VIDEO/ Këlliçi: PD sot shihet si alternativë qeverisëse, jo si problem. Ndërkombëtarë të shumtë përshëndetën Kuvendin

21:22, 30/05/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

 

Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, i ftuar në emisionin ‘Edicioni Ora 19’ me Armela Ferkon në SYRI TV, deklaroi se Partia Demokratike ka hyrë në një fazë të re politike, duke kaluar nga rezistenca dhe qëndresa drejt alternativës qeverisëse dhe modernizimit.

Këlliçi u ndal te ndryshimi që, sipas tij, ka pësuar pozicioni i PD-së në raport me partnerët ndërkombëtarë, duke kujtuar se katër vite e gjysmë pas Kuvendit të 11 dhjetorit 2021, Kuvendi Kombëtar i demokratëve u hap nga Bob McEwen, të cilin e cilësoi si një mik të vjetër të Shqipërisë, të Partisë Demokratike dhe të Sali Berisha.

Sipas tij, Partia Demokratike nuk shihet më nga ndërkombëtarët si problem, por si zgjidhje dhe alternativë qeverisëse për Shqipërinë.

Deputeti demokrat theksoi se denoncimet e vazhdueshme të opozitës për korrupsionin, krimin dhe manipulimin e votës kanë ndikuar në evidentimin e problematikave të qeverisjes shqiptare edhe në raportet ndërkombëtare.

Këlliçi vuri në dukje edhe mbështetjen e figurave të rëndësishme politike ndërkombëtare për PD-në, duke përmendur përfaqësues të CDU, drejtues të Konrad Adenauer Stiftung, si dhe personalitete si Stephen Harper dhe Andrés Pastrana.

‘Katër vite e gjysmë pas atij Kuvendi, pra të 11 dhjetorit të vitit 2021, Kuvendin tonë e hapi një ish-kongresmen, këshilltari i zëvendëspresidentit aktual J.D. Vance, Bob McEwen, një ndër zërat më të fortë të Kongresit Amerikan për dekada me radhë.

Vizitën e parë e ka bërë pikërisht më 20 shkurt të vitit 1991 në Shqipëri dhe është një mik i Partisë Demokratike dhe i Sali Berishës për më shumë se tre dekada e gjysmë.

Pra, jemi në dy botë krejt të kundërta dhe në një realitet krejt ndryshe sot, në vitin 2026.

Mos harroni se ato dy kuvende të dhjetorit të vitit 2021 dhe të prillit të vitit 2022 shërbyen për të shpëtuar vendin tonë nga një skenar i errët, skenari i të lënit pa opozitë ose, në rastin më të mirë, me një opozitë të pilotuar, të marrë peng, me një opozitë të kontrollueshme, pa nerv, pa gjak, të padëmshme.

Pra, ky ka qenë plani që ishte hedhur në tryezë për vendin tonë dhe i cili u pengua falë qëndresës së demokratëve në vitin 2021.

Sot, në maj të vitit 2026, Kuvendi ynë Kombëtar nuk rrezaton më vetëm qëndresë dhe përballje, por rrezaton diçka krejt ndryshe. Rrezaton alternativën, rrezaton ripërtëritjen, rrezaton modernizimin dhe hapjen e partisë.

Dhe këto janë lajme të mira jo vetëm për Partinë Demokratike.

Këto janë lajme të mira për qytetarët shqiptarë, sepse opozita e vetme në këtë vend, alternativa e vetme në këtë vend, që është Partia Demokratike, sot është një alternativë qeverisëse dhe e përgatitur për të marrë nesër në dorë frerët e drejtimit të vendit.

Sot nuk shihet më opozita dhe Partia Demokratike si problemi që është parë deri pak më parë nga ndërkombëtarët. Por sot shihet si alternativa dhe zgjidhja, dhe si e vetmja forcë që i ka çjerrë maskën propagandës së qeverisë së Ramës.

Është për shkak të denoncimeve, për shkak të ngritjes së zërit, për shkak të betejës për votën e lirë, për shkak të betejës kundër krimit dhe korrupsionit, për shkak të denoncimit të aferave korruptive që ka bërë Partia Demokratike, që sot ato 32 kushtet shtesë, edhe në raportin e fundit të IBAR-it, që i janë vënë qeverisë shqiptare për të përmbyllur negociatat dhe për të filluar mbylljen e grup-kapitujve në procesin e integrimit, janë aty, sepse ndryshe nuk do të ishin.

Sepse ndryshe do të vijonim të kishim një qeverisje fasadë, një raportim fasadë për situatën reale të politikës në vendin tonë dhe qytetarët, por edhe ndërkombëtarët, nuk do ta dinin realitetin në Shqipëri.

Ndaj, gjithë kjo betejë sot ka mbyllur siparin e qëndresës dhe të rezistencës dhe ka hapur një sipar tjetër, atë të alternativës dhe të modernizimit të kësaj partie politike.

Ju e keni dëgjuar sot në fjalën e pothuajse çdo folësi, duke nisur nga ndërkombëtarët që kanë dhënë mesazhe shumë të forta mbështetjeje për Partinë Demokratike, duke nisur nga zoti Bob McEwen, si ish-kongresmen dhe si këshilltar aktual për besimin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për zëvendëspresidentin J.D. Vance.

Nga përfaqësuesit e lartë të CDU-së gjermane, duke nisur nga ish-deputetë, duke vazhduar te deputetë aktualë, apo te drejtori i Fondacionit Konrad Adenauer Stiftung, fondacioni më i rëndësishëm politik në Europë i qendrës së djathtë.

Për të vazhduar te kryeministri kroat, i një vendi anëtar të Bashkimit Europian, vendi i fundit, në fakt, i anëtarësuar në Bashkimin Europian, para rreth 14 vitesh.

Dhe te një sërë personalitetesh të kalibrit shumë të lartë politik dhe të diplomacisë botërore, duke vazhduar me Stephen Harper, presidentin e IDU-së, ish-kryeministrin e Kanadasë, organizata dhe unioni më i madh botëror i partive politike të djathta.

Tek Andres Pastrana, ish-presidenti i Kolumbisë, kryetari aktual i centristëve demokratë, organizata më e madhe në botë e qendrës së djathtë, në të cilën zoti Berisha është zgjedhur pak muaj më parë në samitin e Brazilit, në Sao Paulo.

Unë kam pasur mundësinë të jem me të dhe me zonjën Vokshi në atë samit. Ai është zgjedhur zëvendëspresident i kësaj organizate botërore. Po e them edhe një herë: IDC-CDI është organizata më e madhe botërore e qendrës së djathtë.

Për të vazhduar me mesazhet që keni dëgjuar nga deputetë të Kuvendit Helen, në emër të Kyriakos Mitsotakis, kryeministrit grek, si dhe me fjalën e miqve dhe fqinjëve tanë nga Maqedonia e Veriut. Ka ardhur sekretari i përgjithshëm i VMRO-DPMNE-së me një fjalim shumë simbolik.

Në kulmin e debatit për përdorimin e gjuhës shqipe dhe simboleve shqiptare në fqinjin tonë, Maqedoninë e Veriut, përfaqësuesi i Mickoskit, i kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, ka ardhur në Tiranë, në Kuvendin e Partisë Demokratike, dhe ka folur shqip.

Dhe i është drejtuar jo vetëm delegatëve, por të gjithë qytetarëve shqiptarë.

Kështu që janë të gjitha këto simbolika, të gjitha këto mesazhe, të gjitha këto qëndrime të prera të politikanëve europianë, amerikanë dhe botërorë, të cilat vijnë në sinkron me orientimin euroatlantik që ka pasur përherë PD-ja, që ka pasur Partia Demokratike dhe që sot ne kemi prezantuar’, tha Belind Këlliçi në SYRI TV.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco