Dy ditë para votimeve në Kosovë, Sadiku: Fushata aktuale po karakterizohet nga një gjuhë përçarëse…

Dy ditë para votimeve në Kosovë, Sadiku: Fushata aktuale po karakterizohet nga një gjuhë përçarëse…

10:48, 05/06/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Skena politike në Kosovë po shkon drejt një ngërçi të rrezikshëm dhe të paprecedentë, duke paralajmëruar një krizë të thellë të ngjashme me atë të vitit 2005 ku vendi shkonte në zgjedhje të njëpasnjëshme. Në një analizë të detajuar mbi zhvillimet e fundit, gazetari Kron Sadiku ka lëshuar akuza të forta si ndaj qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti, ashtu edhe ndaj opozitës, duke zbardhur strategjitë manipulative të të dyja palëve.

Gjatë një interviste me moderatorin Flavio Qarri në emisionin “Kafe Shqeto” në Syri tv, ai tha se fushata aktuale po karakterizohet nga një gjuhë përçarëse që po thellon ndasitë mes zonave rurale dhe atyre urbane, një taktikë kjo që historikisht i ka shërbyer vetëm interesave të jashtme kundër Kosovës. Në vend që të ofrojnë zgjidhje për qytetarët, forcat politike po përdorin skema për të etiketuar pa fakte kundërshtarët si "bashkëpunëtorë të Serbisë". Opozita akuzohet për mungesë totale të veprimit politik dhe paaftësi për të ndërtuar një narrativë që mbron të mirat e qytetarëve, duke u mjaftuar me mbijetesën politike. Nga ana tjetër, pushteti i Lëvizjes Vetëvendosje portretizohet si mjeshtër i narrativave, por krejtësisht i paaftë në shtetndërtim.

Flavio Qarri: Pyetja është e thjeshtë Kron, sondazhet a janë çikë më të besueshme në Kosovë për shkak se ka më pak manipulime elektorale, si të duken palët në këtë moment?

Kron Sadiku: Realisht të dy palët janë të humbura Flavio, duke marrë parasysh se kjo fushatë karakterizohet prej një gjuhe edhe prej një sjelljeje të paprecedentë prej të dy palëve. Është hera e parë që është synuar me një farë forme një përçarje e votuesit në Kosovë. Unë nuk e di realisht se kujt i ndihmon kjo. Gjithashtu ka qenë hera e parë e fraksionalizimit qytetar në mes të atyre katundarëve dhe qytetarëve, diçka që në të kaluarën në mënyrë të vazhdueshme e ka sponsorizuar dhe bërë Serbia. Pra, nuk e di kujt i konvenojnë disa ide të cilat një pushtet i kaluar i ka bërë për të na ndarë ne shqiptarëve në Kosovë. Ky nuk është një moment i ndarjes, të cilin këta po e inskenojnë sepse në fund të fundit këtu nuk po vihet të bëhet një kryeministër serb apo një grek, po do të jetë shqiptar edhe ai tjetri.

Sa i përket balancave që ishte edhe pyetja tjetër, unë mendoj se opozita në Kosovë ka bërë pak për me shkaktu ndonjë stres për pozitën gjatë këtyre zgjedhjeve. Me gjithë afrimin e Vjosa Osmanit, unë mendoj që opozita nuk ka ditur me marrë rolin e saj, me aksione politike, me bashkëveprim me qytetarin, në aksione politike për të mirat e qytetarit, po flas për të mirat konkrete direkte të prekshme për ta sepse ato edhe bëjnë votën. Këto gjëra kanë munguar edhe si pasojë e kësaj gjendjeje edhe normalisht sjelljes së analistëve nëpër studio kundrejt një subjekti ka bërë që mendimi përgjithësisht politik në Kosovë të jetë stabil në kuadër të asaj se qysh ka qenë pra. Ndër kalim mundet me ndryshu 3-4%, kështu që rrjedhimisht mundet me u dobësu pak Lëvizja Vetëvendosje, po jo mjaftueshëm sa për të ndryshuar realitetin politik në vendin tonë me këto zgjedhje të cilat do t'i kemi të djelën.

Flavio Qarri: Ndërkohë, qytetarët duket se janë paksa të lodhur besoj edhe nga një palë zgjedhje çdo 6 muaj i bie. A mendoni se do të kemi një konfigurim të ri apo një krizë që do të vazhdojë edhe pas zgjedhjeve në Kosovë?

Kron Sadiku: Jo, unë pres Kosova me u kthy në një lloj Greqie të vitit 2005 nëse nuk gabohem, kur ishin 8 palë zgjedhje nëse s'gabohem brenda vitit, kështu që edhe një adresim i Albin Kurtit të tregon atë se Kosova po përgatitet për një palë zgjedhje të reja, sepse ai thotë tekstualisht: po shkojmë në zgjedhje për të shkuar më pas edhe në një palë zgjedhje.

Këtu i kanë fajet të dy palët për narrativat qysh po ndërtohet se kush është fajtori dhe fakti që këtu luftohet me tregu kush është fajtori, jo kush ka punuar. Pra, opozita nuk merret me i kqyr cilat projekte i ka bërë Albin Kurti prej fillimit deri në fund, cilat janë të mirat dhe përfitimet që i kemi pasur për qeverinë Kurti, po thotë Kurti është me serbët. Tash, cili njeri normal beson që Edi Rama, Kurti, Hashim Thaçi, Kadri Veseli këta janë me serbët? Të paktën pa e pasur një gjë të faktuar. E këto sulme pa lidhje politike të këtij niveli thjesht po angazhojnë më shumë aktivistin e Vetëvendosjes edhe normalisht po e ftohin popullin normal të Kosovës të cilët po e shohin se e kemi një opozitë që s'di me ndërtu narrativë po di me ndërtu pushtet, apo shtet. Në anën tjetër e kemi edhe një pozitë e cila di me ndërtu narrativë, po nuk di me ndërtu shtet...

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco