'Turizmi lulëzon për disa, ndërsa bujqësia dhe industria po 'japin shpirt', eksperti zbardh paradoksin shqiptar

'Turizmi lulëzon për disa, ndërsa bujqësia dhe industria po 'japin shpirt', eksperti zbardh paradoksin shqiptar

16:57, 11/05/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

I ftuar në studion e lajmeve me gazetarin Edvin Parruca në Syri TV, Klodian Muço foli mbi ekonominë shqiptare, ku u shpreh se turizmi po lulëzon duke mbushur xhepat e disa palëve, ndërsa bujqësia dhe industria po përjetojnë një tkurrje dramatike.

Ai kritikoi varësinë e ekonomisë nga turizmi dhe theksoi se përforcimi i lekut nuk lidhet vetëm me fluksin e vizitorëve, por edhe me depërtimin e ekonomisë kriminale në ndërtim.

Muço nënvizoi se rreth 400,000 shqiptarë varen nga bujqësia, që mbetet e pasubvencionuar dhe e lënë pas dore nga politikat shtetërore. Sipas tij, industria përpunuese, përfshirë sektorin fason, po mbyllet për shkak të kostove të larta dhe mungesës së fuqisë punëtore të kualifikuar.

Eksperti paralajmëroi se kjo varësi nga turizmi e bën ekonominë shqiptare të brishtë dhe të cenueshme. Ai përfundoi duke theksuar se nevojiten masa të menjëhershme politike për të shpëtuar sektorët jetikë dhe për të evituar një krizë më të thellë ekonomike.

Pjesë nga deklarata:

Turizmi aktualisht zë rreth 1/4 e ekonomisë shqiptare, rreth 25% të prodhimit të përgjithshëm bruto. Konsiderohet një sektor prioritar i ekonomisë shqiptare edhe për efektet indirekte që jep në ekonomi, pasi ka një impakt direkt në ekonomi, por ka dhe impakte indirekte apo efekte komplementare tek bujqësia, duke qenë që turistët, midis të tjerash, konsumojnë produkte ushqimore, tek logjistika, tek promovimi i Shqipërisë për të thithur investime të huaja, e të tjerë. Pra, është një sektor që ka vërtet shumë efekte komplementare.

Sivjet, për shumë arsye, përfshirë edhe konfliktin në Lindjen e Mesme, presupozohet që të jetë një vit relativisht i mirë për turizmin, duke qenë se me shumë gjasa një pjesë e turistëve që shikojnë me skepticizëm apo kanë frikë nga konflikti që mund të zgjerohet në Lindjen e Mesme, mund të heqin dorë nga pushimet në Egjypt apo Turqi, duke zgjedhur destinacione si Shqipëria. Kështu që urojmë të jetë një vit i mbarë dhe të kemi më tepër fluks turistik sesa viti i kaluar, kjo për të mirën e shqiptarëve, sepse me këtë sektor mbahen qindra mijëra familje shqiptare.

Sigurisht, nuk është vetëm turizmi që po forcon ekonominë. Përtej peshës që ka rreth 1/4, forcimi i monedhës vendase nuk mund të vijë vetëm nga sektori turistik. Janë një sërë faktorësh që ndikojnë tek forcimi i monedhës tonë vendase. Shqipëria është një vend i vogël, i euroizuar në maksimum; rreth 50.000 qytetarë shqiptarë marrin pagën në valutë të huaj. Tregtia, shitja e apartamenteve, shitja e makinave gjithë Euro pranohet në supermarkete, dyqane dhe në çdo aktivitet tregtar. Kjo ka bërë që të ketë me bollëk valutë të huaj, dhe kjo ndoshta është një ndër faktorët pse monedha vazhdon të zhvlerësohet.

Sigurisht, nuk është vetëm turizmi. Një aspekt tjetër është depërtimi i ekonomisë kriminale në ekonominë reale. Lulëzimi i ndërtimit nuk vjen vetëm nga investimet e huaja direkte apo blerjet e qytetarëve shqiptarë. Një rritje e ndjeshme e ofertës në ndërtim vjen edhe si pasojë e faktit që është një sektor ku ekonomia kriminale mund të depërtojë lehtësisht dhe mund të shërbejë për pastrimin e parave. Kjo është një faktor tjetër pse kemi një forcim të vazhdueshëm të monedhës vendase. Edhe pse Banka e Shqipërisë ka ndërmarrë ndërhyrje duke tërhequr valutë nga tregu, norma e këmbimit ka pasur luhatje relativisht të ulëta apo në disa raste pothuajse fare.

Përtej të gjithave, shikoj sektorin e turizmit si shumë të rëndësishëm për ekonominë shqiptare. Bujqësia ka pasur rëndësi dhe është një sektor po kaq i rëndësishëm sa turizmi, për peshën e saj në të kaluarën (rreth 1/5 e ekonomisë shqiptare), për rolin që ka pasur në punësimin e vendit dhe në mirëqenien e qytetarëve. Aktualisht rreth 400.000 shqiptarë jetojnë nga sektori bujqësor, duke kontribuar në punësim dhe prodhim.

Vitet e fundit bujqësia ka pasur një tkurrje për arsye të ndryshme. Edhe pse është një sektor që në shumicën e vendeve të Evropës ka nevojë për mbështetje të vazhdueshme dhe subvencionime, Shqipëria ka dhënë vetëm pak subvencione indirekte dhe jo shumë efikase. Për krahasim, Serbia jep rreth 2.38% të prodhimit të përgjithshëm bruto në subvencione, ndërsa Shqipëria vetëm 0.78%. Kjo është një nga arsyet pse bujqësia është tkurrur ndër vite.

Megjithatë, pa shikuar zi, kur bujqësia tkurret, presupozohet që industria përpunuese apo industria në tërësi të zhvillohet, pasi tkurrja e bujqësisë në raport me sektorët e tjerë sugjeron rritje të ekonomisë përpunuese. Por industria ka hasur vështirësi në vitet e fundit: qindra biznese, sidomos në sektorin fason, janë mbyllur për shkak të luhatjeve të kursit të këmbimit, rritjes së kostos së punëtorëve dhe mungesës së burimeve të kualifikuara.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco