Propaganda qeveritare që fajëson opozitën nuk mund të fsheh se procesi i integrimit ngec dhe mungojnë rezultatet konkrete.
I ftuar në edicionin informativ të lajmeve, me gazetaren Armela Ferko, deputeti i PD-së, Blendi Himçi, theksoi se Shqipëria “çalon në çdo sektor” të negociatave për integrimin në Bashkimin Europian.
Ai paralajmëroi se, pavarësisht hapjes formale të kapitujve, vendi është shumë mbrapa fqinjëve, si Mali i Zi, dhe situata ka vendosur qeverinë shqiptare në një pozicion konfrontues jo vetëm me opozitën, por edhe me vetë Bashkimin Europian.
Himçi kritikoi qëndrimet kontradiktore të kryeministrit Rama dhe theksoi se për të përparuar, nuk mjafton përafrimi formal i ligjeve, por kërkohet një transformim i thellë institucional dhe një luftë e pa kompromis ndaj korrupsionit.
Pjesë nga deklarata:
Kjo qeveri prej 14 vjetësh gjithmonë është marrë me formën dhe asnjëherë me përmbajtjen. Por sigurisht, po ta vësh re, qëndrimi edhe i kryenegociatores, i grupit të negociatorëve, por edhe i deputetëve të opozitës, është që ne jemi një opozitë destruktive, që ne kënaqemi kur nuk ka arritje, dhe sigurisht që ne jemi, ju nuk doni të bashkëpunoni me ne. Kjo është forma që trajtohet për opinionin publik dhe nuk merret me thelbin.
Në çështjen e integrimit jemi shumë larg. Jemi shumë larg në raport me integrimin. T’ju shpjegoj diçka. Në çdo sektor ne çalojmë. Në çdo sektor, të cilët pretendohet, pavarësisht se janë hapur të gjitha kapitujt për negociatat për integrimin në Bashkimin Europian, ka problematika serioze, të shoqëruara me korrupsion. Ka problematika serioze në zbatim të reformës në drejtësi, që edhe këtu kemi një problematikë tjetër thelbësore. Ka problematika për të cilat ne nuk kemi mbyllur asnjë kapitull, ndërkohë që Mali i Zi ka mbyllur pothuajse gjysmën e kapitujve; ne si Shqipëri ende nuk jemi në hapat e parë. Pra, kemi mbetur shumë mbrapa Malit të Zi.
Nëse ju kujtohet, kur ka qenë forma e qeverisjes për çeljen e negociatave me Bashkimin Europian në kohën e qeverisjes së Partisë Demokratike, ideja dhe kushti që u vu ishte që të miratoheshin ligjet organike, pra tre ligjet organike, ose të vendosej kryetari i qarkut të Fierit, ose ndryshe nuk i miratojmë. Pra, ishte një kusht absurd nga ana e opozitës së asaj kohe, dhe Mali i Zi në atë kohë ishte shumë më mbrapa se ne. Sot, që flasim pas 14 vitesh, Mali i Zi na ka parakaluar, dhe kjo tregon më së miri formën më të keqe të qeverisjes që ka bërë Edi Rama këtij vendi. Kjo nuk është më çështje retorike politike, por është një çështje thelbësore me fakte dhe prova, ku raporti i Komisionit Europian e evidenton këtë gjë.
Sigurisht, është një problematikë tjetër që pengon gjithashtu çështjen e integrimit në Bashkimin Europian. Dhe nisur nga kjo, sot që flasim, qeveria shqiptare nuk e ka më vetëm me opozitën, por e ka edhe me Bashkimin Europian. Dhe po ta vini re, në qëndrimet e fundit të Edi Ramës kanë qenë të ndryshme. Njëri krah ka qenë që, dëgjo, pavarësisht nëse arrijmë apo jo reformat, të paktën na bëni pjesë të tregut të Bashkimit Europian, dhe nga ana tjetër ka pasur edhe kërkesa të tilla – kjo ka qenë edhe linja me Vuçiç domethënë sepse mund të shkojmë drejt Rusisë ose presionit që ka kërkuar t’i bëjë Bashkimit Europian. Ndërkohë, Bashkimi Europian ka qenë i prerë dhe Komisioni Europian ka qenë i prerë në lidhje me këto lloj aspektesh, pra për pranime të pjesshme ose të kushtëzuara.
Dhe ajo që na çudit më shumë është pastaj qëndrimi sigurisht, këtu janë probleme të brendshme të Bashkimit Europian prandaj ne nuk pranohemi, sepse nuk i kemi plotësuar të gjitha kriteret. Nuk janë plotësuar asnjë nga kriteret. Dhe nuk mund të plotësohen kriteret vetëm me përafrime të legjislacionit të Bashkimit Europian. Nuk është ky qëllimi; për të qenë pjesë e Bashkimit Europian, një vend që aspiron të jetë anëtar, duhet të plotësojë dhe të implementojë aktet legjislative, të rrisë mirëqenien qytetare dhe të përafrohet gjithashtu me formën do të thoja jo vetëm nga aspekti legjislativ, por edhe në politikat ekonomike, sociale dhe gjithçka tjetër.
© SYRI.net