I ftuar në studion e “Kafe Shqeto”, deputeti i Partisë Agrare, Artan Luku, u shpreh se Durrësi është kthyer në një qytet eksperimental për shkak të keqmenaxhimit politik dhe administrativ të Partisë Socialiste.
Ai paralajmëroi se mosintegrimi i periferive, mungesa e mundësive për të rinjtë dhe përparësitë e dhëna një grupi të ngushtë njerëzish afër parties, kanë zhvendosur jetën sociale, arsimore dhe ekonomike drejt Tiranës, duke lënë qytetin bregdetar të shkatërruar gradualisht.
Luku kritikoi mënyrën e menaxhimit të Portit të Durrësit, duke theksuar se vendimet për shkatërrimin e portit ekzistues pa një projekt të qartë për portin e ri rrezikojnë të çojnë qytetin drejt një boshllëku ekonomik dhe urban të pashpresë.
Sipas tij, kjo qasje duket si një strategji e qëllimshme për të zhvlerësuar potencialin historik dhe ekonomik të qytetit, duke vënë në rrezik çdo investim të ardhshëm dhe jetën e komunitetit durrsak.
Pjesë nga deklarata:
Ndoshta kjo ka të bëjë me faktin që, me atë që unë thashë në fillim, bashkia dhe pushteti në Durrës përfaqësojnë menaxhimin më të keq që mund t’i bëhet një qyteti, dhe jeta sociale e qytetit pothuajse është inekzistente si pasojë e administrimit të keq që pushteti lokal ka bërë.
Kështu që të rinjtë e sotëm, ata që janë promotorët e këtyre protestave të fundit, jetën sociale nuk e zhvillojnë fare në qytetin e Durrësit, sepse nuk kanë çfarë të bëjnë në qytetin e Durrësit. Duke qenë se ata e zhvillojnë jetën sociale në kryeqytet, janë afër kryeqytetit. Gjithashtu, pamundësitë që vendbanimi, ose më saktë qyteti i Durrësit, u krijon, bëjnë që edhe aktivitetin e tyre...
Kjo e shpjegon shumë mirë pse të gjithë durrsakët, të gjithë të rinjtë që kanë një mundësi ekonomike qoftë edhe pak nën mesataren, jetën sociale e zhvillojnë në Tiranë, sepse në Durrës nuk ke çfarë të bësh. Ta thashë, Durrësi është kthyer në një qytet eksperimental. Shpesh diskutojmë me miq dhe na duket, ndonjëherë, në atë dialektin tonë, sikur gjërat na bëhen kastile. Sepse vërtet duket sikur bëhen qëllimisht, që t’ua acarojnë nervat njerëzve.
Kështu që mos prisni që rinia të tubohet në Durrës, kur gjithë jetën sociale dhe arsimin e zhvillon në Tiranë. Jetën sociale, jetën e natës, jetën e bukur e zhvillon në Tiranë, madje edhe punën. Pothuajse një pjesë e mirë punojnë në Tiranë. Kështu që unë do të thoja se menaxhimi i keq...
Do ta lexoja pak më qetë: menaxhimi i keq dhe mosintegrimi i periferive të qytetit, që është një nga të metat që ka Durrësi në mënyrën e menaxhimit të vet, sipas mendimit tim. Domethënë, zonat që kanë më shumë potencial dhe më shumë burime njerëzore janë periferitë, zonat me të ardhur, sepse dihet që të ardhurit janë ata që krijojnë më shumë burime njerëzore si rrjedhojë e dëshirës që kanë për të konkurruar.
Mosintegrimi i tyre në zemrën dhe jetën e qytetit bën që këta të mos e ndiejnë veten pjesë të tij dhe, pa dashje, të përfshihen në jetën sociale të Tiranës.
Unë, për PS-në e Durrësit... Domethënë, vlerësimi i Bardhyl Agasit, në mendjen time, nuk përbën ndonjë gabim të jashtëzakonshëm. Të jemi realistë, Bardhyl Agasi në kohën e vet ka qenë një nga figurat e respektuara të Partisë Socialiste, një qytetar i mirë dhe një intelektual i mirë i qytetit. Ajo çka ka ndodhur më vonë nuk është përgjegjësi e Bardhyl Agasit, tashmë në një moshë të shtyrë.
Kështu që nuk do të thoja... Ajo çka kemi dëgjuar si zëra, por edhe ajo që u vu re në dëgjesat që patëm për sa i përket reformës territoriale të Durrësit, është se figurat historike të Partisë Socialiste, për të cilat ne themi se Partia Socialiste e Durrësit ka qenë model, me figura shumë cilësore, intelektuale dhe qytetare të mirëfillta, duket sikur janë distancuar.
A janë tërhequr vetë? A i kanë përzënë? Këtë nuk di ta them. Por niveli përfaqësues i Partisë Socialiste ka rënë shumë. Ka rënë si në nivelin më të lartë, ashtu edhe në nivelin administrativ. Në punët administrative ka rënë kaq keq, sa unë nuk e di se cili prej drejtorëve aktualë të Durrësit ka një diplomë siç duhet.
Domethënë, niveli është goxha nën mesataren. Tani, kjo puna e diplomave është tjetër gjë. Të gjithë kanë doktoratura, thonë ata, por nuk kanë mbaruar as shkollën e mesme.
Kështu që ndoshta këto zhvillime, siç fola, duke e përfaqësuar Partinë Socialiste njerëz pa integritet ose pa intelektualitetin e duhur për të bërë punët e tyre, por edhe ky korrupsion i madh, kanë bërë që të duket sikur i gjithë qyteti i Durrësit punon për dy ose tre veta.
Në 13 vjet pushtet... Në fakt, nuk janë 13 vjet, sepse Partia Socialiste Bashkinë e Durrësit e ka marrë në vitin 1999 dhe nuk e ka lëshuar më. E ka pasur gjithmonë Partia Socialiste. Kështu që çdo punë e mirë dhe e keqe që është bërë në Durrës...
Çdo punë e mirë dhe e keqe që është bërë në Durrës i përket vetëm Partisë Socialiste. Nuk kanë çfarë të kërkojnë te Partia Demokratike. Aty nuk kemi çfarë të themi se e ka fajin Saliu.
Edhe Rruga e Re, që është e vetmja punë e bërë në Durrës, Rruga e Portit që ne e quajmë Rruga e Re, është një rrugë që është bërë në kohën kur zoti Olldashi ishte ministër dhe ka qenë shtytja e tij personale për të siguruar financimin.
Edi Rama, si deputet i Durrësit, nuk dimë të themi cili është një investim apo një punë e mirë që i ka sjellë Bashkisë së Durrësit, apo edhe qarkut të Durrësit në tërësi.
Lekët e tërmetit nuk janë lekët e tij, as i ka gjetur vetë. Janë donacione që kanë ardhur nga vende të ndryshme, të administruara disa herë mirë e disa herë jo mirë.
Por nuk dimë të themi se cila është puna e mirë që Edi Rama ka sjellë. Çfarë na solli? Na la pa port. Na bëri Marinën, e cila nuk qëndron në këmbë. Do të na bënte portin... po na e bën dot portin?
Unë shpresoj që ato të qëndrojnë, sepse nëse ndodh që të mos qëndrojnë, atëherë do të gjendemi përballë faktit që aty ku kishim portin do të kemi një arkivol, i cili nuk do të gjejë zgjidhje ligjore për shumë vite me radhë.
Lëvizja e Portit të Durrësit duhej bërë nga aty ku ishte. Unë kam pasur fatin, para shumë vitesh, të jem në një takim teknik me një grup që kishte ardhur nga Bashkimi Europian dhe që vlerësonte se prania e portit në zemër të qytetit shkakton ndotje mjedisore dhe probleme për qytetarët.
Që atëherë u dha sugjerimi që të shihej mundësia për ta spostuar portin diku tjetër, por në një vend që do të shërbente si pikë e rëndësishme hyrëse për Korridorin VIII.
E lidhur me projektin, ne mund ta kishim bërë spostimin vetëm të një pjese të aktiviteteve që kryente porti. Për shembull, mineralet e rënda, të cilat nuk kishte pse të menaxhoheshin më në qendër të qytetit. Nafta prej vitesh nuk menaxhohet më në portin aktual.
Por, duke i lënë të gjitha këto mënjanë, si mund ta prishim portin ekzistues pa pasur projektin për një port të ri? Tani po na del që nuk kemi projekt. Diku na thanë se do të bëhet i madh, tani na thonë se do të bëhet më i vogël, pastaj na thonë se është projektuar gabim sepse nuk ka nevojë për një port aq të madh.
Domethënë, kemi prishur një aset ekzistues që gjeneronte miliarda euro dhe ishte shumë i rëndësishëm, pa pasur ende një ide të qartë se ku do të ndërtohet porti i ri.
Dhe vazhdoj të them se kjo duket si një eksperiment social dhe si një gjë e bërë qëllimisht për t’ia ulur vlerën qytetit të Durrësit.
© SYRI.net