SYRI TV/ Nën hetim nga SPAK, ALKO IMPEX fiton tjetër tender, Beci i beson pastrimin e Shkodres

15:00, 10/05/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Edhe pse nën hetim nga SPAK në dosjen që lidhet me ish-zv.kryeministren Belinda Balluku, kompania “Alko Impex Construction” vijon të fitojë tendera publikë. Së fundmi, Bashkia Shkodër i ka dhënë kompanisë së Arbër Abazit kontratën për pastrimin e qytetit për 8 muaj, me vlerë rreth 87 milionë lekë. Institucioni i drejtuar nga Benet Beci ka zhvilluar një tender pa garë reale pasi kompania tjetër nuk ka paraqitur asnjë ofertë. Kryebashkiaku i Shkodrës, Benet Beci ndodhet aktualisht në gjykim në GJKKO për shkelje të barazisë në tendera.

 Syri tv

Megjithëse nën hetim nga SPAK për dosjen e Belinda Ballukut,  Alko Impex Construction vijon të marrë tendera nga institucionet publike të vendit. Kapitali.al ka publikuar një tender tjetër të fituar nga kompania e Arbër Abazit nga Bashkia e Shkodrës.

Kryetari i Bashkisë së Shkodrës, Benet Beci i ka dhënë tenderin e pastrimit Alko Impex për 8 muaj në vlerën e 873 milionë lekëve të vjetra. Kontrata parashikon mbledhjen dhe transportimin e plehrave të qytetit me një procedurë prokurimi pa një gare reale.

Sipas dokumenteve të siguruara nga kapitali.al të paraqitura në Agjencinë e Prokurimit Publik, tenderi me fond limit 873 milionë lekë të vjetra u zhvillua në fund të muajit të kaluar. Në të u paraqitën dy oferta. Ajo e kompanisë Alko Impex me 843 milionë lekë dhe një ofertë e dytë fiktive e kompanisë Rej shpk, e cila nuk paraqiti çmim.

Bashkia e Shkodrës shpalli fituese kompaninë Alko Impex, ofertën e vetme të garës.

Kryetari i Bashkisë së Shkodrës Benet Beci aktualisht është në gjykim nga Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, pasi akuzohet nga SPAK për shlekje të barazisë në tendera, gjatë kohës që mbante detyrën e kreut të KESH.

Ndërkohë Arbër Abazi, pronari i kompanisë Alko Impex Construction është paraqitur disa herë në Prokurorinë e Posaçme, ndërsa ambientet personale dhe ato të kompanive të tij janë kontrolluar nga SPAK në kuadër të hetimeve për ish zv/kryeministren Belinda Balluku.

Zoti Abazi rezulton lidhje familjare me Ballukun dhe aktualisht është nën hetim edhe për tenderin për ndërtimin e Unazës së Madhe të Tiranës. 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco