Takimi i profilit të lartë mes liderëve të Shteteve të Bashkuara dhe Kinës u shndërrua në një arenë ku çdo gjest dhe zgjedhje vendi ishte i ngarkuar me peshë simbolike, duke dëshmuar për një përballje mes dy superfuqive botërore me vizione të ndryshme për të ardhmen.
I ftuar në ‘Syri i Botës’ nën moderimin e Dori Dakës në Syri Tv, Nikola Kedhi, drejtor i Institutit Konservator Shqiptar u shpreh se në thelb të këtij takimi qëndron dinamika mes dy botëve: SHBA, si arkitektja e rendit botëror pas Luftës së Dytë Botërore, dhe Kina, si fuqia në ngritje me ambicien për të formësuar atë që disa e quajnë "shekulli kinez".
Sipas tij, ky kontekst gjeopolitik i jep një domethënie të veçantë çdo ndërveprimi, duke e kthyer diplomacinë në një lexim të thellë të shenjave dhe mesazheve të nënkuptuara.
Pala kineze theksoi Kedhi, përdori me mjeshtëri historinë dhe kulturën e saj të lashtë për të komunikuar mesazhe strategjike. Zgjedhja e vendeve me ngarkesë historike, si Tempulli i Qiellit, dhe referencat ndaj vizitave historike të Henry Kissinger, shërbyen si një kujtesë e aftësisë së Kinës për diplomaci afatgjatë.
Ky stil komunikimi, i ndryshëm nga ai perëndimor, synon të shprehë fuqi dhe stabilitet, duke nënkuptuar se Kina nuk negocion si një partner i zakonshëm, por si një civilizim me histori mijëravjeçare.
Nga ana tjetër, sjellja e presidentit amerikan Donald Trump, shtoi Kedhi, në kontrast me retorikën e tij shpesh të ashpër ndaj aleatëve tradicionalë evropianë, qasja e tij ndaj homologut kinez, Xi Jinping, u shfaq dukshëm më e matur dhe e përmbajtur.
Ajo sinjalizon se administrata amerikane e njeh Kinën si një rival të fuqishëm dhe një kërcënim real për rendin aktual botëror, çka kërkon një strategji më të kujdesshme dhe më pak impulsive, në përputhje me parimet e "Artit të Marrëveshjes".
Një takim i mbushur me simbolikë. Edhe nëse nuk prodhoi gjë tjetër, prodhoi mjaftueshëm simbolikë për t'u interpretuar, për t'u bërë artikuj, për t'u diskutuar, e të tjera me radhë. Dhe e kemi parë dhe në orët e pas samitit, pas u largua presidenti Trump. Është e pritshme në takime të nivelit të tillë, sepse janë dy superfuqi botërore. Njëra aktuale që ka formësuar rendin botëror pas Luftës së Dytë Botërore dhe tjetra e cila ka një synim për të formësuar rendin botëror, ose për të qenë një farë mënyre superfuqia e shekullit të 21-të, për të ndërtuar një shekull kinez, siç e kemi diskutuar dhe herë të tjera së bashku, ashtu siç shekulli i kaluar në një farë mënyre ishte një shekull amerikan. Kjo simbolika shpeshherë flet më shumë sesa fjalët që mund të thoshin të dy liderët e dy vendeve që janë rivale.
Në qoftë se dy liderë perëndimorë mund të jenë aleatë, janë pjesë e një qytetërimi në një farë mënyre e të tjera me radhë, është ndryshe ky takim mes, mes dy botëve shumë të ndryshme, dy civilizimeve të ndryshme, të cilat, duket sikur janë të destinuara të përballen. Pastaj është dhe misticizmi i një vendi të largët me një histori mijëravjeçare, siç është historia e Kinës, qytetërimi kinez, e të tjera me radhë, është deri diku dhe me dashje nga ana e, e mikpritësve atje. Pra janë shumë elemente, edhe që përfshijnë kulturën e kështu me radhë.
Është dhe simbolika sepse Kissinger është ai që në një farë mënyre bëri të mundur afrimin e Kinës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Luftën e Ftohtë, për ta tërhequr nga Bashkimi Sovjetik. Dhe ndoshta është dhe kjo simbolika që Xi Jinping donte të jepte duke e çuar presidentin Trump aty. Që ne nuk është e thënë të jemi rivalë, por mund të gjejmë një mënyrë për të bashkëjetuar, pa qenë nevoja që të shkojmë drejt një konflikti. Sa është e mundur kjo pastaj ngelet për t'u parë dhe ndoshta do kemi rast ta diskutojmë tek, tek detajet e tjera, pra çfarë ngeli pas nga ky takim.
Jo, mendoj se është një taktikë negocimi nga autori i librit “Arti i Marrëveshjes” (Art of the Deal), që është presidenti Trump. Dhe nga ana tjetër, ai shikon që presidenti Xi Jinping i Kinës, mund të jetë diktator, shkelës i të drejtave të njeriut e kështu me radhë, por përfaqëson një popull krenar, mijëravjeçar, me një farë historie të caktuar e të tjera me radhë, që përbën një kërcënim në forma të ndryshme sot për rendin botëror të drejtuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Dhe ai natyrisht përpiqet që të jetë shumë i kujdesshëm në qasjen e tij me Xi Jinping-un, të mos i tregojë të gjitha kartat që ka, të gjitha taktikat negociuese e kështu me radhë.
Ndaj mendoj që është pjesë e strategjisë së tij. Vihej re për shembull ditët e samitit që media amerikane, sidomos ajo pro-Trump, apo dhe shumë llogari në rrjetet sociale, në X për shembull, të influencer-ave, të ndikuesve afër Trump-it, përpiqeshin të tregonin se si presidenti i tyre edhe pas shumë orësh udhëtim, pas një jave me një agjendë shumë të ngarkuar, dukej, dukej i freskët, thoshin ata, dukej i palodhur e të tjera me radhë dhe përfaqësonte Amerikën denjësisht. Nga ana tjetër, pa diskutim edhe media kineze përpiqej që sërish duke u kthyer te simbolika, ta paraqiste liderin e vet si, si një njeri të fortë, pra si një pretendent për të qenë lider botëror.
© SYRI.net