Diaspora ngrihet kundër qeverisë, pamje nga tubimi në Firence, protestuesit: Rama ik, kriminel...

11:29, 06/06/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Vala e indinjatës qytetare kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama ka kapërcyer kufijtë e Shqipërisë, duke u shndërruar në një lëvizje ndërkombëtare që ka përfshirë diasporën.

Prej gjashtë ditësh, teksa sheshi "Skënderbej" në Tiranë nuk gjen qetësi, jehona e revoltës ka mbërritur në metropolet kryesore të Evropës, Amerikës së Veriut dhe më gjerë.

Qytete si Berlini, Stokholmi, Nju Jorku, Londra dhe Toronto janë bërë vatrat e një qëndrese të shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit. Pamjet e drejtpërdrejta nga Piazza della Signoria në Firence të Italisë, flasin vetë.

Dhjetëra shqiptarë, janë mbledhur në një zë të vetëm. Të shoqëruar nga fëmijë e familjarë, ata këndojnë himnin kombëtar dhe dëgjohen teksa thërrasin njëzëri thirrje si "Rama ik", "Kriminel" dhe "Shqipëria e shqiptarëve". Nuk ka ndarje, nuk ka dallime; i vetmi flamur që valëvitet është ai kuqezi. 

"Nuk mund të rrinim në shtëpi teksa shihnim bashkëkombësit tanë duke u tërhequr zvarrë vetëm sepse kërkojnë të mbrojnë shtëpitë dhe tokat e tyre," u shpreh një nga protestueset.

Ajo theksoi se kjo është një revoltë qytetare për të mbrojtur pasuritë natyrore të Shqipërisë nga korrupsioni dhe oligarkia, duke e cilësuar natyrën shqiptare si një "diamant të Evropës" që po shkatërrohet nga interesat personale të pushtetarëve.

Protestës në Firence i janë bashkuar edhe qytetarë italianë e amerikanë, si dhe shoqata të rëndësishme mjedisore si "Legambiente" dhe "Fridays for Future". 

Pas Firences, organizimet kanë vazhduar në Bolonja e Milano, ndërsa një peticion i diasporës po qarkullon masivisht.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco