Takimi i djeshëm i kryeministrit Edi Rama në Fier ka tërhequr vëmendjen për shkak të promovimit të ish-zëvendëses së tij Belinda Balluku.
Në fotot e publikuara sot në Facebook nga Rama, vihet re prezenca e madhe e Belinda Ballukut në postim, duke i dhënë asaj një rol qendror në aktivitet. Ky detaj vjen në një moment kur Balluku ndodhet në qendër të akuzave dhe hetimeve publike për korrupsion, ndërsa SPAK ka ndërmarrë veprime që kanë rritur interesin e opinionit publik mbi çështjen.
Në klimën aktuale politike, ku protestat qytetare po kërkojnë më shumë transparencë, llogaridhënie dhe luftë ndaj korrupsionit, ekspozimi i veçantë i Ballukut shihet si një sinjal politik i qëllimshëm.
Mesazhi që perceptohet është se kryeministri jo vetëm nuk po distancohet nga bashkëpunëtorët e tij që janë nën dyshime apo hetime, por përkundrazi po zgjedh t'i promovojë publikisht, duke sfiduar në mënyrë indirekte institucionet e drejtësisë dhe klimën e krijuar nga hetimet e SPAK-ut.
Ndërsa mijëra qytetarë dalin çdo mbrëmje në protesta duke kërkuar dorëheqjen e tij, Rama duket se ka zgjedhur një strategji tjetër: të demonstrojë besnikëri ndaj rrethit të tij të ngushtë dhe të tregojë se nuk do të lejojë që axhenda e tij politike të diktohet nga hetimet apo nga pakënaqësia në rritje e qytetarëve.
© SYRI.net