Në kohën kur sistemi i drejtësisë në Shqipëri po përballet me një kolaps historik prej mbi 150 mijë dosjesh të pashqyrtuara, institucionet shqiptare të drejtësisë po hedhin sytë nga Serbia dhe Sorosi për “shpëtim”.
Dhe pikërisht pikëpyetjeve të të forta politike ua jep legjitimitetin fakti se zgjidhja po kërkohet përmes një eksperti serb dhe rrjeteve ndërkombëtare të lidhura me fondacionet e George Soros dhe USAID (tashmë i mbyllur si institucion me vendim të presidentit të SHBA-ve, Donald Trump).
Këshilli i Lartë Gjyqësor ka konfirmuar se për menaxhimin e stokut gjigant të dosjeve do të angazhohet eksperti serb Dimitrije Šujeranović, një figurë e njohur në projektet e dixhitalizimit dhe ‘reformimit’ të gjyqësorit në Serbi dhe rajon. Ai ka punuar në projekte të financuara nga USAID, Banka Botërore dhe East West Management Institute (EWMI), organizatë që në SHBA është vënë në qendër të akuzave politike për ndikim në sistemet gjyqësore të vendeve të Ballkanit.
Në këtë organizatë është funksionare e lartë edhe Delina Fico, ish-bashkëshortja e Edi Ramës, e cila tashmë është e konfirmuar se përmes organizatave të lidhura dhe financuar nga miliarderi i ekstremit të majtë, George Soros, ka ndikuar drejtpërdrejt në kapjen e drejtësisë së re në Shqipëri nga pushteti ekzekutiv.
Ndërkohë, avokatë shqiptarë reagojnë hapur kundër kësaj qasjeje. “Shqipëria nuk ka nevojë për ekspertë të huaj, por për më shumë gjyqtarë dhe prokurorë”, deklarojnë juristët, duke ngritur shqetësimin se sistemi po mbështetet tek receta të importuara, ndërsa kriza reale mbetet mungesa e kapaciteteve njerëzore.
Pse emri i ekspertit serb nuk është i vetmi element që ngre dyshime të forta për kontrollin e drejtësisë po përmes të njëjtave duar si deri më sot?
Në SHBA, media konservatore, Washington Examiner, dhe një seancë dëgjimore në Kongresin amerikan kanë rikthyer pak kohë më parë në qendër të vëmendjes reformën shqiptare në drejtësi dhe financimet e USAID. Sipas raportimeve dhe dëshmive në Kongres, projekti “Drejtësia për të Gjithë”, i zbatuar nga East West Management Institute me financim miliona dollarësh nga USAID, akuzohet se ka ndihmuar në krijimin e një sistemi gjyqësor të politizuar në Shqipëri.
Gazetari investigativ Tyler O’Neil deklaroi në Kongres se fondet e USAID dhe rrjeti i Sorosit “u përdorën për ndryshime gjyqësore që rezultuan në persekutimin politik të liderit të opozitës shqiptare Sali Berisha”.
Edhe më tronditës konsiderohet fakti se në strukturat drejtuese të organizatës që zbatonte projektin figuron edhe Delina Fico, ish-bashkëshortja e kryeministrit Edi Rama dhe një nga figurat e njohura të rrjetit të organizatave të financuara nga fondacionet Soros në Shqipëri.
Këto fakte marrë të gjitha së bashku tregojnë se kapja e drejtësisë në Shqipëri nga mazhoranca, nuk ka qenë thjeshtë akuzë politike, ajo drejtësi që paraqitet prej vitesh si “historike”, në të vërtetë është ndërtuar mbi influenca të huaja politike dhe ideologjike. Nga njëra anë, ekspertë serbë përfshihen drejtpërdrejt në menaxhimin e sistemit gjyqësor shqiptar; nga ana tjetër, organizata të financuara nga USAID dhe të lidhura me rrjetin Soros kanë pasur rol kyç në hartimin dhe implementimin e reformës.
LEXO EDHE: SYRI TV/ Dëshmia 'bombë' në Kongresin e SHBA: Berisha u persekutua me paratë e USAID
Me kërkesën e fundit të KLP për marrjen e ekspertit serb, tabloja bëhet edhe më e rëndë kur këto zhvillime përkojnë me akuzat për përdorim selektiv të SPAK dhe institucioneve të reja të drejtësisë kundër opozitës.
Në këtë klimë, pyetja që shtrohet gjithnjë e më fort është:
A po ndërtohet drejtësia shqiptare mbi interesin kombëtar dhe profesionalizmin vendas, apo po shndërrohet në një laborator eksperimental të rrjeteve ndërkombëtare politike dhe ekspertëve të importuar?
Dhe një tjetër pyetje që po ashtu kërkon reflektim është se: Si ka mundësi që ata që krijuan kolapsin në sistemin e drejtësisë janë po të njëjtët (pra njerëz të lidhur me Soros) që propozohen për ta nxjerrë nga kolapsi?
Sepse ndërsa qytetarët presin me vite për një vendim gjykate, Shqipëria duket se po ia dorëzon gjithnjë e më shumë sistemin e saj të drejtësisë aktorëve të huaj — nga Beogradi deri tek institutet e financuara nga Sorosi.
© SYRI.net