SYRI TV/ GJK mbron Ramën për Mcgonigal, rrëzon kërkesën e PD për hetimin

21:39, 01/06/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Gjykata Kushtetuese ka dalë në krah të shefit të qeverisë, Edi Rama, duke refuzuar hetimin parlamentar për aferat me ish-drejtuesin e lartë të FBI-së, Charles McGonigal. Nga ana tjetër, kjo gjykatë ka pranuar kërkesën e Partisë Demokratike për ngritjen e komisionit hetimor lidhur me zgjedhjet e 11 majit. Krei i grupit demokrat, Gazment Bardhi, akuzoi Gjykatën Kushtetuese se po bën politikë dhe jo drejtësi.

Gjykata Kushtetuese ka marrë në mbrojtje Kryeministrin Edi Rama, duke rrëzuar kërkesën e opozitës për hetimin parlamentar të aferës me ish-agjentin e FBI-së, Charles McGonigal. Opozita iu drejtua Kushtetueses pasi mazhoranca socialiste në Kuvend refuzoi ngritjen e komisionit hetimor për verifikimin e ligjshmërisë së veprimeve të zyrtarëve shqiptarë në raport me ish-agjentin special të FBI-së, Charles McGonigal, por kërkesa e Partisë Demokratike u rrëzua nga gjykata kryesore e vendit.

Kjo kërkesë nuk duhet pranuar, pasi nuk plotëson kriteret kushtetuese për ngritjen e këtij komisioni hetimor. Gjykata nuk arriti shumicën e kërkuar nga ligji për të vlerësuar kriterin kushtetues “çështje e veçantë”, të lidhur edhe me ekzistencën e indicieve të qarta, për shkak të qasjeve të ndryshme në arsyetim, sipas të cilave ky komision nuk duhej ngritur për shkaqe që lidhen me indiciet apo parimin e ndarjes së pushteteve. Për rrjedhojë, ky kërkim, bazuar në nenin 73, pika 4, të Ligjit Organik të Gjykatës, konsiderohet i rrëzuar.

Nga ana tjetër, Gjykata Kushtetuese ka pranuar kërkesën e Partisë Demokratike për ngritjen e komisionit hetimor lidhur me zgjedhjet e 11 majit. Ndaj kësaj linje të ndjekur nga Gjykata Kushtetuese ka reaguar kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, sipas të cilit vendimi pro një komisioni dhe kundër një tjetri nuk është drejtësi, por është politikë.

“1 po, 1 jo, është politikë, jo drejtësi kushtetuese!”

Vendimi i sotëm i Gjykatës Kushtetuese për pranimin e kërkesës për ngritjen e Komisionit Hetimor të Kuvendit për zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025, kurse rrëzimin e kërkesës për ngritjen e Komisionit Hetimor të Kuvendit për aferën korruptive McGonigal, është dëshmi flagrante e presionit politik ndaj kësaj Gjykate.

Si mund të thuhet që kërkesës i mungonin indiciet për ta konsideruar çështje të veçantë, ndërkohë që ajo është e bazuar në 7 dokumente zyrtare të drejtësisë amerikane, arbitrazhit ndërkombëtar dhe drejtësisë shqiptare? Vetëm një gjykatë nën presion politik mund ta thotë këtë. Aq më tepër që kjo vendoset 4 me 4, dhe për këtë shkak rrëzohet pa vendim, njësoj si afera tjetër personale e Edi Ramës për çështjen ‘Beçhetti’.

Por pavarësisht kësaj, e mirëkuptoj Gjykatën Kushtetuese lidhur me vendimin e sotëm. Fundja, afera ‘McGonigal’ është funerali politik i Edi Ramës, dhe Gjykata jonë Kushtetuese kurrësesi nuk do mund të kishte guximin profesional për ta organizuar atë, njësoj si kolegët e tyre në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, që prej 3.5 vitesh mbajnë në sirtar procedimin penal nr. 22, të vitit 2023.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco