Lajmi i fundit

LIVE/ 'Rama jepe dorëheqjen', protesta para kryeministrisë në ditën e 32-të

'SPAK të hetojë 'The Albanian Files'/ Protestuesi: Të përshpejtohet heqja e imunitetit të Ballukut

'SPAK të hetojë 'The Albanian Files'/ Protestuesi: Të përshpejtohet heqja e imunitetit të Ballukut

20:17, 01/07/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Po mbahet sot protesta e 32-të radhazi kundër kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë së drejtuar prej tij. Nga foltorja e improvizuar përpara Kryeministrisë, një prej protestuesve deklaroi se lëvizja ka hyrë në ditën e dytë të muajit të dytë të protestave, duke theksuar se pjesëmarrësit mbeten të vendosur për të vijuar aksionin.

Sipas tij, gjatë paradites protestues kanë zhvilluar një tjetër aksion simbolik përpara Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), ku dorëzuan librin “Albanian Files”. Ai tha se qëllimi ishte shprehja e mbështetjes për institucionin, por edhe kërkesa që prokuroria të hetojë përmbajtjen e librit si provë të mundshme për vepra penale.

Gjatë fjalës së tij, ai tha se protesta vijon të mbështetet në pesë kërkesa kryesore, ndërsa theksoi se kërkesa e parë dhe e panegociueshme mbetet dorëheqja e menjëhershme e kryeministrit Rama dhe qeverisë së tij.

Protestuesi akuzoi gjithashtu kreun e qeverisë për korrupsion, duke deklaruar se një pjesë e ish-anëtarëve të kabinetit ndodhen nën hetim ose janë përballur me drejtësinë. Ai kërkoi nga SPAK-u përshpejtimin e procedurave për heqjen e imunitetit parlamentar të Belinda Ballukut, me argumentin se kjo do t’i hapte rrugë hetimeve të plota.

Në përfundim, protestuesi u shpreh se rrëzimi i qeverisë do të krijonte mundësinë për realizimin e kërkesave të tjera të protestës, përfshirë ngritjen e një qeverie tranzitore me mandat 12-mujor, e cila sipas tij do të ndërmerrte reformat e propozuara nga organizatorët e protestës.

Protestuesi:

Sot kemi hyrë në ditën e dytë të muajit të dytë të protestës.

Ata që menduan se do të lodhemi shpejt, tashmë e kanë kuptuar se kanë gabuar.

Sot shumë qytetarë ishim në orën 10:00 paradite përpara SPAK-ut, për të dorëzuar në mënyrë simbolike librin 'Albanian Files', për t'i dhënë një mbështetje dhe gjithashtu në të njëjtën kohë për t'i bërë thirrje prokurorisë së posaçme që të hetojë këtë provë krimi.

Ne kemi indicie se oligarkë të ndryshëm kanë investuar miliona euro në projekte arkitekturore që janë të paraqitura në këtë libër, duke pasur garanci paraprake nga qeveria shqiptare dhe nga Edi Rama se ai do t'jau ndryshojë ligjin pasi ata t'i bëjnë këto projekte në mënyrë që t'jau mundësojë që këto projekte të realizohen.

Ne mendojmë se këtu ka element të veprës penale, sepse në momentin kur këto projekte janë ideuar, ligji nuk e lejonte që të ndërtoheshin të tilla projekte në zonat e mbrojtura.

Kështu që përveç mbështetjes, duam t'i bëjmë thirrje SPAK-ut që të veprojë pasi ajo që ka bërë deri tani nuk mjafton.

Krahas aksionit të ditës së sotme, ne vazhdojmë të qëndrojmë të palëkundur në pesë kërkesat të cilat janë artikuluar përgjatë 32 ditëve të kësaj proteste historike.

Ku kërkesa e parë, kryesore, e panegociueshme dhe e patjetërsueshme, është dorëheqja e menjëhershme e kryeministrit Rama dhe qeverisë së tij.

Dhe këto kërkesa as nuk janë artikuluar dhe as nuk janë formuluar në bodrume apo skuta, po këto kërkesa qartësisht, botërisht siç e dimë të gjithë ne, janë artikuluar dhe janë formuluar në këtë shesh nga të gjithë ne.

Ne e kemi parë përditë me radhë se këto kërkesa janë kërkesat kryesore që i përfaqësojnë dhe i përbashkojnë të gjithë protestuesit në një emërues të përbashkët.

Kështu që është momenti që dhe një herë ne t'ia kujtojmë dhe të thërrasim për dorëheqjen e këtij kryeministri që është kryeministri më i korruptuar që ne kemi parë deri më sot.

Është kryeministri i cili e ka gjysmën e qeverisë ose në burg ose në akuzë, dhe së fundmi ai po guxon t'i mbrojë me imunitetin e deputetit edhe ish-ministrat e tij në mënyrë që t'i shpëtojë nga burgu. Kështu që mos harrojmë dhe duhet t'i kërkojmë po SPAK-ut që të nxitojë me procedurat për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut, heqja e imunitetit të së cilës do t'i jepte mundësi drejtësisë që të shkonte në fond.

Ne e dimë të gjithë botërisht se në momentin që bie qeveria dhe kryeministri, hapet rruga për të gjitha pikat e tjera dhe për të bërë një revolucion shoqëror në Shqipëri, duke pasuar nga një qeveri tranzitore me mandat 12-mujor që do të bënte të mundur të realizoheshin dhe pikat e tjera të cilat ne i kemi listuar.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco