Deputeti demokrat, Kliti Hoti, denoncoi në një konferencë për shtyp situatën dramatike të shëndetësisë në Shqipëri.
Duke treguar faktet tronditëse, Hoti tha se ky dështim mban vulën e Edi Ramës dhe qeverisë së tij.
DEKLARATA E PLOTË
Pak ditë më parë, Ministrja e Shëndetësisë shkarkoi në heshtje drejtuesen e QSUT-së. Si zakonisht, qeveria kërkoi një fajtor të radhës për të shpëtuar veten nga përgjegjësia.
Por problemi i shëndetësisë shqiptare nuk është një drejtor, një shef shërbimi apo një administrator. Problemi është një qeveri që, pas 13 vitesh në pushtet, vazhdon të prodhojë skandale, mungesa dhe dështime, ndërsa përpiqet t’i mbulojë ato me propagandë.
Por sot nuk jemi këtu për të komentuar lëvizjet e karrigeve në QSUT. Jemi këtu për të denoncuar me fakte se si, pas fasadës së “shëndetësisë falas”, pas miliardave të koncesioneve dhe pas deklaratave triumfaliste të ministres, fshihet një realitet dramatik për mijëra pacientë shqiptarë.
Sot do t’ju paraqesim disa nga provat më flagrante të këtij dështimi.
Së pari: krimi në Spitalin Onkologjik të QSUT-së
Në këtë moment që flasim, pajisja më jetike për pacientët me kancer — akseleratori i radioterapisë — është jashtë funksionit.
Për vite me radhë janë shpërdoruar miliarda lekë të taksapaguesve në tendera dhe projekte, ndërsa sot e vetmja qendër onkologjike publike në Shqipëri nuk u garanton dot rrezatimin pacientëve në luftën e tyre për jetën.
Për një pacient me sëmundje onkologjike, çdo ditë vonesë mund të jetë fatale. Por për këtë qeveri, jeta e tyre duket se vlen më pak se luksi i koncesioneve.
Së dyti: skandali i analizave që bllokohen pas datës 20
Çdo ditë marr mesazhe nga qytetarë që detyrohen t’u drejtohen laboratorëve privatë, sepse skandali i analizave që bllokohen pas datës 20 të çdo muaji vazhdon ende pa asnjë zgjidhje.
Pas vitesh mohimi dhe fshehjeje, vetë ministrja u detyrua të pranojë publikisht atë që ne dhe pacientët kemi denoncuar prej kohësh: në QSUT dhe në të gjithë Shqipërinë, kur vjen data 20 e muajit, buxheti i koncesionarit mbaron dhe analizat bllokohen, duke rrezikuar edhe rastet emergjente.
Kjo do të thotë se në Shqipëri numri i analizave nuk përcaktohet nga nevoja e pacientëve, por nga kufijtë financiarë të një kontrate koncesionare.
Dhe pyetja është e thjeshtë: kush e drejton shëndetësinë shqiptare? Mjekët dhe nevojat e pacientëve apo kontratat e koncesionarëve?
Janë paguar mbi 60% e një fondi prej 13 miliardë lekësh, por në fund shteti nuk e lëviz dot kufirin e vendosur nga privati. Pyetja është: ku po shkojnë këto para, kur rezultati për qytetarin është një sportel i mbyllur në fund të muajit, edhe sot që po flasim?
Koncesionari mbrohet. Kontrata e tij është e paprekshme. Ndërsa qytetari lihet të presë muajin tjetër ose detyrohet të paguajë nga xhepi në privat.
Si mund të flasë qeveria për shëndetësi falas, kur mijëra qytetarë detyrohen të paguajnë nga xhepi për analiza që duhet t’i merrnin në sistemin publik?
Më e rënda është se ky bllokim nuk kursen as rastet urgjente. Kur një sistem vendos kufij financiarë mbi nevojat mjekësore të pacientëve, kemi të bëjmë me një dështim të rëndë politik dhe moral.
Së treti: kardiologjia – koronarografia dhe mungesa e stenteve
Një tjetër linjë e parë e mbrojtjes së jetës po dështon në heshtje: kardiologjia invazive.
Vetëm pak ditë më parë, dy sallat e koronarografisë në QSUT nuk ishin funksionale. Flasim për procedurën që diagnostikon dhe trajton bllokimet e arterieve të zemrës, shpesh në momentet më kritike të jetës së një pacienti.
Kur këto salla dalin jashtë funksionit, pacientët me infarkt detyrohen të transferohen në spitale të tjera. Në këto raste, çdo minutë ka vlerë.
Por problemi nuk mbaron këtu. Në QSUT mungojnë edhe stentet, pajisjet që përdoren për të rihapur arteriet e bllokuara.
Çfarë vlere ka një sallë, një mjek dhe një diagnozë, nëse mungon mjeti që shpëton jetën e pacientit?
Ky është një zinxhir kujdesi i këputur pikërisht në hallkën e fundit dhe më kritike.
Së katërti: braktisja çnjerëzore e pacientëve me Leuçemi Mieloide Kronike
Sistemi jo vetëm që nuk ofron shërbimin e nevojshëm, por po i rrënon ekonomikisht familjet shqiptare.
Që prej datës 15 maj, 140 pacientë me këtë sëmundje të rëndë kanë mbetur pa linjën e parë të trajtimit, sepse spitali nuk e disponon atë.
Zgjidhja që u ofrohet? Të paguajnë 900 euro nga xhepi i tyre për alternativën e dytë.
900 euro në muaj për një familje shqiptare nuk janë thjesht një shifër; janë një dënim i dytë, një padrejtësi që tregon se ku përfundon propaganda e “shëndetësisë falas”.
Në asnjë vend normal pacientët nuk duhet të paguajnë për të mbijetuar.
Përfundim
Të nderuar qytetarë,
Shëndetësia nuk matet me udhëtimet që bën ministrja nëpër botë apo me postimet në Facebook.
Asnjë fotografi në rrjetet sociale nuk i vë në punë akseleratorët.
Asnjë konferencë shtypi nuk i zhbllokon analizat.
Asnjë sallë koronarografie nuk vihet në funksion me deklarata.
Dhe asnjë video promocionale nuk ua heq barrën prej 900 eurosh pacientëve me leucemi.
Ky sistem po humb mjekët, me mbi 600 profesionistë të larguar vetëm në tre vitet e fundit, sepse qeveria ka zgjedhur të investojë në beton, fasada dhe tendera klientelistë, duke harruar njerëzit.
Ky është realiteti me të cilin përballen çdo ditë qytetarët shqiptarë.
Sepse llogaridhënia institucionale nuk mund të zëvendësohet me propagandë.
Sepse sistemi shëndetësor nuk matet me numrin e konferencave dhe as me numrin e deklaratave publike.
Sistemi shëndetësor matet nga aftësia për të mbrojtur pacientin në momentin kur ai është më i pambrojtur.
Përgjegjësia për këtë dështim nuk është e një drejtori të shkarkuar.
Nuk është e një shefi shërbimi.
Është përgjegjësi politike dhe mban vulën e Edi Ramës dhe të qeverisë së tij.
Përballë kësaj përgjegjësie nuk mjaftojnë justifikimet.
Nuk mjafton propaganda.
Duhet përgjegjësi, transparencë dhe veprim.
© SYRI.net