Kush po e vë në rrezik investimin e Zvërnecit?

Kush po e vë në rrezik investimin e Zvërnecit?

19:56, 05/06/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Nga Grigel Muçollari

Edi Rama. Po, Edi Rama po e vë në rrezik me sjelljen e tij që prej ditës së parë. Kur u fol për këtë projekt, Kryeministri nuk bëri asgjë të ditur për qytetarët. Ai e trajtoi që në fillim si një punë që i takon atij. Dhe më e keqja, e paraqiti si triumf, si ngadhënjim ndaj kundërshtarëve, ndaj Opozitës, ndaj çdo qytetari. Ishte më shumë i interesuar të tregonte se po takonte, po drekonte e darkonte me njerëz të fuqishëm, me vajzën e Presidentit Trump, sesa të informonte konkretisht se për çfarë bëhej fjalë. Kishte një lloj euforie agresive për t’u thënë demokratëve se ai kishte në xhep lidhjen amerikane, për t’i thënë çdokujt se për çdo gjë të këtij vendi vendoste ai pa pyetur njeri. Donte të manifestonte se ishte në majë dhe se gjithë ne të tjerët ishim të parëndësishëm. Pra, ai e nisi këtë transformim të Zvërnecit si sfidë, si mposhtje në duel të armiqve.

Krejt ndryshe do të ishin punët sot, po të kishte ndjekur rrugën normale. Komunikim me qytetarët, konsultë me grupet e interesit, dëgjesa publike, transparencë me njerëzit në Vlorë e më gjerë. Mund të kishte debate e ndoshta kundërshti, por gjithsesi do të kishim kuptuar kritikat dhe mosdakordësitë, madje mund të kishte edhe një dakordësi të gjerë të opinionit publik.

Duke zgjedhur shtegun e kundërt, Edi Rama krijoi këtë tension që ka shpërthyer sot në shesh. Dhe tanimë, jo se është shtetar apo i përgjegjshëm, por nga frika se po i lëkundet pushteti, po rreket të informojë publikun gjerë e gjatë se si është çështja e Zvërnecit.

Kjo qasje prej autokrati, sikur çdo gjë e Republikës i takon atij, sikur ka të drejtën hyjnore mbi vendin, i dha tanimë pasojat.

Zemërimi është rritur nga dita në ditë edhe prej strategjisë që ndoqi duke damkosur protestuesit e duke parë tek ata agjenturë e armiq të progresit, pa folur për sjelljen shtazarake të rojeve të sigurisë apo rrethimin me tela me gjemba.

Zvërneci sot ka ngelur si simbolikë. Populli është kundër Edi Ramës që i trajton pasuritë e vendit si të ishin kopshti i tij në Surrel. Nuk janë as kundër Kushner, as kundër Ivankës.

Personalisht, kjo më krijon një trishtim jo të vogël. Është shans që përsëritet rrallë të vijë një investim i tillë në vend, me këta emra e me atë brand, patjetër duke pasur një projekt, një debat publik mbi çfarë përfitojmë dhe çfarë humbim, një studim mbi impaktin në mjedis, mbi të gjitha. Por ai që pati rastin ta konkretizojë e ta vërë në jetë, Kryeministri, bëri gjithçka për t’i djegur këto rrethana fatlume.

Kam qenë prezent për të disatën ditë rresht në protestë kundër Edi Ramës për shumë arsye dhe mbështes 100% pesë kërkesat, që në fakt janë beteja të opozitës që ditën që ato kanë ndodhur. Por mbi të gjitha mbështes rivendosjen e institucionit të protestës si instrument reagimi të shoqërisë ndaj çdo padrejtësie dhe abuzimi të pushtetit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco