Një valë e gjerë protestash ka përfshirë qytetet kryesore të Shqipërisë, me qytetarët që kërkojnë me ngulm dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Nga Tirana, në Elbasan, Durrës, Korçë e Vlorë, thirrjet "Rama ik" kanë jehuar njëzëri, të shoqëruara me disa kërkesa.
Ndërsa në shumë qytete tubimet janë zhvilluar pa incidente, në Vlorë situata ka marrë një kthesë të tensionuar. Një grup protestuesish, të cilët u shkëputën nga marshimi kryesor drejt Lungomares, janë përballur me një kordon të Forcave "Shqiponja".
Këto të fundit kanë bllokuar rrugëtimin e tyre, me synimin për të shmangur çdo përplasje të mundshme me një anti-miting që po zhvillohej nga Partia Socialiste në po të njëjtin qytet. Përballja u shndërrua në një debat të ashpër verbal mes qytetarëve dhe policisë. Qytetarët, të indinjuar nga pengimi i të drejtës së tyre për të protestuar të lirë, argumentuan se nuk po thyenin asnjë ligj.
Një protestes, gjatë debatit, i kujtoi policisë se protesta e qytetarëve në shesh është edhe për ta. Ai solli në vëmendje ngjarjen tragjike të një efektivi policie të vrarë vetëm një ditë më parë, duke theksuar se ndërkohë që qytetarët protestojnë në një ditë zie për policinë, ata që japin urdhrat nga lart vazhdojnë të festojnë të pashqetësuar.
Ndërkohë në 'Sheshin e Flamurit', Rama po ndan dekorata për 35-vjetorin e PS Vlorë.
© SYRI.net