Vasili: Rrëzimi i akuzës për Metën, ekspozon procesin e montuar politikisht të SPAK-ut

Vasili: Rrëzimi i akuzës për Metën, ekspozon procesin e montuar politikisht të SPAK-ut

11:39, 16/05/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Në një reagim të fortë në rrjetet e tij sociale,  ish-deputeti Petrit Vasili ka sulmuar ashpër SPAK-un, duke e cilësuar rrëzimin e akuzës për lobim ndaj Ilir Metës si një dëshmi të një procesi të montuar politikisht.

Sipas tij, kjo nuk është thjesht një çështje juridike, por ekspozim i një mekanizmi të qëllimshëm shtetëror kundër opozitës. Vasili pretendon se hetimi është ndërtuar mbi mungesë provash dhe në kundërshtim me faktet zyrtare.

Ai e konsideron këtë zhvillim si një goditje të rëndë ndaj besimit në drejtësi dhe si provë të ndikimit politik mbi institucionet e saj.

Image

Postimi:

Në një reagim të fortë në rrjetet e tij sociale, Petrit Vasili ka deklaruar se rënia e akuzës për lobim ndaj Ilir Metës përbën, sipas tij, një demaskim publik të një procesi të ndërtuar mbi baza tërësisht të gabuara, të cilin ai e cilëson si një krim shtetëror të qëllimshëm, të mirëplanifikuar dhe të ekzekutuar në mënyrën më monstruoze nga SPAK, me urdhër politik të Edi Ramës.

Çfarë thonë faktet?
Faktet janë më të qarta se njëra-tjetra.

▪️ Është fakt se nuk ekziston asnjë dokument apo provë e vetme se janë paguar 1 milion dollarë nga Meta për një foto me Trump.
▪️ Është fakt se nuk është bërë kurrë dhe nuk ekziston asnjë foto me Trump.
▪️ Është fakt se autoritetet gjyqësore amerikane, në përgjigjen e tyre zyrtare me e-mail të datës 15 nëntor 2024, kanë informuar se pagesat për shërbimet e kontratës së lidhur midis Dorelita Limitet dhe McKeon Group janë kryer nga një tjetër kompani, Taliadoros, dhe nuk është provuar asnjë lidhje midis këtyre pagesave dhe LSI-së apo Ilir Metës si kryetar i saj.
▪️ Është fakt i provuar se LSI ka paguar në mënyrë të ligjshme vetëm 15 mijë dollarë për kompaninë McKeon Group, pagesë e deklaruar dhe e audituar.

Pse ky është një krim monstruoz shtetëror?
▪️ Është krim shtetëror sepse, përballë fakteve asgjësuese, SPAK nuk duhet të kishte vijuar asnjë hap më tej, por përkundrazi ka mbajtur dhe vijon të mbajë në dhunim të çdo ligji, prej 19 muajsh, në izolim me burg Ilir Metën.
▪️ Është krim shtetëror sepse SPAK e ka parë shumë qartë se deklarimi i Ilir Metës para SPAK tre vite më parë, kur u pyet për këtë çështje, është provuar me fakte si 100% i vërtetë. Madje vetë Meta ka denoncuar se personi greko-amerikan kishte nënshkruar një marrëveshje fillestare, por nuk ka qenë kurrë i autorizuar as nga ai dhe as nga LSI.
▪️ Është krim shtetëror sepse SPAK, pa pritur përgjigjen e letërporosisë nga SHBA që e kishte kërkuar vetë, ka ekzekutuar arrestimin e Ilir Metës më 21 tetor 2024, vetëm tre javë përpara se të mbërrinte përgjigja, e cila erdhi më 15 nëntor 2024.
▪️ Është krim shtetëror sepse SPAK ka fshehur për gjashtë muaj nga avokatët e Metës përgjigjen e letërporosisë së ardhur nga SHBA, e cila rrëzonte akuzën e lobimit.
▪️ Është krim shtetëror sepse SPAK ka vijuar të këmbëngulë, në zbatim të një skenari politik, për mbajtjen në burg të Metës në të gjitha shkallët e gjykimit të masës së sigurisë, ndonëse akuza kryesore e lobimit kishte rënë.

A duhet të hetohen dhe të dënohen prokurorët që zbatuan këtë krim shtetëror me regji?
Hetimi dhe ndëshkimi i prokurorëve që, sipas tij, kanë zbatuar këtë proces është i pashmangshëm dhe i paevitueshëm.

SPAK, sipas tij, është institucioni që në të njëjtën kohë që ndërton dosje të motivuara politikisht ndaj Ilir Metës, nuk ndërmerr asnjë veprim përballë aferave si McGonigal, inceneratorët, porti i Durrësit, EcoPark apo Becheti, të cilat ai i lidh me qeverinë e Edi Ramës. Sipas Vasilit, SPAK “sheh qimen imagjinare te Meta dhe injoron traun e korrupsionit te Rama”.

Ai shton se prokurorët e SPAK nuk veprojnë si të paditur, por sipas tij në mënyrë të vetëdijshme dhe nën ndikim politik. Dosja ndaj Ilir Metës, sipas deklarimit të tij, përfaqëson një nga rastet më diskredituese të drejtësisë së kontrolluar politikisht.

Në përfundim, Vasili thekson se ndëshkimi i autorëve të këtyre veprimeve është, sipas tij, vijë ndarëse mes një drejtësie të kapur dhe një drejtësie që funksionon në një shtet demokratik, duke e konsideruar këtë çështje të pafalshme dhe të pamundshme për t’u amnistuar.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco