Kryetari i opozitës, Sali Berisha, denoncoi sot mashtrimet e Edi Ramës për çështjen e prokurimeve.
Berisha tha se integriteti i prokurimeve publike ka rënë me 14 pikë që nga koha kur në pushtet ishin demokratët.
Sot ky integritet shënon 66 pikë, ndërkohë që në vitin 2010, kur PD ishte në pushtet, integriteti i prokurimeve ishte 80 pikë. Kjo gjë bëri që OKB të vlerësonte Shqipërinë me një çmim ndërkombëtar.
Por ndërsa integriteti i prokurimeve ka rënë ndjeshëm nën qeverisjen e Ramës, ky i fundit bëri një reagim në rrjetet sociale.
“Hedh budallai i madh një gur në lumë dhe pastaj të vegjlit bëjnë si të mençur për ta nxjerrë, duke thënë që integriteti i prokurimeve publike në Shqipëri paska shënuar rënie! Po se si e shënoi këtë rënie, kur në fakt Shqipëria u përfshi për herë të parë në portalin europian të matjes së integritetit të prokurimeve për shtetet e Bashkimit Europian, duke dalë më mirë se sa shumë prej tyre, këtë as i madhi e as të vegjlit nuk kanë se si e thonë, sepse budallallëku ka kufi vetëm vetveten”, shkruan Rama.
"Rëndësi ka që duan s’duan ata që s’duan, sot Shqipëria vlerësohet ndërkombëtarisht si asnjëherë më parë, edhe në fushën e prokurimeve, ku kemi bërë progres të madh dhe jemi ende në ngjitje, sepse me Diellën në prokurimet publike do të arrijmë brenda këtij mandati, një nivel integriteti e shpejtësie që do të na rendisë në nivelin më të lartë europian, falë Inteligjencës Artificiale”, shkruan Rama, duke cituar Diellën e diskredituar brenda dhe jashtë vendit pas mega-aferës korruptive të AKSHI-t të familjes së tij.
Por të dhënat e paraqitura nga kreu demokrat, Sali Berisha, janë marrë nga portali pan-europian Open Tender EU.
Ky portal është i dedikuar vetëm për të dhënat në fushën e prokurimeve në vendet e BE dhe në vendet që aspirojnë anëtarësimin në BE.
Aty del qartë se Shqipëria ka pësuar një rënie të ndjeshme gjatë qeverisjes së Edi Ramës në fushën e prokurimeve publike.
Portali është i financuar me fondet e Komisionit Evropian që synojnë transparencë në fushën e prokurimeve publike.
Berisha denoncoi gjithashtu se miliardat e tenderave kanë shkuar vetëm për kompani shqiptare, duke përjashtuar totalisht kompanitë evropiane.
Këto miliarda janë keqpërdorur kryesisht nga dikasteri i drejtuar nga Belinda Balluku, tha Berisha.

© SYRI.net