Parada e prestanomeve dhe SPAK, që rri e vështron!

Parada e prestanomeve dhe SPAK, që rri e vështron!

12:40, 10/05/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Nga Petrit Vasili/

Tashmë prestanomet, pra ata që pranojnë të vënë vetëm emrin se paratë i kanë të tjerët, janë një epidemi e vërtetë e këtyre 13 viteve që qeveris Rama.

Prestanomet, pra njerëz pa asnjë veprimtari ekonomike, pa asnjë kapital financiar, papritmas kthehen brenda natës në investitorë gjigantë që ndërtojnë kulla qindra milionë euro anë e mbanë vendit.

Pastrimi i parave në Shqipëri tashmë pra nuk po kërkon më rrugë të komplikuara dhe të kamufluara në mënyrë të sofistikuar.

Nuk i kërkon këto rrugë të sofistikuara sepse nuk sheh asnjë rrezik dhe asnjë pengesë në rrugën e vet.

Pengesat e vetme do të ishin nga njëra anë qeveria nëse do të ishte e ndershme, e pastër dhe respektuese e ligjit dhe nga ana tjetër drejtësia nëse do të ishte zbatuese korrekte e ligjit.

Por qeveria për fatin e zi të shqiptarëve është frymëzuesja, mbështetësja dhe përdoruesja e prestanomeve sepse janë një mundësi e madhe për pastrimin kolosal të parave të korrupsionit dhe të veprimtarisë kriminale e narkotrafikut, që mbështet pushtetin politik në Shqipëri.

Drejtësia e kapur dhe që funksionon me regjisë e pushtetit ka mbyllur sytë dhe ka lidhur duart, ndonëse prestanomet veprojnë në mënyrën më të hapur dhe më banale.
Drejtësia me mosveprimin e saj është kthyer de facto në një mbështetëse shumë të madhe dhe direkte në pastrimin e parave.

Po ashtu sistemi bankar funksionon po me të njëjtën skemë të urdhëruar nga qeveria, duke bërë sikur verifikon transaksione qesharake të qytetarëve të thjeshtë duke kërkuar deklarata e dokumente pa fund, ndërsa prestanomet qarkullojnë miliona euro për kullat të pashqetësuar.

Pastrimi i parave dhe prestanomet janë pra një binom ideal, që ky mekanizëm të vazhdojë të funksionojë dhe të prodhojë pushtet, që mbahet nga krimi dhe lind nga krimi elektoral.

Pa asnjë diskutim pa pastrimin e parave pushteti i Ramës shembet për 24 orë.

Pastrimi i parave mban në këmbë një ekonomi të vendit totalisht fiktive, që e bazon krijimin e të ardhurave të buxhetit të shtetit përmes ndërtimit, i cili realizohet nga këto miliarda euro para të pista.

Kjo ndërtimtari skizofrenike është e qartë ditën për diell që nuk lind nga kërkesa e madhe për të, sepse çmimet e këtyre apartamenteve nuk mund të përballohen kurrë nga shqiptarët me të ardhura kaq të ulëta, ndaj edhe dhjetëra mijëra apartamente të reja janë të mbyllura e të pashitura.

Ky pastrim parash krijon edhe ato miliarda euro të pista, që u lejojnë mafiozëve të qeverisë që të blejnë vota deri edhe me 500 euro vota dhe të vazhdojnë të mbajnë të zaptuar një pushtet politik të paligjshëm.

Ndaj prestanomet janë kthyer në pandemi në Shqipëri dhe mjerisht në një normalitet mafioz, ku shumë naivë qeshin kur shohin një hiç njeri që kthehet në miliarder brenda natës.

Sigurisht SPAK ka përgjegjësi shumë të rënda dhe të pafalshme, sepse këto fakte e realitete mafioze zhvillohen kaq hapur dhe kaq trashë e pa asnjë pengesë, e në ndërkohë SPAK i ngritur vetëm për këtë qëllim, nuk vepron qëllimshëm.

SPAK që me regji bën procese politike duke shpikur dosje me prova e fakte, që nuk ekzistojnë kundër opozitarëve dhe që mbyll sytë përpara kullave lavatriçe parash, tregon qartë kapjen dhe inkriminimin e thellë të tij.

Ndaj çdo revoltë dhe protestë, sado e rreptë që të jetë, është plotësisht e motivuar dhe e justifikuar për të shpëtuar nga rrënimi ekonomik, që është te pragu i derës si dhe për të rivendosur zbatimin e rreptë të ligjit, sepse drejtësia ka mbyllur sytë përpara pastrimit të parave, që është oksigjeni i vetëm dhe kryesor për veprimtaritë kriminale të çdo lloji.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco