Deputetja e PD-së Jorida Tabaku deklaron se PD mbështet kërkesat e protestuesve dhe shqetësimin legjitim të qytetarëve për mbrojtjen e pronës, pasurive kombëtare, mjedisit dhe trashëgimisë kulturore të vendit.
Në një postim në facebook ajo paralajmëron se se Partia Demokratike po përgatit padinë për ta dërguar Paketën e Maleve në Gjykatën Kushtetuese.
"Ne besojmë se ky ligj cenon interesa publike, të drejta kushtetuese dhe krijon një tjetër instrument në shërbim të një modeli zhvillimi që nuk respekton qytetarët dhe komunitetet lokale" tha Tabaku duke shtuar se PD mbështet kërkesat e protestës qytetare, përfshirë rishikimin dhe shfuqizimin e ligjeve që kanë mundësuar këto abuzime.
Sot beteja nuk është vetëm për Zvërnecin. Është një betejë më e madhe kundër një sistemi që po u merr shqiptarëve pronën, mundësitë dhe besimin tek e ardhmja.
Ky sistem duhet ndryshuar. Dhe kjo është një betejë që i përket çdo qytetari që beson tek një Shqipëri më e drejtë, më e lirë dhe më demokratike.
Nga Jorida Tabaku
Reagimi
Shqipëria sot është e mbushur me një revoltë të drejtë qytetare kundër një sistemi që për vite me radhë ka punuar për pakicën në kurriz të shumicës.
Në emër të Partisë Demokratike, mbështesim kërkesat e protestuesve dhe shqetësimin legjitim të qytetarëve për mbrojtjen e pronës, pasurive kombëtare, mjedisit dhe trashëgimisë kulturore të vendit.
Këto nuk janë çështje të reja për ne. Për vite me radhë kemi luftuar në Parlament kundër Ligjit të Investimeve Strategjike, një ligj që ka krijuar privilegje, ka cenuar të drejtën e pronës dhe ka prodhuar konflikte të shumta sociale e ligjore.
Kemi kundërshtuar ndryshimet në Ligjin për Zonat e Mbrojtura. Kemi kundërshtuar ndryshimet në Ligjin për Trashëgiminë Kulturore. Kemi ngritur shqetësimet tona në institucionet europiane dhe kemi paralajmëruar për pasojat që këto politika sjellin për të ardhmen e Shqipërisë.
Po ashtu, dua të bëj të ditur se Partia Demokratike po përgatit padinë për ta dërguar Paketën e Maleve në Gjykatën Kushtetuese. Ne besojmë se ky ligj cenon interesa publike, të drejta kushtetuese dhe krijon një tjetër instrument në shërbim të një modeli zhvillimi që nuk respekton qytetarët dhe komunitetet lokale.
Mbështesim kërkesat e protestës qytetare, përfshirë rishikimin dhe shfuqizimin e ligjeve që kanë mundësuar këto abuzime.
Nuk është rastësi që çështja e Zvërnecit ka tërhequr vëmendjen edhe në nivelet më të larta të Bashkimit Europian. Kjo tregon se problemi nuk është thjesht një projekt i izoluar, por një model qeverisjeje që ka ngritur pikëpyetje serioze mbi shtetin e së drejtës, mbrojtjen e pronës dhe transparencën.
Sot beteja nuk është vetëm për Zvërnecin. Është një betejë më e madhe kundër një sistemi që po u merr shqiptarëve pronën, mundësitë dhe besimin tek e ardhmja.
Ky sistem duhet ndryshuar. Dhe kjo është një betejë që i përket çdo qytetari që beson tek një Shqipëri më e drejtë, më e lirë dhe më demokratike.
© SYRI.net