Komisioni i Posaçëm Parlamentar për Reformën Administrativo-Territoriale ka nisur një tur dëgjesash publike në të gjithë vendin, por ajo që po del në pah është një pakënaqësi e thellë dhe e përhapur e qytetarëve me ndarjen aktuale dhe funksionimin e pushtetit vendor. Gjatë takimeve, zëri i qytetarëve ka qenë i unifikuar në denoncimin e premtimeve të pambajtura të reformës së vitit 2014 dhe kërkesën për një rishikim rrënjësor të hartës territoriale.
Sipas Agron Haxhimalit, Drejtor i Institutit të Bashkive që ishte i ftuar në një intervistë me Arnold Kariqin në Syri tv, qytetarët janë ata që e kanë ndjerë më së shumti impaktin negativ të reformës së kaluar. Premtimet për më shumë investime, shërbime më cilësore, furnizim më të mirë me ujë të pijshëm, përmirësim të infrastrukturës rrugore dhe kanalizimeve, apo rritje të mbrojtjes sociale, kanë mbetur kryesisht në letër. Banorët në shumë zona të vendit shprehen të zhgënjyer dhe të papërfaqësuar, duke konstatuar se shkrirja e komunave dhe krijimi i bashkive të mëdha i ka larguar më shumë nga qendrat e vendimmarrjes.
Në qendër të kërkesave të qytetarëve qëndron shtimi i numrit të bashkive. Logjika që ata ndjekin është e thjeshtë: njësi vendore më të vogla dhe më të shumta në numër nënkuptojnë një qeverisje më afër halleve të tyre dhe një vëmendje më të madhe ndaj nevojave specifike të komunitetit. Ky qëndrim, i cili mbështetet fuqishëm edhe nga opozita, shihet si një domosdoshmëri për të korrigjuar dështimet e modelit aktual.
Arnold Kariqi: Do të jemi tashmë në intervistën e sotme ku do të fokusohemi tek zhvillimet që vijnë sa i përket reformës territorialo-administrative. Keni nisur fushatën, ose mund ta quajmë kështu, të takimeve për të krijuar një hapësirë të drejtpërdrejtë komunikimi me qytetarët, për t'i dëgjuar mendimet, sugjerimet dhe shqetësimet mbi organizimin e ri të territorit dhe përmirësimin e shërbimeve vendore. Pikë së pari, në ç'pikë jemi dhe sa pritet të merren për bazë këto? Ndoshta, mbase nuk do ta thonë, nuk jeni ju i duhuri që mund ta thoni këtë, por kjo fushatë dëgjimesh, po bëhet fushatë për sy e faqe apo një fushatë që do të merren për bazë qytetarët?
Agron Haxhimali: Shiko, turi i dëgjesave dhe nga terreni. Turi i dëgjesave dhe në kuvend me të zgjedhur dhe grupet e interesit që do vazhdojnë gjatë muajit maj, qershor deri në korrik, kanë për qëllim të dëgjojnë më së tepërmi jo zërin e politikanëve, as majtas as djathtas, por të dëgjojnë zërin e lirë të qytetarëve. Janë pikërisht ata që kanë vuajtur mbi shpatullat e veta impaktin e kësaj reforme. Janë ato që nuk janë përfaqësuar si duhet me reformën aktuale 2014-ës. Janë ato që nuk kanë marrë shërbimet e premtuara dhe të përmirësuara nga reforma e 2014-ës. Janë pikërisht ato që dëgjuan dhe u bindën se reforma do sillte më shumë të ardhura, shërbime më të mira, më shumë ujë të pijshëm, më shumë kanalizime dhe vaditje, më shumë mbrojtje sociale, më shumë të mira për shërbimet publike kudo që janë, më shumë rrugë rurale, shkolla, çerdhe.
Dhe ato tashmë nuk ndjejnë që janë aty ku duhet dhe nuk ju është përmbushur premtimi i dhënë. Ndaj, kam vënë re zoti Kariqi, në takimet që kemi bërë, që qytetarët, pavarësisht rasteve të intimiduara apo ndonjë instrumentaliteti politik, qytetarët janë të zhgënjyer. Pritnin më shumë, pritnin diçka tjetër, nuk e gjetën, prandaj janë në koherencë dhe mbështesin fuqimisht kërkesën e opozitës, dakordësinë e dy palëve për ta parë reformën territoriale.
Arnold Kariqi: Çfarë kërkojnë qytetarët në tërësi? Sepse gjithë debati politik është bashki më të shumta, bashki më të vogla, bashki më të mëdhaja. Qytetarët, si me ç'kam arritur t'i ndjek takimet tuaja, duket sikur ka më tepër kërkesa që të ketë një shtim numri bashkish, sepse bashki më të shumta përkthehet dhe në vëmendje më të madhe ndaj komuniteteve. Sipas asaj që unë kam parë dhe logjikës, fundja.
Agron Haxhimali: Konstatimi juaj zoti Kariqi është krejt i drejtë. Por këto që ju keni dëgjuar në këto dëgjesa nuk janë vetëm stacioni i fundit. Ne i kemi dëgjuar edhe në vitin 2015, 16 dhe këto 10 vite, unë të paktën si ekspert që punoj në këtë fushë të qeverisjes vendore, i kam dëgjuar këto shqetësime. Këto shqetësime sigurisht i ka dëgjuar dhe mazhoranca, pavarësisht se u përpoq ta mbrojë si sukses, por fakti që në 2022-shin ngriti sërish një komision për ta rikorrigjuar dhe tashmë pranoi dhe kërkesën e opozitës në 2025-ën që të punojnë bashkë, tregojnë që ka diçka që s'shkon. Opozita e ka monitoruar, opozita është në një presion jashtëzakonisht të madh nga grupe të ndryshme interesi, nga komunitete të ndryshme, nga personalitete, figura që e njohin historinë, traditën, identitetin, por mbi të gjitha nga qytetarët që nuk po marrin atë çfarë premtoi reforma 2014-ës. Kështu që opozita me të drejtë e ka monitoruar, ka grumbulluar këto ankesa dhe e vërteta është që në një artikulim të përgjithshëm të opozitës, sipas zërit dhe kërkesave të qytetarëve, kërkojnë një numër më të madh të njësive të qeverisjes vendore.
Por kjo nuk është dhe për opozitën një qëllim në vetvete numri, por është shpërndarja e pushtetit, dërgimi i pushtetit tek disa zona që kanë qenë jashtë vëmendjes dhe kjo është normale për hir të së vërtetës dhe këto kërkesa, unë thashë, opozita i mbron më shumë, por dhe mazhoranca po ndeshet dita ditës me faktin që reforma, nuk duhet të kemi më rrudhje të bashkive, por duhet të gjejmë rrugë të tjera për të përballuar këtë lloj mungesë shërbimesh dhe të përfaqësimit. Mjaft të zgjedhur vendorë nga mazhoranca, për shembull kishim rastin e Kukësit por jo vetëm, që nuk pranonin dhe diskutuan në komision, në dëgjesë që nuk është, nuk pranohet më që të kemi rrudhje apo të kemi reduktim të njësive të qeverisjes vendore. E gjetëm dhe me Elbasanin, e gjetëm dhe me qarkun Durrës. Pra, edhe të zgjedhurit, edhe qytetarët janë në këtë linjë, sepse zoti Kariqi e ndjejnë fare mirë, pavarësisht se përpiqen të shtypen dhe mos dalin hapur sepse kjo është niveli jonë që kemi si shoqëri, kjo është kultura jonë, jemi të shtypur, nuk jemi të lirë t'i themi gjërat në mënyrë të drejtpërdrejtë, por kuptuar është shumë dhe qartë është thënë që ka nevojë për ndryshime në strukturën territoriale…
© SYRI.net