Protesta pro-familjes/ Kondakçiu: Qeveria po përdor fëmijët për axhenda ideologjike

18:45, 01/06/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Imami Sokol Kondakçiu, në fjalën e tij në protestën për mbrojtjen e familjes dhe fëmijëve, ngriti shqetësime të forta për politikat që lidhen me çështjet gjinore dhe ndikimin e tyre në institucionin e familjes.

 Ai u shpreh kundër ndërhyrjeve hormonale tek të miturit, duke theksuar se identiteti i fëmijëve nuk duhet të preket në një moshë të hershme dhe se prindërit duhet të kenë të drejtën vendimmarrëse mbi ta.

Kondakçiu kritikoi gjithashtu qeverinë për fokusin e saj, duke pretenduar se në një vend me probleme të theksuara sociale dhe ekonomike, vëmendja po devijohet drejt axhendave ideologjike të importuara, ndërsa në përfundim përcolli edhe një mesazh të fortë politik lidhur me zhvillimet në Zvërnec dhe raportin mes shtetit, qytetarëve dhe pushtetit.

Pjesë nga deklarata:

Atë që ne e konsiderojmë si themelin e jetës, familjes dhe të ardhmes së kombit tonë. Ne besojmë se Zoti e krijoi njeriun në urtësi, me një qëllim të vetëm. Në librat e shenjtë thuhet se ne e krijuam njeriun nga një mashkull dhe nga një femër. Dhe ky krijim hyjnor ka garantuar vazhdimësinë e jetës njerëzore. Dhe kjo nuk është vetëm një e vërtetë fetare, por një realitet biologjik, mbi të cilin është ndërtuar ekzistenca e njerëzimit në shekuj.

Sot shqetësimi ynë lidhet me përpjekjet për të normalizuar ndërhyrje të thella hormonale tek të rinjtë dhe madje tek të miturit, në një moshë ku identiteti dhe karakteri i tyre ende nuk janë formësuar. Ne besojmë se fëmijët kanë nevojë për mbrojtje. Kanë nevojë për udhëzim, për mbështetje. Kanë nevojë për mbështetje psikologjike, kanë nevojë për dashuri prindërore. Dhe nuk kanë nevojë për vendime të pakthyeshme dhe zullumqare, të cilat do të ndikojnë tragjikisht në gjithë jetën e tyre.

Ne ngremë zërin për të drejtën e prindërve që të dëgjohen. Ngremë zërin për transparencë në politikat publike. Ngremë zërin për përdorimin e papërgjegjshëm të taksave të taksapaguesve shqiptarë. Si ka mundësi që një vend me një varfëri të konsiderueshme, vendi më i varfër në Europë, që në vend që të merret – pra qeveria e atij vendi të merret – me familjet e varfra dhe t’u vijë atyre në ndihmë, sepse nuk e kalojnë dot muajin pa marrë borxhe ose pa shënuar emrin në listat e marketeve… Si ka mundësi që qeveria të merret me diçka që, në botën e Perëndimit, paçka se ne e quajmë një devijim moral, atje është diçka e luksit? Perëndimi tashmë i ka tejkaluar problemet që ka Shqipëria. Ndërkohë që qeveria shqiptare zgjedh të merret me gjërat e luksit, të devijimit moral, ndërkohë që të varfrit, të cilët vuajnë dhe me të cilët duhet të merret më së shumti qeveria, i lë në harresë. Thua se i kemi tejkaluar të gjitha problemet që kemi me varfërinë.

Të nderuar qytetarë, një shoqëri që e humbet besimin tek natyra njerëzore, tek familja dhe tek roli i prindërve, rrezikon të humbasë orientimin e saj. Ne besojmë se fëmijët nuk duhet të bëhen objekt i eksperimenteve biologjike apo ideologjike, apo i trendeve që vijnë dhe ikin, dhe politikave hibride, majtiste, që na vijnë të importuara nga jashtë, për të cilat nuk kemi nevojë.

Sot nuk jemi këtu kundër njerëzve, kundër dikujt me emër personal. I respektojmë të gjithë njerëzit. Por sot kemi ardhur për të mbrojtur një vizion të shoqërisë që e konsiderojmë të drejtë, të shëndetshme, në përputhje me vlerat tona familjare, kulturore dhe fetare.

Në këtë ditë, fëmijëve le t’u premtojmë të gjithë se do të jemi zëri i tyre, kur ata nuk kanë mundësi të flasin dhe të reagojnë. Sepse ashtu është realiteti i tyre. Të mbrojmë të drejtat e tyre që ata të rriten të sigurt. Të mbrojmë… të ruajmë familjen, sepse kur familja është e fortë, atdheu dhe kombi janë të fortë.

Një fjalë për Zvërnecin, në respekt të atyre që u mblodhën, sepse është një kauzë e rëndësishme. Respekt maksimal për vlonjatët dhe atë popull, të cilët gëzojnë nderin e ngritjes së flamurit në Vlorë dhe, para kësaj, luftën e Vlorës, nga një popull trim dhe patriot. Të cilët, nëse i prek dhe i ngacmon, dhe zgjohet bisha brenda tyre, nuk do të ketë qeveri, as oligark dhe as të fortë me pushtet, brenda dhe jashtë vendit, që do të ketë mundësi të përballet me zemërimin e tyre dhe tonin bashkë.

Ju faleminderit!

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco