Zv. Sekretarja e Përgjithshme e Partisë së Lirisë, Brunilda Haxhiu, ka kritikuar ashpër vendimin e Ministrisë së Shëndetësisë për garantimin e trajtimeve hormonale, duke ngritur pikëpyetje mbi prioritetet e qeverisë në sektorin e shëndetësisë.
Sipas saj, ndërsa mijëra pacientë me sëmundje të rënda, përfshirë të prekurit nga kanceri, përballen me mungesë medikamentesh dhe vështirësi në trajtim, qeveria po orienton burime dhe vëmendje drejt politikave që nuk adresojnë nevojat më urgjente të qytetarëve.
Në deklaratën e saj, Haxhiu kërkoi që prioritet absolut të jetë furnizimi i spitaleve me barna, trajtimi dinjitoz i pacientëve kronikë dhe mbështetja e familjeve që përballen me kosto të larta shëndetësore.
Ajo akuzoi qeverinë për neglizhencë ndaj problemeve reale të sistemit shëndetësor dhe theksoi se qytetarët po kërkojnë përgjegjësi për dështimet në shëndetësi, arsim dhe fenomenin e shpopullimit.
Deklarata për mediat:
Vendimi i fundit i Ministrisë së Shëndetësisë për garantimin e trajtimeve hormonale ngre një pyetje të madhe morale, sociale dhe politike: si mund të gjejë qeveria fonde dhe prioritete për politika të tilla, ndërkohë që mijëra qytetarë të prekur nga sëmundje të rënda vazhdojnë të përballen me mungesën e medikamenteve jetike në spitalet publike?
Sot, shumë pacientë me kancer detyrohen të blejnë vetë ilaçet, të presin me muaj për trajtim ose të kërkojnë ndihmë jashtë vendit. Familje të tëra po paguajne kosto të larta për të shpëtuar jetën e të afërmve të tyre, ndërsa qeveria zgjedh të promovojë politika që nuk përfaqësojnë nevojat më urgjente të sistemit shëndetësor shqiptar.
Për ne, prioritet absolut duhet të jetë garantimi i shërbimit shëndetësor bazë, furnizimi i spitaleve me barna, trajtimi dinjitoz i të sëmurëve kronikë dhe mbështetja e pacientëve që luftojnë çdo ditë për jetën e tyre.
Njëkohësisht, shteti shqiptar ka detyrimin të mbrojë interesin më të lartë të fëmijëve. Çdo politikë publike që prek të miturit duhet të trajtohet me kujdes maksimal, transparencë dhe debat të gjerë shoqëror. Prindërit shqiptarë kanë të drejtë të kërkojnë që institucionet të mos promovojnë ideologji apo qasje që ata i konsiderojnë të papërshtatshme për moshat e reja, pa një diskutim të hapur dhe pa konsensus shoqëror.
Qeveria duhet të japë përgjigje: pse nuk garantohet fillimisht trajtimi i të sëmurëve me kancer? Pse pacientët vazhdojnë të vuajnë mungesën e ilaçeve bazë? Pse spitalet publike përballen me mungesa të vazhdueshme, ndërsa energjia dhe burimet institucionale orientohen drejt prioriteteve të tjera?
Shqiptarët meritojnë një sistem shëndetësor që vendos në qendër jetën, shëndetin dhe mirëqenien e qytetarëve. Ata meritojnë një qeveri që kujdeset më parë për pacientët që luftojnë për mbijetesë dhe për mbrojtjen e fëmijëve, jo për propagandë dhe fasada politike.
Koha e propagandës ka mbaruar. Qytetarët kanë dalë në shesh të protestojnë sepse kërkojnë dorëheqjen e kësaj Qeverie të papërgjegjshme, që luan me të ardhmen e fëmijëve tanë. Qytetarët kërkojnë përgjegjësi për dështimin e shëndetësisë, Arsimit dhe shpopullimin e Shqiperisë . Faleminderit!
© SYRI.net