Kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu zhvilloi një vizitë disa ditore në Washington DC për të diskutuar sfidat e sigurisë dhe ndikimet gjeopolitike në Ballkan.
I shoqëruar edhe nga deputetë të IPAC (Aleanca Ndërparlamentare për Kinën), me mbështetjen e NED (National Endowment for Democracy), Mediu dha detaje nga takimi, ku i pari u zhvillua në Shtëpinë e Bardhë dhe në Këshillin e Sigurisë Kombëtare, ku u takuan me autoritete të larta të administratës amerikane.
Gjatë diskutimeve u theksua rëndësia strategjike e Ballkanit Perëndimor dhe nevoja për të forcuar rezistencën ndaj ndikimeve keqdashëse të Rusisë dhe Kinës, si dhe për të intensifikuar luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe trafikut të drogës.
Kina dhe Rusia, ndonëse ndjekin qasje të ndryshme, shpesh konvergojnë në objektivat e tyre strategjike në rajon.
Përpjekjet për të ngadalësuar proceset euro-atlantike, thekson Mediu, sikurse kundërshtimi i pavarësisë së Kosovës, nxitja e tensioneve rajonale dhe zgjerimi i ndikimit në sektorë strategjikë si energjia, teknologjia, infrastruktura kritike, mbrojtja dhe minierat mbeten shqetësime serioze për sigurinë dhe stabilitetin e Ballkanit.
Një moment veçanërisht emocionues ishte takimi në Shtëpinë e Bardhë me Klausin, një shqiptar me origjinë nga Korça, i cili emigroi në SHBA në moshën pesëvjeçare dhe sot shërben me sukses në strukturat e sigurisë përgjegjëse për mbrojtjen e Presidentit të Shteteve të Bashkuara. Një histori frymëzuese suksesi dhe krenarie për shqiptarët.
Vizita vazhdon me takime në Senat dhe Kongres për të diskutuar forcimin e bashkëpunimit strategjik mes SHBA-së dhe vendeve të Ballkanit.
© SYRI.net