Lajmi i fundit

LIVE/ Kryetari i PD, Sali Berisha konferencë me gazetarët

‘Rama frymëzon shkeljet’/ Strazimiri-SPAK-ut: ODIHR nxjerr në pah ‘tumorin’ e zgjedhjeve, pse nuk veproni?

11:30, 01/07/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Deputeti i Partisë Demokratike, Gent Strazimiri, adresoi kritika të forta ndaj drejtuesit të SPAK, Klodian Braho, gjatë seancës dëgjimore në Komisionin e Reformës Zgjedhore, duke vënë në pikëpyetje efektivitetin e hetimeve për krimet zgjedhore dhe fenomenin e patronazhimit.

Gjatë fjalës së tij, Strazimiri iu referua gjetjeve të raportit të OSBE/ODIHR, për të cilin tha se evidenton përkeqësimin e standardeve zgjedhore dhe fshirjen e kufirit mes shtetit dhe partisë në pushtet. Deputeti demokrat kërkoi nga SPAK që të mos kufizohet vetëm te interpretimi formal i ligjit, por të hetojë edhe mekanizmat që, sipas tij, kanë mundësuar deformimin e procesit zgjedhor.

Sipas Strazimirit, përdorimi i të dhënave personale të qytetarëve, përfshirja e administratës publike në fushatë dhe mosndëshkimi i rasteve të denoncuara kanë krijuar një klimë pandëshkueshmërie, ndërsa ai kritikoi SPAK-un për vlerësimin se Task Forca kundër krimeve zgjedhore ka pasur efekt parandalues, duke e cilësuar këtë në kundërshtim me konkluzionet e raportit të ODIHR.

Gent Strazimiri: Çfarë po merrni? Ka lidhje me këto mbledhje apo s'ka lidhje me këto mbledhje? Po diskutojmë mbi këtë fjalim që sapo mbajti drejtuesi i nderuar i Prokurorisë së Posaçme. Kjo ka lidhje me këtë mbledhje. Dakord? Ka lidhje me faktin sigurisht që është krejtësisht e vërtetë që jo çdo perceptim për shkelje penale është i aplikueshëm dhe i ndjekshëm nga SPAK-u, e dimë këtë punë, e kuptojmë. Të paktën ne që jemi këtu e kuptojmë. Sigurisht që teknikisht jo çdo ndalim në kodin zgjedhor është vepër penale, edhe këtë e dimë. Ama, dimë dhe një gjë tjetër, që efekti i një veprimi joetik, kur vjen nga Kryeministri, haptazi në fushatë elektorale, që e quan kinezëri kodin zgjedhor, që u thotë policëve mblidhni vota për Partinë Socialiste, që u thotë mësuesve, infermierëve, të gjithëve me radhë po, që shkon dhe iu thotë votuesve të Partisë Demokratike apo të opozitës në një komunë: "Nëse votoni prapë për Partinë Demokratike, asnjë kokërr leku nuk keni për të parë". Unë mendoj që këto janë, sigurisht veprime jo etike, por janë frymëzimi nga kreu më i lartë i ekzekutivit dhe që konvertohet, jam i bindur, në vepra penale në mënyrë masive. Masive. Aq sa, siç shprehet raporti i OSBE-ODIHR-it, i cili nuk përbën provë, sigurisht që jo, por është skaneri, është rezonanca magnetike e asaj pune që ju keni bërë. Dhe për këtë ne presim sot të na thoni se çfarë duhet të... si duhet ta rregullojmë më mirë. Thotë, ajo që ne e quajmë parti-shtet, raporti i OSBE-ODIHR-it thotë: "Humbet vija e demarkacionit midis shtetit, administratës publike dhe partisë në pushtet". Aty ke pafund vepra penale, të parashikuara në kodin zgjedhor apo të paparashikuara në kodin zgjedhor po të duash të punosh. Çështja është, vërtet po patronazhimi, fjala vjen nuk është vepër penale, por mënyra se si realizohet... fakti që AKSHI, i gjithi, ka përgatitur një... është institucion shtetëror të cilit ne i kemi besuar të dhënat tona. Ka përgatitur një manual për t'jua shpërndarë 100 mijë vetave, armatës së Partisë Socialiste që ne i quajmë patronazhistë, se ashtu e quajtën veten. 910 mijë votues, aty janë të detajuar me çdo të dhënë që nuk duhet t'i kishte Partia Socialiste. Ja japin shtetit... aty sigurisht që ka vepër penale. Mos e quaj patronazhim, quaje ndryshe. Mund të më thuash që po, faj këtu është se për këtë punë jemi mbledhur, kemi vakum. Po si s'e thua që kemi vakum në Kodin Penal për këtë punë? Sepse këtu do të më thoje kemi vakum dhe 1, 2, 3, 4, 5, të lutem shumë m'i bëj pak vepra penale, atëherë po i persekutoj unë. Më jep instrumentat në dorë, nuk e thua. Ajo që më thua është, dhe që më revolton me thënë të drejtën, është fakti që e konsideroni se ka pasur efekt parandalues. Se të çfarë, unë s'e kuptoj. Task Forca ka pasur efekt parandalues... Se çfarë u parandalua ta thotë OSBE-ODIHR. E ke dhe në mënyrë kronologjike, që në 2015-ën fillon efekti patronazhimi, kjo e kjo e kjo me radhë, dhe sesi rritet në rekomandime. Aty tregohet se sa e rëndë është situata nga 2015-a në 2025-ën. Por ju këtë shqetësim s'e keni. Raporti i OSBE-ODIHR-it ta tregon, është rezonanca magnetike, tregon ku është tumori, metastazat dhe gjithçka tjetër. Këtu jo, është i shëndetshëm. As kolesterol s'ka, organizmi është gjithçka në rregull. Dhe në fund fare është kjo tjetra, "u përpoq SPAK-u", thotë, "të lexojë riskun më herët, të koordinojë informacionin më shpejt dhe të orientojë reagimin sipas kompetencave". OSBE-ODIHR-i të thotë, SPAK-u, policia dhe çdo organ tjetër që kishte për detyrë të luftonte përfshirjen e krimit të organizuar në zgjedhje, ishin zhgënjyes.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco