Vendet e BE pritet të diskutojnë sërish sot për çështjen e integrimit të Shqipërisë.
Sipas një dokumenti zyrtar të Këshillit të BE-së, Grupi i Punës për Zgjerimin dhe Vendet që negociojnë anëtarësimin (COELA) do të zhvillojë një “shkëmbim pikëpamjesh” mbi draft-pozicionin e përbashkët të përkohshëm për Shqipërinë.
Termi “shkëmbim pikëpamjesh” tregon se nuk është arritur një konsensus dhe se nuk ka vendimmarrje përfundimtare mbi raportin.
Por ndërsa çështja e raportit IBAR dhe rrjedhimisht e negociatave me BE-në po shtyhet në kalendat greke, qeveria po mban heshtje totale për këtë çështje.
Pasi ka censuruar çdo informacion për këtë çështje jetike për shqiptarët, qeveria duket e shqetësuar për të tjera probleme.
Ministri i Jashtëm, Ferit Hoxha, i cili ndodhet në Bruksel, ka zgjedhur të flasë për Ukrainën, duke shprehur shqetësim për fëmijët ukrainas.
Përmes një postimi në platformën X, Hoxha theksoi se Shqipëria vijon të mbështesë Ukrainën që nga dita e parë e agresionit rus dhe rikonfirmoi angazhimin për mbrojtjen e fëmijëve ukrainas të prekur nga lufta.
“Rrëmbimi dhe deportimi i paligjshëm i fëmijëve ukrainas përbën një nga shkeljet më të rënda të së drejtës ndërkombëtare dhe një nga mizoritë më të neveritshme të kësaj lufte. Llogaridhënia dhe drejtësia duhet të mbeten në thelb të përgjigjes sonë kolektive”, u shpreh ministri shqiptar.
© SYRI.net