'Protestuesit të kërkojnë qeveri teknike'/ Kedhi: Dorëheqja e Ramës është fillimi, jo fundi i ndryshimit

'Protestuesit të kërkojnë qeveri teknike'/ Kedhi: Dorëheqja e Ramës është fillimi, jo fundi i ndryshimit

09:35, 10/06/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

I ftuar në emisionin “KAFE SHQETO” në Syri TV, me moderatorin Flavio Qarri, këshilltari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Nikola Kedhi, deklaroi se dorëheqja e kryeministrit Edi Rama nuk do të mjaftonte për të sjellë ndryshimin e kërkuar nga opozita dhe protestuesit.

Sipas Kedhit, pas një dorëheqjeje eventuale të Ramës, hapi i radhës duhet të jetë krijimi i një qeverie teknike ose kujdestare, e cila do të kishte për detyrë administrimin e procesit zgjedhor dhe garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

Kedhi vlerësoi se kryeministri ndodhet aktualisht në një pozitë më të dobët politike krahasuar me muajt dhe vitet e mëparshme, duke ia atribuar këtë si veprimtarisë së opozitës, ashtu edhe protestave të zhvilluara së fundmi.

Ai theksoi se opozita ka luajtur rol të rëndësishëm përmes denoncimeve të saj lidhur me proceset zgjedhore, krimin e organizuar dhe narkotrafikun, ndërsa protestat kanë shtuar presionin e brendshëm ndaj qeverisë.

Në vijim të deklaratave të tij, Kedhi argumentoi se ndryshimi politik mund të vijë vetëm përmes kombinimit të presionit të brendshëm dhe atij ndërkombëtar.

Kedhi:

Mendoj që shqiptarët do ishin shumë të lumtur ta bënin këtë sakrificë për t'u futur në Bashkimin Europian. Ndaj mund të ndodhë. Unë mendoj këtë që Rama do të duhet të përballet me drejtësinë për të gjitha ato që ka bërë në këto vite, që unë mendoj që janë shumë të këqijat që ka bërë dhe do të duhet të përballet me një proces të ndershëm që mos të ketë dyshime dhe të marrë...

Po, kjo është shumë e vërtetë që thotë ai, domethënë, ai e bën dhe për të dekurajuar protestuesit e tjerë. Po ndaj them që është shumë e rëndësishme se çfarë kërkojnë protestuesit. Protestuesit vërtet mund të kërkojnë, në gati të gjithë ata që dalin aty, dorëheqjen e tij. Por dorëheqja e Ramës nuk është fundi, dorëheqja e Ramës është fillimi. Hapi tjetër pas kësaj është një qeveri kujdestare, një qeveri teknike në mënyrë që të menaxhojë për një periudhë të caktuar procesin zgjedhor, pra ta përgatisi vendin për të shkuar drejt zgjedhjeve dhe të kujdeset që të jenë zgjedhje, një proces zgjedhor i lirë, i ndershëm dhe pa influenca jashtë politikës. Pra krimi i organizuar, presionet nga administrata apo qytetarët shqiptarë. Dhe kjo është ajo që do të duhet bërë, ajo që do të duhet të kërkojnë protestuesit këtu, sepse në qoftë se shkojmë me Ramën në zgjedhje nuk është se kemi ndryshuar gjë. Ai sërish ka këtë makineri.

Është i goditur, është i plagosur në këto momente, më i dobët se ç'ka qenë para disa muajsh apo qoftë edhe para një viti. Qoftë nga puna që ka bërë opozita shqiptare, Partia Demokratike me denoncimet jashtë, denoncimin e zgjedhjeve, situatën me krimin e organizuar, narkotrafikun dhe të gjithë betejat që ka bërë, qoftë nga protestat e javës së fundit. Por sërish është shumë e rëndësishme që në këtë moment që është rritur presioni i brendshëm, të kemi dhe kërkesa të qarta për atë që vjen pas.

Dorëheqja e Ramës, qeveri teknike kujdestare me bazë të gjerë, ta quajmë si të duam, lufta ndaj të gjithë këtyre elementëve jashtë politikës apo të jashtëligjshëm të cilët veprojnë në mënyrë që qytetarët shqiptarë të mund të shkojnë të votojnë të lirë dhe më pas të zgjedhin atë që ata kanë dëshirë për të bërë. Unë e kam thënë gjithmonë, për ta mbyllur, që këtij modeli që ka ngritur Rama, vetë atij si kryeministër i vjen fundi në qoftë se bëhen dy gjëra bashkë: rritet presioni ndërkombëtar dhe rritet presioni i brendshëm.

Presioni ndërkombëtar e kemi parë vitin e fundit se si është rritur për Ramën, qoftë me rezolutat që ju përmendët, qoftë me deklaratat e europarlamentarëve, qoftë me raportin e DASH-it, rezolutën që kaloi në Parlamentin Europian në Komisionin e Jashtëm, raportet e ndryshme të Departamentit të Shtetit dhe të tjerë forma presioni që ka pasur ai veçanërisht në muajt e fundit. Mungonte deri diku, sepse ishte vetëm Partia Demokratike dhe opozita që protestonin dhe mungonte niveli i duhur i presionit të brendshëm. Tani duket se po shkojmë në drejtimin e duhur edhe me rritjen e presionit të brendshëm. Ndaj në momentin që këto të dyja përputhen, presioni i brendshëm dhe i jashtëm, dhe krijohet kjo sinergji, çdo regjim bie.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco