e pyesim neve. Ju faleminderit.
© SYRI.net