Një formë e re dhe e sofistikuar rryshfeti, presioni politik mbi bizneset dhe qytetarët, si dhe një zhvillim urban kaotik dhe i dyshimtë janë disa nga problematikat serioze që po prekin qytetin e Vlorës, veçanërisht në prag të sezonit turistik.
I ftuar ditën e sotme në 'Kafe Shqeto', anëtar i Këshillit Bashkiak në Vlorë, Geron Gunbardhi tha se në qytetin bregdetar po aplikohet një skemë e re zhvatjeje ndaj bizneseve, ku nuk kërkohet më bakshish në para, por bizneset detyrohen të kontraktojnë një firmë specifike italiane për realizimin e projekteve të tyre.
Sipas Gunbardhit, kostoja për një ambient të jashtëm, si një verandë me çadra, mund të arrijë shifra marramendëse nga 150,000 deri në 200,000 euro.
Çelësi i kësaj skeme është arkitekti, i cili harton një projekt që justifikon këto kosto të fryra, duke u bërë kështu hallka kryesore e këtij mekanizmi korruptiv.
Në të njëjtën kohë, qyteti përballet me një kaos urban të trashëguar. Zona e tregut të vjetër, vetëm 10 metra nga qendra e qytetit, ndodhet në një gjendje të mjerueshme prej më shumë se 30 vitesh, e zhytur në papastërti ekstreme dhe e lënë në harresë totale.
Deklarata e plotë:
"Investimet për një çadër dhe një verandë përjashta do të shkojnë nga 150 deri në 200.000 euro. Pra, ryshfeti nuk është më 'pago këto lekë', por ka vite dhe ka kohë që ecën në mënyrën më spektakolare.
Pra, pago arkitektin, se ai do të bëjë projektin e mirë dhe po bëre këtë projektin e mirë, ne do të stimulojmë që ti të vazhdosh përpara të përdorësh ambientet që janë publike.
Në çdo fillim sezoni, Vlora goditet ose me ndërtimet pa leje, që kanë të gjithë të drejtën të zbatojnë ligjin, por jo në fillim të sezonit turistik. Kanë të drejtën të zbatojnë ligjin edhe për Lungomaren, por nuk mund ta lësh tani që fillon turizmi dhe t’u vesh t’u thuash hiqni karriget, hiqni çadrat.
Sa i përket tregut, aty për hir të vërtetës, janë 30 e ca vjet që nuk është vënë asnjë dorë dhe unë dje kalova personalisht me këmbë. Gjendja është shumë alarmante, një vend vetëm 10 metra nga qendra e Vlorës. Është e pabesueshme papastërtia që mund të ketë pas 30 e ca vitesh pa hyrë asnjë njeri të fshijë, lajë apo pastrojë në këtë zonë.
Zona ka nevojë për zhvillim dhe për projekte të reja, por edhe ata tregtarë duhet të ishin sistemuar dhe duhet t’u ishte gjetur një vend.
Kjo sepse për votime, kryetarja e bashkisë vajti dhe u premtoi shumë gjëra të mira dhe të bukura. Shumica vjen që në orën 7:30-8:00 të mëngjesit, disa votojnë nga presioni se do të heqim këtë tregun apo do të heqim Lungomaren, do të heqim çadrat dhe presioni qeveritar gjithmonë ka bërë që ose nuk vijnë fare qytetarët në votime, ose ata pak që vijnë të kontrolluar i japin shtatë, nëntë, 10% të votimeve kryetarëve të bashkisë.
Kjo është gjendja, sepse qytetarët janë të trembur, janë mbajtur nën presion tërë kohën. Dhe çfarë ndodh? Para 15 ditësh erdhi kryeministri dhe bëri takim me bizneset turistike, si dhe me operatorët.
Këta operatorë që u njoftuan se duhet të vinin, u futën në një listë me emër e mbiemër dhe jashtë rrinin rojet që nuk të linin të hyje në qoftë se nuk ishe ti ai personi që patronazhisti kishte marrë përsipër se duhet të vinte, duhet të falënderonte qeverinë për projektet që i kishte gjithë zili Evropa. Në të kundërt, nuk duhet të hyje brenda.
Pra, në qoftë se ti kishe ndonjë mendim qoftë për Lungomaren, qoftë për qytetin, zhvillimin, parkimet apo për çdo gjë që këtu nuk është bërë mirë, atëherë nuk duhet të hyje fare."
© SYRI.net