Deputeti i PD Besart Xhaferri, në Kuvendin Kombëtar të Partisë Demokratike, u shpreh se Shqipëria ka nevojë urgjente për rotacion politik dhe se koha e pushtetit të përjetshëm duhet të marrë fund.
Ai theksoi se mungesa e rotacionit ka deformuar demokracinë, duke dobësuar institucionet dhe duke larguar besimin e qytetarëve.
Xhaferri gjithashtu tha se Partia Demokratike ka bërë gabime në të shkuarën, përfshirë përçarjet e brendshme dhe distancimin nga qytetarët.
Sipas tij, ky Kuvend duhet të shënojë një kthesë drejt bashkimit, përgjegjësisë dhe ndërtimit të një alternative qeverisëse. Ai nënvizoi se qëllimi mbetet rikthimi i besimit dhe i rotacionit politik në Shqipëri.
Fjala e plotë:
Fjala e deputetit Besart Xhaferri në Kuvendin Kombëtar
Të nderuar delegatë, të dashur demokratë, të dashur shqiptarë!
Ka momente në historinë politike të një force kur duhen më shumë se fjalët. Duhet ndershmëri, reflektim dhe guxim për të parë të vërtetën në sy.
E vërteta është se ne kemi humbur shumë: kemi humbur zgjedhje, kohë dhe besim. Kemi parë demokratë të zhgënjyer, njerëz të largohen dhe të rinj që ikin nga Shqipëria me bindjen se asgjë nuk ndryshon më.
Plaga më e madhe nuk është vetëm për Partinë Demokratike, por për Shqipërinë. Kur mungon rotacioni për një kohë të gjatë, fillon deformimi i demokracisë. Pushteti pushon së dhëni llogari, shteti fillon t’i ngjajë pronës private të një grupi njerëzish, institucionet dobësohen, frika zëvendëson meritën dhe propaganda zëvendëson të vërtetën. Gradualisht krijohet bindja se ndryshimi është i pamundur.
Kjo është humbja më e rrezikshme, sepse demokracia dëmtohet jo vetëm kur kufizohet fjala, por edhe kur qytetarët humbasin besimin se fjala e tyre ka peshë.
Sot Shqipëria po përballet me lodhjen e një pushteti që kërkon të zgjasë pafundësisht, duke ndikuar në ekonomi, administratë, media dhe shpresën e qytetarëve.
Megjithatë, duhet të pranojmë edhe përgjegjësinë tonë. Edhe ne kemi gabuar. Kemi humbur kohë në përçarje, kemi shpenzuar energji në konflikte të brendshme dhe kemi qenë shpesh të shkëputur nga problemet reale të qytetarëve.
Sot qytetarët nuk kërkojnë përsosmëri, por pjekuri dhe përgjegjësi. Ata kërkojnë të shohin një forcë politike që ka reflektuar dhe që është e gatshme të ndryshojë.
Ky Kuvend duhet të shërbejë si moment kthese për Partinë Demokratike, nga përçarja te bashkimi, nga zemërimi te përgjegjësia dhe nga opozita te alternativa qeverisëse.
Kjo nuk është vetëm një betejë politike për pushtet, por një betejë për funksionimin e demokracisë në Shqipëri. Ajo lidhet me familjet që përballen me vështirësi ekonomike, me pensionistët, me sipërmarrësit, me studentët dhe me çdo qytetar që ndjen mungesën e perspektivës.
Shqipëria ka nevojë për rotacion politik, jo si interes partie, por si nevojë demokratike. Asnjë pushtet nuk duhet të zgjasë aq shumë sa të shuajë shpresën e qytetarëve dhe asnjë qeveri nuk duhet të jetë më e fortë se vetë demokracia.
Ne duhet të dalim para qytetarëve me përgjegjësi dhe vendosmëri, duke pranuar gabimet, duke treguar ndryshimin dhe duke u angazhuar për të ardhmen.
Qëllimi ynë është i qartë: rikthimi i besimit, rikthimi i rotacionit dhe rikthimi i Shqipërisë te qytetarët e saj.
Faleminderit!
© SYRI.net