‘Inxhinierë që s’dinë thyesat u besohen vepra publike’, Prifti: Në këtë 20-vjeçar kanë hyrë të paaftët në sistem...

09:26, 05/06/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Alarmante është gjendja e sistemit publik dhe profesional në vend, ku problemi nuk është më vetëm korrupsioni, por paaftësia ekstreme që ka kapluar çdo sektor.

I ftuar në ‘Kafe Shqeto’, pedagogu Rezart Prifti tregoj se në realitetin shqiptar shifrat janë përmbysur frikshëm, me 95% të sistemit që funksionon mbrapsht.

Sipas tij, gjithçka buron nga një sistem i ngritur në të kundërt të vlerave shoqërore dhe kundër atyre që vërtet prodhojnë vlerë. Profesionistët, theksoi pedagogu, siç janë mjekët me mbi një dekadë e gjysmë shkollim dhe specializim, përballen me paga që nuk mbulojnë as kostot bazë të jetesës, duke e kthyer ryshfetin në një mekanizëm të pashmangshëm mbijetese.

Por ajo që mbetet e frikshme për sistemin në tërësi, shton ndër të tjera Prifti, është cilësia e shërbimit: qytetarët nuk po përballen thjesht me pagesa nën dorë, por me individë të paaftë që shpesh përfundojnë duke u kthyer në rrezik serioz për jetën e pacientëve.

E njëjta logjikë abuzive shtrihet edhe te tenderët publikë, tha Prifti, ku skemat e prokurimeve janë mbizotëruar nga modele politike të cilat kanë lejuar krijimin e kompanive nga vetë zyrtarët për të përthithur fondet publike, një fenomen i njohur dhe i trashëguar ndër dekada në skenën politike.

Megjithatë, ajo që i kalon përmasat e vjedhjes financiare është rreziku fizik dhe strukturor që i kanoset shoqërisë.

Sistemi arsimor i njëzet viteve të fundit, tregon ndër të tjera pedagogu, ka prodhuar breza profesionistësh me mangësi skandaloze.

‘Është e paimagjinueshme që inxhinierë ndërtimi apo arkitektë, të cilëve u besohen vepra publike me jetëgjatësi qindra vjeçare, të mos dinë bazat elementare të matematikës, siç është gjetja e emëruesit të përbashkët të thyesave’, theksoi ndër të tjera ai.

Dikur në menaxhim, shkencat e menaxhimit, ka qenë ajo që quhej vendimmarrje racionale. Mirëpo pas shumë kohësh në këtë lëmi, u pa që kjo vendimmarrje racionale, pra ishte 100% e pastër, 100% e saktë, objektive e të tjera, nuk ekzistonte. Nuk ekzistonte. Po edhe kompanitë kur bënin projeksionet u dilnin gabim, ishte hyjnore. Kompanitë kur bënin projeksionet u dilte gabim, se marzhet plus minus dy aty bëjnë gafa të mëdha në kompanitë e mëdha. Njerëzit vinin re që nuk funksiononte kjo për të marrë vendimmarrje, qoftë për portofolin e investimeve, qoftë për hyrjen në punë, qoftë për intervistë... ore ose edhe për të bërë vendimmarrje shumë të thjeshta, cilën makinë të blej. Kjo nuk bënte kjo. Dhe u shpik nga shkencat menaxheriale ajo që quhet vendimmarrja e racionalitetit të kufizuar.

E thënë thjesht këtë, u pranua që njerëzit janë njerëz, nuk janë 100% perfekt. Edhe perëndia kur bëri dy njerëz nuk i bëri dy perfekt, dakord? Bëri një të mirë, një daulle. Ajo tjetra vajti këputi mollën, u zemërua perëndia e filloi gjithë historia, mbaroi puna, dakord? Dhe shkenca e pranoi këtë që njerëzit nuk janë perfekt. Që do të thotë që në gjithë botën ka një tolerancë, një marzh për këtë punë. Që do lyhet qifqia, dakord? Se s'mund ta hash të thatë atë, e kupton? Kështu që është një marzh që e njeh edhe shkencëtari i famshëm Pareto, efektiviteti i Paretos, që 80 me 20 e më poshtë. Pra mund të vësh 90 me 10, 95 me 5, po të vajti 80 me 20, kujdes se ruaj, ruaj!

Maksimumi 20%. Maksimumi që e lejon mekanizmi i gjithë botës, sepse njerëzit nuk janë perfekt. Janë emotivë, janë me shpirt, nuk janë të gjithë racionalë, e kupton? Dhe në këtë sens, vijmë tani në kontekstin tonë shqiptar. Se më duhej t'i thosha këto tre fjali se kam 14vjet që jap menaxhimin, e kupton? Konteksti shqiptar është e kundërta. Është 5% në rregull, 95% së prapthi. Dhe ky 95% na ka vënë para ne, e këtë 5% e nxjerrim çfarë të bëjmë. Dhe prapë vijmë në kontekstin shqiptar, unë e shoh korrupsionin si të justifikueshëm. Sepse është një mekanizëm që do mbajë të gjithë shoqërinë. Sepse sistemi i ndërtuar i vlerave shoqërore, shtetërore, kulturore në Shqipëri, është ndërtuar në të kundërt të atyre njerëzve që krijojnë dhe prodhojnë dhe shtojnë vlerë në Shqipëri. Dhe duke qenë se sistemi është ndërtuar në të kundërt të këtyre, atëherë do të funksionojë diçka që e korrigjon këtë sistemin.

Pra një doktor, tani mos bëhemi naiv kot, një doktor nuk mund të punojë pas 10 vjetësh shkollë, 16 vjetësh me specializime, të punojë me 900 mijë lekë apo me 1 milion lekë. Tani mos bëhemi hipokritë të gjithë këtu ku jemi. Nuk mund të punojë më, jo vetëm se nuk mund të punojë, po nuk i del as kostoja e investimit, as të bëjë kalamaj doktori, as të mbajë familjen, as të blejë makinë, as të shkojë me pushime, asnjë gjë më, zero. Kështu që të mos bëhemi hipokritë tani. Që ai doktori s'do ta marri 50 mijë lekëshin, a e ka hallall po të paktën ta bëjë mirë atë që bën. Sepse sot ne kemi arritur në pikën që, doktori që merr 50 mijë lekëshin nuk di çfarë bën, është kasap. Pra unë ia bëj hallall atij që mbaron punë, se do ta shoh më rrallë, e kupton logjikën?

Korrupsion është dhe kjo. Quaje si të duash tani ti këtu. Pazar, penxhere, oborr, kafe, çfarë të duash ti. Edhe puna e tenderit tani. Është e njëjta gjë mor zotëri. Dakord? Tani ti do të thuash, unë kam katër budallenj që janë për të bërë tenderin. Tani si ta zgjedh unë cilin budalla të jap? Po e di ç'ke? Në gjithë këtë inefiçencën e madhe që ka sistemi, po i them nja 10% mos ma jep ty, se s'ka ndryshuar ndonjë gjë ju fare. Në rregull. Është kaq e thjeshtë. Ky është tregu. Tani për të qenë luajal, ky nuk është model i qeverisë tani. Ka qenë model i politikës shqiptare që nga Fatos Nano. Tashi duhet të jemi luajal me njerëzit. Këtu do të dal, që krijon firmat e veta, bën maskarallëqe e fare. Drejtorat e veta, po më po, s'ka qenë budallenj ata po. Këta që janë sot kanë një problem të madh.

Që në 20 vjeçarin e fundit nuk është thjesht reflektimi i korrupsionit, se s'mund të më takonte ta them këtë se relativizoj pak a shumë problemin, por po ta them meqë jemi në këtë shtrat. Në 20 vjeçarin e fundit njerëzit thonë që janë bërë këto rrugë, u ngrit mali... nga korrupsioni. Korrupsion Shqipëria të keqen baba ka pasur të 30 vjetët në mënyrë të frikshme. Po sot që po flasim, po ndodhin thagma dhe gafa jo prej korrupsionit të thjeshtë. Por po ndodhin pse në 20 vjeçarin e fundit sistemi arsimor shqiptar ka nxjerrë spata, debila, psikopatë, ka nxjerrë të paaftë ekstrem. Mirë mua në menaxhim që më falet se llafe do vij të bëj ai te ty, apo se po gaboj do të kushtojë maksimumi një fushatë marketingu. Po nuk i falet konstruktorit të ndërtimit të mos dijë të bëjë emëruesin e përbashkët të thyesës! Dhe unë të vë dorën në zjarr sot, që ke konstruktor ndërtimi që nuk dinë të bëjnë emëruesin e përbashkët të thyesës.

Është baza e matematikës ajo, janë ca lëndë vëlla që është inxhinieri, arkitekti, ku di gjë unë, fizikanti e që duhet t'i kenë ca baza se mbajnë shoqërinë e burrë. Mban përgjegjësi për një urë, një përgjegjësi, të rrinë 200 vjet, 300 vjet. Pra në këtë 20 vjeçar kanë hyrë këta spatat në sistem. Dhe këta në të tyren, në rregull e bëjnë ore. Pra unë kur e shikoj një detyrë kursi të një studenti që është spatë, unë e shikoj që është i gëzuar ai, se e ka në rregull me veten. Ai nuk e beson kur i them unë që s'e ke në rregull. Pra, përpos korrupsionit, tani kanë hyrë në sistem këta. Është bërë shumë më dramatik dhe po bëhet në një pikë i pamenaxhueshëm, sepse kur i them atij që nuk është kështu, jo vetëm që nuk i mbushet mendja që nuk është ashtu, unë bëhem dhe rezil në atë formë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco