Reforma territoriale/ Julian Ali: Qytetarët janë pro shtimit të bashkive

Reforma territoriale/ Julian Ali: Qytetarët janë pro shtimit të bashkive

11:38, 18/05/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Julian Ali, nga Departamenti “Brain Gain” i Partisë Demokratike, i ftuar ditën e sotme në emisionin “Kafe Shqeto” në Syri TV, ka komentuar procesin e dëgjesave për reformën territoriale, duke theksuar se qytetarët në shumicë janë pro decentralizimit dhe shtimit të kompetencave të bashkive.

Sipas tij, në të gjitha dëgjesat e zhvilluara deri më tani në disa qarqe të vendit, qytetarët, pavarësisht bindjeve politike, kanë mbështetur idenë e rritjes së numrit të bashkive dhe fuqizimit të pushtetit vendor.

Ali u shpreh se kjo qasje duket e papranueshme për mazhorancën, e cila nuk është mësuar të përballet me kritika dhe kundërshti nga qytetarët.

Ai deklaroi se opozita ka paraqitur një platformë konkrete për reformën territoriale, e cila parashikon jo vetëm shtimin e numrit të bashkive, por edhe ndarjen mes bashkive rurale dhe urbane.

Sipas tij, është hedhur edhe ideja e rikthimit të ish-komunave, të cilat kanë garantuar një përfaqësim më të mirë për zonat rurale krahasuar me njësitë administrative aktuale.

Duke iu referuar dëgjesës publike të zhvilluar në Vlorë, ai kritikoi mënyrën sesi po organizohen konsultimet me qytetarët. Sipas tij, mbajtja e dëgjesave vetëm në qendrat e qarqeve përjashton një pjesë të madhe të banorëve, sidomos ata që jetojnë në zona të largëta.

Deklarata e plotë:

"Përgjithësisht në të gjitha dëgjesat e reformës territoriale, të cilat janë zhvilluar në më shumë se gjysmën e qarqeve deri më tani, gjashtë qarqe, vëmë re se të gjithë qytetarët, pa ndasi politike, qoftë majtë apo të djathtë, janë pro decentralizimit dhe janë pro shtimit të kompetencave të bashkive, madje edhe pro shtimit të numrit të bashkive.

Gjë që për mazhorancën është një çikë e papranueshme. Kjo kundërshtia, nuk janë mësuar që qytetarët t'i kundërshtojnë linjën e tyre dhe t’i kritikojnë, patjetër.

Qytetarët janë pro linjës së opozitës, e cila me thënë të drejtën është edhe linja më e drejtë, e cila prek për mirë jetën e qytetarëve dhe prandaj e shikojmë këtë mërzitje nga ana e tyre.

Sa i përket dëgjesave, duhet ta dallojmë mirë në qoftë se këto dëgjesa vërtet bëhen për të mirën e qytetarëve, apo bëhen thjesht për të thënë që u bë një dëgjesë. Sepse, me thënë të drejtën, në dëgjesën ku unë kam marrë pjesë, dëgjesën e Vlorës, madje edhe nga kryetarët e bashkive që janë të majtë, normalisht ka pasur një kundërshti për mënyrën se si janë realizuar dëgjesat.

Nuk mund ta bësh dëgjesën publike vetëm në qendër qarku. Qytetarët kanë nevojë që të marrin të gjithë pjesë nëpër dëgjesa, kanë nevojë që të shprehin të gjithë mendimin e tyre dhe dëgjesat në qendër qarku janë shumë larg qytetarëve.

Një qytetar nga Konispoli, ta marr shembull, sepse Vlora është një qark me sipërfaqe shumë të gjerë, e ka shumë të vështirë për të shkuar në Vlorë dhe për të marrë pjesë në dëgjesën publike.

Dhe frika ime më e madhe është që këto dëgjesa bëhen vetëm për të mbyllur gojën qytetarëve, që ne këto dëgjesa i realizuam dhe kaq.

Opozita ka platformën e saj. Opozita është për shtimin e numrit të bashkive, madje edhe për ndarjen e tyre, bashki rurale dhe bashki urbane.

Madje është hedhur edhe një hipotezë nga opozita për rikthimin e ish-komunave, të cilat kanë pasur një rëndësi shumë të madhe. Pavarësisht mangësive që mund të kenë pasur, po t'i ndajmë zonat rurale dhe urbane, komunat bënë një përfaqësim shumë të mirë të zonave dhe madje ishin shumë më demokratike sesa njësitë administrative, të cilat i kanë zëvendësuar ato.”

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco