I ftuar në emisionin “Task Force”, gazetari Elkier Bushkolaj u shpreh se protestat e fundit qytetare kanë nxjerrë në pah një realitet të fortë të kapjes së institucioneve të sigurisë dhe drejtësisë nga pushteti, duke e kthyer shtetin, sipas tij, në një instrument presioni ndaj qytetarëve që protestojnë.
Ai theksoi se dosjet “Sky ECC” kanë ekspozuar lidhje të rënda mes segmenteve të Policisë së Shtetit dhe grupeve kriminale në disa qytete të vendit, ndërsa ngriti dyshime serioze edhe për rolin e Shërbimit Informativ gjatë protestave, që sipas tij nuk po fokusohet te krimi i organizuar, por te kontrolli i protestuesve.
Bushkolaj u shpreh gjithashtu se në një klimë të thellë krize ekonomike dhe sociale, qeveria po përdor mekanizma frike ndaj administratës dhe narrativë politike për të delegjitimuar protestën qytetare, ndërsa institucionet ligjzbatuese, përfshirë SPAK-un, nuk kanë arritur të godasin në mënyrë të plotë lidhjet e krimit me politikën dhe ekonominë.
Pjesë nga deklarata:
Qoftë brenda aeroportit të Rinasit, qoftë një oficer policie i cili u vra së fundmi në një operacion të keqmenaxhuar dhe të keqorganizuar në Korçë, ne kemi pasur raste kur forcat e Policisë së Rendit janë qëlluar me automatik në zonat me kanabis, veçanërisht në malësitë e Dukagjinit, në Malësi të Madhe apo në Mirditë, ku është hapur zjarr ndaj tyre. Ne e kemi parë se si është trajtuar policia përgjatë këtyre viteve, ku u është thënë: “Hidhni ato kapele dhe dilni dhe grumbulloni vota për ne”. Ne e kemi parë se si eprorët e këtyre policëve, që detyrohen të dhunojnë protestuesit, mes të cilëve kanë edhe familjarë të tyre, kanë dalë një pjesë e madhe e tyre në dosjet e “Sky ECC”.
Pra, njerëz që u shërbenin grupeve të strukturuara kriminale, po themi në Durrës, në Elbasan, në Korçë, edhe në zonat e tjera të veriut. Dhe nëse ka diçka, një armatë që është poshtëruar nga kjo qeverisje, është pikërisht armata e Policisë së Shtetit dhe, për fat të keq, është e vetmja armatë në instancat ligjzbatuese që vendit vijon t’i japë dëshmorë herë pas here. Dhe një ndër arsyet kryesore të dëshmorëve në Policinë e Shtetit është pikërisht ai bashkëpunim që na del në ato dosje të krimit të organizuar dhe qeverisë.
Por, për t’u ndalur pak te protesta: ne kemi qenë aty thuajse pjesën më të madhe të protestës dhe më ka bërë shumë përshtypje ringjallja e Shërbimit Informativ Shqiptar. E vërteta e kësaj është thjesht fare: elementë të Shërbimit Informativ Shqiptar kanë qenë gjerësisht në protestë. Pra, ata njerëz që në kushte normale do të duhej të ishin duke gjurmuar ato 350 të shpallur në kërkim që dalin në dosjet e SPAK-ut dhe që nuk janë arrestuar, për shembull profili i Ervis Martinajt apo personazhe të tjerë…
Ne kemi parë një koordinim mes Policisë së Shtetit dhe Shërbimit Informativ. Kemi parë një koordinim mes Shërbimit Informativ dhe Policisë së Shtetit që nuk e kemi parë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, por, fatkeqësisht, e shohim në një protestë.
Kjo është një ngjarje shumë e madhe, do ta diskutojmë sot, por çështja që duhet diskutuar më parë është se si po i keqpërdorim instancat ligjzbatuese në raport me një protestë që është gjerësisht qytetare. Tani, për të ardhur te ato shërbimet partnere, ne kemi një qeveri që sillet më katolike se Papa, sepse nëse vjen puna për Iranin, minimumi, aleati ynë strategjik, sa herë ka protesta apo zhvillime në këtë vend, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përmes ambasadës, nxjerrin njoftime që “këtu ka protesta, ftojmë qytetarët tanë të kenë kujdes dhe të mos kalojnë në këtë perimetër”, gjë që tregon sensibilitet për situatën.
Si ka mundësi që në 33 ditë protestë, Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës nuk ngriti asnjëherë shqetësimin për çështjen e iranianëve?
Kjo është ideja. Por, ndërkohë, nuk duhet të harrojmë që është Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës që, në të paktën 30 deklarata nga muaji shtator e deri tani, ka ngritur alarmin për kartelet e drogës, që janë një ndër arsyet kryesore pse njerëzit janë sot në këtë situatë. Pse? Sepse e gjitha është çështje ekonomike kjo protestë. Pra, thelbi i saj nuk lidhet as me investime amerikane, as me investime të huaja; e gjitha lidhet me mënyrën se si është qeverisur ky vend dhe me pasojat dramatike në ekonominë e familjeve shqiptare, që sot, në pjesën më të madhe, duhet thënë se janë në gjendje të rëndë.
Na u shpik edhe bonusi i protestës. Kemi dëgjuar për bonus pensionistësh, bonus zgjedhor…
Këtu kemi edhe një “bos” për pensionistët. Kjo është arsyeja, është një protestë e cila ka në zanafillë kërkesa ekonomike. A ka elementë të papërshtatshëm brenda protestës? Po. A ka elementë të papërshtatshëm që mund të marrin fjalën po të duan? Po, patjetër. A ka dyshime që vetë strukturat e organeve ligjzbatuese janë aty, edhe në mesin e protestës, për të nxitur tension dhe për të krijuar një narrativë që i shërben pushtetit? Patjetër që po. Sepse kemi policë, efektivë civilë, që infiltrohen brenda protestuesve.
Ne e kemi parë se sa nga administrata shkojnë në protestë. Dhe shumë prej administratës, sipas informacioneve që kemi arritur të sigurojmë gjatë këtyre ditëve, shkojnë pasi bie errësira dhe të veshur me kapele që të mos identifikohen, sepse, fatkeqësisht, ashtu si në vitin ’90, sot kërcënohen me vendin e punës, që është një tjetër mekanizëm shantazhues që përdoret aktualisht.
Tani këtu ka një problematikë. Ne kemi parë se si persona me rekorde kriminale kanë arritur të marrin poste sekretarësh bashkie, madje të dhuruara, si në vitin 2019, poste deputetësh, poste drejtorësh e me radhë. Jo, nuk është problemi se s’protestojnë, por ndërkohë ne kemi kryeministrin dhe ministrat e kësaj qeverie që bëjnë profilet e protestuesve. Këta arrijnë të njohin dikë që ka qenë i dënuar në Belgjikë, dikë të dënuar për vjedhje apo për dhunë në familje, madje t’ia publikojnë edhe emrin, sikurse ndodhi sot me zotin Balla. Ndërkohë që heshtin për bashkëpunëtorët e tyre, pra për ata që kanë qenë në nivelet më të larta dhe kanë vendosur për fatet e këtij vendi. Kjo është ideja.
Dhe nuk e pyeta pak rastin e SPAK-ut, sepse unë gjykoj se një ndër arsyet më madhore pse protestohet në këtë vend është pikërisht drejtësia. Ne jemi përpjekur që SPAK-un ta shohim gjithmonë…
Ne e kemi diskutuar shpesh çështjen e reformës në drejtësi dhe jemi përpjekur si gazetarë që SPAK-un ta shohim gjithmonë si një ishull të veçuar, për shkak se ka qenë edhe një dëshirë për ta mbështetur dhe për të parë pozitivisht punën e tij. Por ka çaluar në të gjitha drejtimet. Pse? Krimi zgjedhor në këtë vend, që na ka prodhuar këtë klasë politike, pra që u amnistua në dosjet 339 dhe 184, dhe më pas erdhën deputetë të diktuar nga kartelet e drogës. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me ekonominë e këtij vendi. Pra, nëse krimi ishte periferik në ekonomi, sot peshën e ekonomisë e kemi në dorë të krimit të organizuar, sikurse po na e faktojnë dosjet.
Por kjo ka ndodhur gjatë kohës që SPAK ka qenë në detyrë. Madje, jo më larg se sot, çështja e inceneratorëve, pra një dosje për të cilën është protestuar aq shumë dhe është folur aq shumë, po kalon si një dosje periferike, ku po mësojmë që kryeministri i vendit paska pasur në plan të vendoste edhe në emër të tij… edhe Ilir Metën e askënd tjetër. Këto janë arsyet dhe besoj që edhe një nga kërkesat kryesore mes atyre pikave do të duhet të lidhet patjetër me reformën në drejtësi.
© SYRI.net