Lajmi i fundit

LIVE/ Mblidhet Këshilli Kombëtar i PD

PPE miratojnë raport dhe rezolutë për Shqipërinë, Berisha: Raporti, pasqyrë e regjimit të Edi Ramës

17:45, 01/07/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha përshëndeti raportin dhe rezolutën e miratuar nga PPE për situatën në Shqipëri. Në një konferencë për mediat, Berisha tha se ky raport është pasqyrë e realitet në Shqipëri ku theksohet se vendi është kapur nga droga dhe organizatat kriminale.

"Raporti është një pasqyrë e veçantë, besnike si asnjëherë më parë në historinë e vendit e Shqipërisë, regjimit të Edi Ramës, regjimit që ka shndërruar zgjedhjet në farsë elektorale, regjimit që ka përqendruar të gjitha pushtetet në një dorë, që kontrollon mediat dhe drejtësinë, regjimit të bazuar në kapjen e shtetit, drogën, krimin dhe korrupsionin. Raporti ka një bosht, dhe mund t’u them se boshti i tij është kapja e shtetit" tha Berisha.

Berisha ka rënditur të gjitha problematikat që raporti dhe rezoluta e Parlamentit Europian kanë evidentuar në vendin tonë.

Shqipëria, sipas raportit, ka ndërtuar një rrjet patronazhistësh, sistemin e blerjes së votës, ka angazhuar grupet kriminale për të kontrolluar vullnetin e qytetarëve. Ka zhdukur linjën ndarëse midis institucioneve të shtetit dhe strukturave partiake. Shqipëria pra është vendi në të cilin narkoeurot janë shndërruar në një faktor që po shkatërrojnë ekonominë shqiptare. Makineri gjigante e larjes së parave të krimit dhe të drogës. Vendi në të cilin zyrtarisht mbrohet korrupsioni. Raporti ndalet plotësisht në dosjen Balluku, në qëndrimet e Edi Ramës ndaj kësaj dosje që e implikojnë atë direkt, në sulmet që Edi Rama i bën prokurorisë dhe gjykatës për këtë dosje. Ndalet tek AKSHI, tek dora e zezë e tij në dosjen e AKSHI-t. Ndalet tek koncesionet dhe PPP-të. Tek prokurimet publike me klientelë.

Partitë Popullore Europiane e kanë dhënë dhe zgjidhjen për situatën politike në Shqipëri.

'Kurrë ndonjëherë një raport i tillë nuk është votuar në një organizatë kaq prestigjioze, kaq të rëndësishme siç është PPE. Raporti sugjeron qeverinë teknike si zgjidhje për një proces zgjedhor të lirë dhe të ndershëm. Mbështet PD-në në të gjitha përpjekjet e saj në kushtet më të vështira. Pra, kemi të bëjmë me një raport si asnjë tjetër më parë'

Lideri opozitës vuri në dukje se rezuluta e PPE mbështet protestën e qytetarëve në Tiranë dhe se partitë europiane u njohën me arsyet reale të protestës dhe jo ato që propagandon Edi Rama.

'Dua t’u them se rezoluta i jep mbështetje të fuqishme protestës rinore qytetare në Tiranë. Dhe ne përdorëm mundësitë e krijuara për të hedhur poshtë propagandën armiqësore të Edi Ramës i cili, siç u informuam, ka shpërndarë me qindra dhe mijëra mesazhe në të gjithë elitën evropiane, në të cilat e paraqet lëvizjen e idealeve më fisnike të të rinjve shqiptarë, si një lëvizje të organizuar dhe të frymëzuar nga Garda Revolucionare famëzezë e Iranit në një përpjekje për ta damkosur ndërkombëtarisht këtë lëvizje. Sikundër informova se ka angazhuar kompani të huaja, ka angazhuar shuma të mëdha, një numër të madh, një armatë të tërë në betejën kundër algoritmit vetëm e vetëm që t’u marrë protestuesve algoritmin. Dhe se ai merret në kundërshtim me çdo ligj, me të dhënat e tyre personale," tha Beriszha.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco