Deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, në fjalën e mbajtur në Kuvendin e Ripërtëritjes, akuzoi qeverinë për dështime të rënda ekonomike, korrupsion dhe bashkëpunim me krimin e organizuar, duke theksuar se pasojat më të mëdha i ka vuajtur rinia shqiptare.
Sipas tij, pastrimi i parave në sektorin e ndërtimit ka sjellë rritje artificiale të çmimeve të banesave, duke e bërë të pamundur për shumë të rinj blerjen e një apartamenti.
Balliu deklaroi se Shqipëria po përballet me një regjim që ka kapur institucionet, ndërsa e cilësoi protestën si të vetmin institucion të lirë në vend.
Ai bëri thirrje për mobilizim qytetar dhe aksion opozitar, duke premtuar se një qeveri e Partisë Demokratike do të konfiskojë pasuritë e përfituara nga korrupsioni dhe krimi i organizuar, me qëllim kthimin e tyre në shërbim të qytetarëve shqiptarë.
Balliu: Përshëndetje të nderuar demokratë, të nderuar qytetarë që na ndiqni. Ky kuvend kombëtar nuk vjen sot si një formalitet politik, po vjen si nevojë jetike për të ngritur një frymë shprese, për të ngritur një aksion përballë një të keqeje të madhe e cila ka masakruar ekonominë, ka masakruar shoqërinë, por mbi të gjitha ka goditur rininë, ka goditur brezin e ri. Falë 14 viteve të kësaj qeverie dhe bashkëpunimit me krimin e organizuar dhe me pastrimin e parave të drogës në ndërtim, në sektorin e ndërtimit, për herë të parë në rajonin tonë u krijua, u themelua brezi fashfiq. Sot të rinjtë shqiptarë janë ata të cilët nuk mund të blejnë dot një apartament, sepse çmimet e tyre janë rritur fiktivisht nga pastrimi i parave të drogës, por dhe i parave të korrupsionit pikërisht në atë sektor. Sot për shkak të aferave korruptive janë krijuar gropat në buxhetin e shtetit që nuk lejojnë t'u shërbesh qytetarëve, që nuk lejojnë rritjen e pensioneve, që nuk lejojnë rritjen e rrogave. Por çfarë ndodh? Rriten vetëm çmimet. Rriten vetëm çmimet për qytetarët më të varfër të Evropës, ndërkohë që ky vend, vendi ynë që ka qytetarët më të varfër të Evropës ka njëkohësisht dhe pushtetarët më të pasur të botës. Kryeministri ynë është i vetmi kryeministër në rajon me charter privat. Kryeministri ynë është i vetmi kryeministër në Evropë me 6000 metra katrorë pronë banese. Kryeministri ynë është i vetmi kryeministër në Evropë që vetëm një ballkon në kryeministri i kushton 4 milionë euro. Kryeministri ynë dhe qeveria jonë është e vetmja qeveri në Evropë që përdor 450 milionë euro për inceneratorë që nuk ekzistojnë e qindra e qindra miliona e miliarda euro të tjera të taksapaguesve shqiptarë për afera korruptive që sot nuk janë askund, por vetëm kanë shkatërruar ekonominë e vendit. Në këtë situatë alarmante, ky kuvend na thërret që ne të nisemi përpara një aksioni politik, opozitar, ballor dhe frontal. Fatkeqësisht, prej kohësh në Shqipëri institucionet janë kapur të gjitha, qoftë sistemi i drejtësisë, qoftë media, çdo institucion, qoftë organizatat apo ato që hiqen si shoqëri civile, të gjitha janë kapur nga narkopushteti i Edi Ramës. I vetmi institucion i lirë, i vetmi institucion i pakapur është institucioni i protestës. Ndaj dhe ne duhet të bëjmë gjithçka për t'u bashkuar me çdo qytetar, me çdo njeri që kërkon liri, me çdo njeri që kërkon Shqipërinë në protesta madhështore, në protesta ballore dhe frontale kundër një regjimi që nuk njeh as zgjedhje të lira e të ndershme, që nuk njeh asnjë proces demokratik, por në fakt është armiku i çdo procesi demokratik në Shqipëri. Ndaj sot më shumë se kurrë, ky kuvend ka një rëndësi jetike dhe historike. Dhe pa diskutim, njësoj siç Partia Demokratike ka triumfuar mbi të keqen më parë, do të triumfojë përsëri, bashkë me delegatët, bashkë me strukturat e Partisë Demokratike, me anëtarët e Partisë Demokratike dhe me çdo qytetar shqiptar në aksionin tonë të ardhshëm, ne të gjithë bashkë do të arrijmë të fitojmë dhe të largojmë njëherë e mirë të keqen e madhe të Shqipërisë që e ka emrin Edi Rama. Nuk ka diskutim që për çdo qytetar që na ndjek, Partia Demokratike vjen sot jo vetëm si alternativa e vetme e një opozite të vërtetë, por vjen edhe me alternativën për zgjidhjet e problemeve që ka shkaktuar Edi Rama. Paratë të cilat i janë vjedhur qytetarëve shqiptarë, paratë e krimit të organizuar me Partinë Demokratike në pushtet të gjitha do të konfiskohen dhe do t'u kthehen qytetarëve, do t'i kthehen Shqipërisë. Vazhdojmë përpara, bashkë do t'ia dalim, fitore. Faleminderit.
© SYRI.net