Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, ka kërkuar në Konferencën e Kryetarëve që mazhoranca të shqyrtojë me procedurë të përshpejtuar paketën ligjore të paraqitur nga grupi parlamentar i PD-së, duke e cilësuar atë si një nismë të rëndësishme për integrimin europian dhe njëkohësisht si përgjigje ndaj kërkesave të qytetarëve që po protestojnë.
Zhupa akuzoi shumicën se po vendos interesat personale dhe ato të klientëve politikë mbi interesin publik, ndërsa i bëri thirrje Kuvendit të reflektojë ndaj pakënaqësisë qytetare dhe të marrë përgjegjësi për pasojat e 13 viteve të fundit të qeverisjes.
Zhupa: Kryetari i Grupit të PD-së, në emër të grupit, ka dorëzuar një paketë ligjore mjaft të rëndësishme, e cila lidhet me integrimin. Por këto nisma janë edhe kërkesa të atyre qytetarëve që po protestojnë në shesh.
Është shumë e rëndësishme që kjo paketë të kalojë me procedurë të përshpejtuar, sepse është në interes publik. Unë e di se ju nuk ju shqetëson interesi publik, por interesi juaj personal dhe ai i disa klientëve përreth jush. Megjithatë, thirrja ime është që ta kaloni menjëherë për shqyrtim atë paketë.
Uroj që ky Kuvend t’u përgjigjet qytetarëve dhe protestuesve. Gjithashtu, uroj që të merrni përgjegjësi për atë masakër që i keni bërë Shqipërisë gjatë 13 viteve të fundit.
© SYRI.net