Diskutimet e fundit publike ngrenë një pikëpyetje alarmante mbi realitetin shqiptar: a është kthyer korrupsioni në një element gjenetik të pandashëm të shoqërisë? Analizat mbi këtë fenomen tregojnë se situata, ndonëse jo e parikuperueshme, kërkon një kohë të gjatë pjekurie për t'u ndryshuar.
Anëtari i kryesisë së Partisë Demokratike Grigels Muçollari ishte i ftuar në një intervistë në emisionin e mëngjesit “Kafe Shqeto” në Syri tv ai tha se, problematika thellohet kur korrupsioni kapërcen kufijtë e qeverisjes dhe kthehet në një normë të re morale për masën. Modelet e suksesit kanë pësuar një transformim të rrezikshëm, duke nxjerrë në pah si idhull njeriun që pasurohet shpejt dhe në mënyrë abuzive, i njohur rëndom në zhargon si modeli i "kopilit". Për shkak të korrupsionit të lartë në nivelet e larta drejtuese, ky model kanalizohet në çdo sektor të jetës së përditshme, tha Muçollari.
Një tjetër element që e përkeqëson gjendjen është relativizimi i vazhdueshëm i aferave përmes kanaleve të ndryshme publike. Përgjegjësia, qoftë ajo individuale apo sociale, është zhdukur tërësisht. Në një sistem me themele të forta morale, një zyrtar i lartë do të mbante përgjegjësi dhe do të jepte dorëheqjen thjesht për faktin se një vartës i tij është përfshirë në korrupsion, pavarësisht nëse kishte dijeni apo jo. Në Shqipëri, ky standard nuk ekziston dha përfaqësuesi i PD gjatë bisedës me moderatorin Flavio Qarri.
Flavio Qarri: Çështja që duhet të diskutojmë sot është, a është kjo e rekuperueshme fillimisht njëherë? Apo shoqëria jonë ka arritur në një fazë që është aq brenda gjenetikës sonë sa nuk do kemi mundësi kurrë të ndërtojmë një shtet që ta ulë normën e korrupsionit?
Grigels Muçollari: Në fakt e rekuperueshme nuk do të thoja që nuk është, po patjetër që do të donte, do të kishte nevojë për kohën e vet të pjekurisë, pasi mendoj që përtej konceptit të korrupsionit qeverisës, aq shumë është shtuar brenda shoqërisë, patjetër në modelin qeverisës, sa është bërë normë morale. Domethënë ne e kemi ndërruar, shoqëria jonë për fat të keq ka ndërruar modelet e suksesit dhe ka për model pikërisht njeriun i cili bën para në mënyrë të shpejtë, këtë kopilin...
Kështu që mendoj që sfidat janë të shoqërisë në fund të ditës dhe korrupsioni tani ka hyrë në disa, të themi, në disa rrugë, ku është kthyer në një sistem të plotë ku gjithsecili ndërton suksesin. Që do të thotë që për sa kohë ke një praktikë ku korrupsioni në nivelet e larta është aq i madh, aq i lartë, ai kthehet dhe kalon, kanalizohet në të gjitha sektorët. Dhe për sa kohë ke, të themi, kanale zyrtare dhe jozyrtare, të cilët e relativizojnë çështjen e korrupsionit, që do të thotë që sa herë ka korrupsion në nivelet e larta, çështja relativizohet dhe nuk ka përgjegjës...
Flavio Qarri: Këto të Ballukut që shkeli barazinë në tendera po s'kishte korrupsion.
Grigels Muçollari: Po pikërisht pra. Dhe nuk ka përgjegjës dhe nuk ka përgjegjësi, nuk merr njeri përgjegjësi as sociale, përgjegjësi individuale fare po fare. Atëherë shoqëria do s'do piqet me këto vlera dhe do të dojë kohë që të ndërrohen, të themi, vlerat apo parimet e shoqërisë apo pikërisht ky modeli i të suksesshmit. Kështu që besoj që është një sfidë për të gjithë shoqërinë dhe jo vetëm për partinë e ardhshme që do të vijë në qeverisje. Por patjetër që elementi bazë nga ku duhet të furnizohet, duhet të marrë vlerat e saj shoqëria është mënyra e qeverisjes, dhe më pas të gjitha elementet që shoqërojnë atë, që fshihet të themi shoqëria në vetvete, mediat e të gjitha konceptet. Që do të thotë, sa herë ka një ngjarje korruptive duhet që shoqëria të reagojë, që dikush të mbajë përgjegjësi.
Qoftë edhe nga padija, qoftë dhe nga mënyra se si ka vendosur një njeri, por domethënë i ndodhi gjatë mandatit të tij. Pavarësisht se të themi nuk është fiks përgjegjës apo ishte në padijeni. Ndërkohë që në Shqipëri s'është fare kështu. Por kështu ne mund të ndërtojmë vlera morale, që do të thotë që e bëjmë koshiente shoqërinë dhe ata pushtet ushtruesit që të jenë vigjilentë që po ndodhi kjo gjë, ti zotëri vetëm nga fakti që ke vendosur një njeri i cili për shkak të një afere korruptive u evidentua, ti duhet të japësh dorëheqjen nga përgjegjësia që ke që ke vendosur këtë njeri. Ky koncept është relativizuar, ka rënë, shoqëria ka filluar të përthithet pasi në fund të ditës kur shikojnë të gjithë që në nivelet e larta bëhet para, të gjithë do tentojnë të bëjnë të njëjtën gjë sepse kostot e jetesës rriten për të gjithë, të gjithë duan të jetojnë në fund të ditës.
Dhe njeriu është qenie individuale por dhe qenie shoqërore. Dhe do të marrë nga shoqëria pikërisht për të mbijetuar dhe për të jetuar në një shoqëri që ka ndërruar vlerat e saj morale. Kështu që mendoj që është sfidë e madhe për gjithë shoqërinë dhe për të gjithë faktorët dhe opinionbërësit, por edhe ligjvënësit për të ndryshuar normat morale të shoqërisë…
© SYRI.net