Deputeti i Partisë Demokratike, Eno Bozdo gjatë interpelancë me ministren e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, në Kuvend, lidhur me rritjen e çmimeve për shkak të luftës në Iran, tha se qeveria nuk ka ndërmarrë asnjë masë për zbutjen e krizës.
Gjatë fjalës së tij, Bozdo tha se qeveria shqiptare po favorizon jahtet, ndërsa për qytetarët nuk është hartuar asnjë lloj plani për t’iu ardhur në ndihmë.
Duke qenë se Shqipëria është ndër vendet më të varfra të Europës, sipas Bozdos, me mos-ndërhyrjen e qeverisë, kriza e rritjes së çmimeve bëhet edhe më e ndjeshme për qytetarët.
“Interpelanca është thirrur për të marrë përgjigje nëse ka ndërmend të bëjë diçka qeveria shqiptare, në kushtet kur për shkak të konfliktit në Lindjen e Mesme është verifikuar rritje shumë e ndjeshme e çmimeve të karburantit, plehrave kimik dhe mallrave të shportës ushqimore. Të tria grupet që ndikojnë drejtpërdrejtë në shtrenjtimin e jetës për shqiptarët, por edhe në mundësinë e sektorit ekonomik industrial dhe agro bujqësor. Kjo interpelancë ka në themel 4 argumente. Çmimet janë rritur në çdo sektor të jetës ekonomike. Shqiptarët janë ndër popujt më të varfër, ndoshta populli më i varfër në Europë, duke bërë çdo rritje çmimi më të ndjeshme. Shqipëria nuk ka marrë asnjë masë për situatën aktuale, kur shtetet fqinje kanë ndërhyrë me shpejtësi”, theksoi Bozdo.
Më tej ligjvënësi demokrat risolli në vëmendje, shembujt e masave të marra nga disa shtete të Europës, përfshi Italinë dhe Gjermaninë, për zbutjen e krizës së çmimeve, e shkaktuar nga lufta në Iran dhe bllokimi i Ngushtincës së Hormuzit.
“Çfarë ekzaktësisht po planifikon qeveria shqiptare kur çmimet e karburantit janë rritur me 30%, çmimet e plehrave kimikë janë rritur me rreth 40% dhe çmimet e ushqimeve bazë janë rritur veçanërisht ato të fruta perimeve, të cilat e kanë kaluar 30%. Gjermania ka miratuar një paketë prej 1.6 miliardë eurosh, duke ulur taksën e energjisë dhe TVSH-në për të mbrojtur konsumatorët. Italia po shpërndan kartën e dedikuar me rreth 500 euro për familjet në nevojë dhe ka ulur akcizën e karburanteve me një kosto prej 500 milionë eurosh, etj. Të gjitha këto vende po përdorim buxhetet e tyre për mbrojtjen e qytetarëve, ndërsa Shqipëria jo”, vijoi më tej Bozdo.
© SYRI.net