Lajmi i fundit

PLUG/ Kumbari

VIDEO/ Pedagogu thirrje qytetarëve: Dilni në sheshe, të rrëzojmë qeverinë që po shkatërron Shqipërinë

20:42, 01/07/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Duke folur në protestën qytetare ku kërkohet dorëheqja e Edi Ramës, pedagogu Lush Susaj u bëri thirrje qytetarëve, intelektualëve, pedagogëve, mësuesve, studentëve, fermerëve dhe të gjitha shtresave të shoqërisë që të bashkohen në protestë për të rikthyer demokracinë dhe pluralizmin politik në vend.

Duke iu drejtuar veçanërisht të rinjve, Susaj tha se e ardhmja e tyre është në diskutim dhe se është momenti që ata të ngrihen kundër sistemit aktual. Në fjalën e tij, ai e cilësoi qeverisjen aktuale si pengesën kryesore për zhvillimin e vendit, duke e akuzuar për shkatërrimin e arsimit, bujqësisë, shëndetësisë dhe për nxitjen e emigracionit masiv të shqiptarëve.

Susaj u bëri gjithashtu thirrje ambasadave të huaja në Shqipëri, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian që të mbështesin përpjekjet për largimin e qeverisë aktuale.

Pedagogu shprehu mirënjohje për qytetarët që marrin pjesë në protestë, duke i cilësuar ata si njerëzit që po mbrojnë Republikën dhe interesin kombëtar.

‘Vëllezër e motra, të nderuar bashkëqytetarë. Të nderuar kolegë, mësues e profesorë të Republikës së Shqipërisë. Të nderuar bashkëpunëtorë, gazetarë, poetë dhe publicistë të Shqipërisë. Të nderuar agronomë dhe fermerë të Shqipërisë kudo që jeni.

Ju lutem bëhuni pjesë e zgjidhjes së këtij problemi dhe zbrisni në sheshet e lirisë e të rikthejmë demokracinë dhe pluralizmin politik përmes rrëzimit të kësaj qeverie që ka kapur gjithçka dhe që po shkatërron gjithçka e që ka përmbysur e futur në ngërç Republikën.

Të nderuar nxënës dhe studentë të Shqipërisë, është koha e juaj, është e ardhmja e juaj në diskutim, prandaj ngrihuni dhe bëhuni furtunë në sheshet e lirisë dhe të fshijmë nga faqja e dheut këtë sistem të ndyrë kakistokratik e të korruptuar të këtyre 36 viteve, madje të 85 viteve.

Unë jam një njeri i cili kam lindur në sheshet e lirisë, kam lindur në përballje me diktaturat dhe do të vdes në sheshet e lirisë e në përballje me diktaturat, vetëm për të mirën e Shqipërisë, se punët e mia i kam zgjidhur, sepse jeta e vështirë më ka dhënë të gjitha profesionet që rrallëkush din me i bë më mirë në këtë botë.

Por thirrja ime është për ju. Thirrja ime shkon për të gjithë ambasadat në Republikën e Shqipërisë, për Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian, për të gjitha institucionet demokratike të kësaj bote, që të na ndihmojnë që të heqim qafe qeverisjen e cila është bërë ndalesë dhe pengesë kryesore që po e shuan kombin shqiptar, që po e kriminalizon shoqërinë shqiptare.

Unë ju bëj me dije që kriminalizimi i shoqërisë shqiptare, dëbimi i shqiptarëve, shuarja e kombit shqiptar, shkatërrimi i mjedisit dhe bujqësisë në Shqipëri, shkatërrimi i sistemit arsimor në Shqipëri, shkatërrimi i sistemit shëndetësor në Shqipëri e gjithçka tjetër, nuk sjell asgjë të mirë për Evropën e përbashkët e as për Amerikën, përkundrazi mbjell krim, korrupsion dhe bela edhe në Evropë, edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Prandaj të nderuar bashkëqytetarë, shpreh respekt dhe mirënjohje për të gjithë ju që protestoni e reagoni. Ju e meritoni titullin qytetar. Ata që fshihen dhe bëjnë rolin e të paditurit, apo lëpihen pas thërrimeve të pushtetit të korrupsionit, vetëm emrin qytetar nuk e kanë. Ata mund të bëjnë pasuri, por janë e do të vdesin si mjeranë të kësaj jete e të kësaj bote.

Prandaj, thirrja ime është: dilni në sheshet e lirisë! Zoti ju priftë mbarë ju që keni dalë në betejë për të fituar Republikën. Zoti ia priftë mbarë çdo shqiptari që kërkon me ia shlyer borxhin Republikës dhe gjakut të të parëve tanë për këtë shtet e për këtë komb.

Respekt për ju tërë jetën.’, tha gjatë fjalës së tij në protestë, pedagogu Lush Susaj.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco