Analisti Ben Andoni, i ftuar në Edicionin e Pasdites në SYRI TV, komentoi protestat qytetare që po zhvillohen prej 31 ditësh në Shqipëri, duke theksuar se ato kanë arritur të tërheqin vëmendjen e institucioneve europiane dhe të ndryshojnë perceptimin për vendin jashtë kufijve.
Gjatë bisedës me moderatorin Edvin Parruca, Andoni u shpreh se, Shqipëria ka një peshë të vogël ekonomike, rëndësia e saj politike në rajon mbetet e madhe për shkak të interesit që Bashkimi Europian ka për stabilitetin në Ballkan.
Analisti vlerësoi se politika në rajon vijon të jetë problematike, duke përmendur zhvillimet në Serbi dhe Maqedoninë e Veriut, ndërsa theksoi se prioriteti i Brukselit mbetet shmangia e tensioneve dhe krizave në Ballkan.
Andoni u ndal edhe te roli i Parlamentit Europian, duke theksuar se rezolutat e tij, edhe pse nuk kanë fuqi ekzekutive, shërbejnë si referencë e rëndësishme për institucionet europiane në proceset vendimmarrëse.
Në analizën e tij, Andoni komentoi edhe situatën në Serbi, duke vlerësuar se lëvizjet politike të presidentit Aleksandër Vuçiç nuk pritet të prodhojnë zhvillime të jashtëzakonshme, ndërsa Bashkimi Europian vazhdon të justifikojë dhe të menaxhojë tensionet politike që shfaqen në vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut, Serbinë dhe Bosnjë-Hercegovinën.
‘Përsa i përket fuqisë ekonomike, është jashtëzakonisht e vogël.
Përsa i përket fuqisë politike është e madhe sepse Ballkani është lënë si një hapësirë krize. Dhe Brukseli, duke njohur antropologjinë rajonale, është më i interesuar për stabilokraci, për njerëzit e fortë.
Këtë po ta keni parë me kujdes, politika është jashtëzakonisht problematike në rajon dhe vazhdon të jetë problematike. Nuk është më pak e tillë as në Serbi apo në vende të tjera, kur flitet për kryeministrin dhe presidentin.
Por po ta shikoni me kujdes, e shmang nga Maqedonia e Veriut, e cila është gjithmonë problematike. Brukselin e intereson që të ketë sa më pak zhurmë nga kjo zona jonë. Vetëm të them një element: ka një ndarje shumë të madhe kur vjen puna te Parlamenti Europian.
Ne e dimë që Parlamenti Europian mund të nxjerrë rezoluta dhe rezolutat nuk kanë fuqi ekzekutive, por janë këto rezoluta pastaj që kur vjen puna për proceset e ndryshme, merren parasysh nga Këshilli i Europës. Kjo është e madhja fare.
Por Shqipëria, ndryshe nga të gjitha vendet e tjera, madje ndryshe dhe nga Kosova, është vendi që ka 94% ose diçka më shumë të dëshirës për t'u anëtarësuar në Bashkimin Europian, prandaj ndjeshmëria është shumë e madhe. Edhe kjo s'ka kaluar pa u vënë re.
Për shkak të vazhdimit të kësaj historie, zoti Rama di të luajë shumë bukur me ndjeshmërinë e shqiptarëve për integrimet. Ndërsa europianët, sidomos në këtë djerrinë, tashmë kanë gjetur kauza shumë të mëdha. Kjo po përdoret nëpërmjet këtij revolucioni, që ndryshe nga shumë njerëz unë mendoj që e ka ribranduar Shqipërinë jashtë.
Jo me atë Shqipërinë e dikurshme problematike, me ato protestat e frikshme, të zhurmshme dhe anarkinë e madhe, por me njerëz që protestojnë në mënyrë jashtëzakonisht të moderuar dhe metaforike. Unë besoj që është rast prapë shumë minor para atyre që pritet në protesta të tilla.
Prandaj në këtë sens po mendoj që këtu është ndjeshmëria e Brukselit, që Shqipërinë gjithmonë ta shikojë më shumë me kujdes, sepse të dyja janë projektet më të afërta të Bashkimit Europian.
Vuçiç do të bëjë një lloj rokade brenda për brenda, meqë mandati i tij mbaron në prill të vitit tjetër, ndërsa parlamenti mbaron një vit më vonë. Kjo lëvizje nuk është ndonjë lëvizje që të shkaktojë diçka të jashtëzakonshme.
Dhe në këtë sens, duke pasur këtë as në dorë, Bashkimi Europian shpesh e justifikon Shqipërinë, justifikon edhe vendet e tjera të cilat gjenden në këto turbulenca, siç është ndjekja e tyre në Maqedoninë e Veriut, ose gjërat që kanë ndodhur në Serbi, për të mos folur pastaj për Bosnjën që është gati një sinonim sepse atje nuk ka as guvernator të Bashkimit Europian.’, u shpreh analisti Ben Andoni në SYRI TV.
© SYRI.net