Mziu: Qeveria përfiton miliona nga rritja e çmimit të karburanteve, qytetarët po varfërohen

10:00, 30/04/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Në një kohë kur rritja e çmimeve të karburanteve ka rënduar xhepat e qytetarëve, ngrihen akuza se qeveria jo vetëm që nuk ka ndërmarrë hapa për të lehtësuar barrën, por përfiton nga kjo krizë duke arkëtuar miliona euro shtesë në buxhetin e shtetit.

I ftuar ditën e sotme në 'Kafe Shqeto', deputeti i PD Xhelal Mziu tha se ndryshe nga vendet e rajonit dhe Bashkimit Europian që po aplikojnë politika fiskale si subvencionet apo uljen e taksave, qeveria shqiptare ka qëndruar pasive.

Sipas deputetit, një propozim konkret i paraqitur nga opozita, i cili synonte të ndihmonte konsumatorin shqiptar, është rrëzuar nga mazhoranca qeverisëse.

Ky refuzim vjen në një kohë kur kritikat shtohen se qeveria përfiton nga situatat e krizës, qofshin ato tërmete, pandemi apo luftëra, pasi këto situata çojnë në rritjen e buxhetit të shtetit, por paralelisht me këtë, rritet edhe varfëria e qytetarëve.

Shifrat e bëra publike janë alarmante. Vetëm gjatë muajit mars, rritja e çmimit të karburantit ka sjellë në arkën e shtetit një shtesë prej të paktën 15 milionë eurosh.

Ky përfitim vjen si pasojë e një strukture komplekse dhe të rënduar taksash që aplikohet në Shqipëri. Në krahasim me vendet e tjera, ku mbi karburantet aplikohen zakonisht dy taksa (akciza dhe taksa doganore), në Shqipëri aplikohen katër të tilla: akciza, taksa doganore, taksa e qarkullimit dhe taksa e karbonit.

Mbi të gjitha, situata përkeqësohet nga fakti se Tatimi mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) aplikohet mbi totalin e çmimit, përfshirë edhe katër taksat e tjera. Kjo bën që, për shembull, taksa e qarkullimit prej 27 lekësh për litër, pasi i shtohet TVSH-ja, të arrijë në rreth 33 lekë.

Si rezultat i kësaj skeme, taksat përbëjnë rreth 60% të çmimit final të karburantit dhe gazit që paguajnë konsumatorët. Ky konvertim i krizës në fitim për buxhetin ka efekte negative direkte në ekonominë shqiptare. 

Deklarata e plotë:

“Po rritën çmimet për shkak të luftës. Natyrisht, të gjitha vendet shkojnë dhe gjejnë një zgjidhje për t'i ardhur në ndihmë konsumatorit duke përdorur politikën fiskale, pra duke duke bërë subvencionime ose duke ulur tarifat ose TVSH-në apo akcizën.

Dhe ndërkohë, meqënëse qeveria nuk ndërmori asnjë hap në këtë drejtim, atëherë u desh një një propozim konkret, referuar po themi edhe vendeve të tjera të rajonit, por edhe përtej rajonit edhe Bashkimit Europian dhe për pasojë për të ndihmuar sadopak konsumatorin shqiptar në këtë situatë krize.

Por siç ndodh në të gjitha herët, edhe kur propozimet janë absolutisht po themi zgjidhja më e mirë opportune për t'i ardhur në ndihmë qytetarëve, edhe kur kemi referenca po themi të këtyre vendeve, hasim në një barrierë të kartonave të mazhorancës, pavarësisht se janë kartona me vota të vjedhura, për pasojë rrëzohet po themi propozimi i Partisë Demokratike.

Duhet t'ju sjell në vëmendje që nëse ka ndonjë qeveri në botë që lutet për të patur tërmet, për të patur pandemi, për të patur luftë, është qeveria e Edi Ramës, se sa herë që ka një krizë të tillë, ëh rritet për pasojë buxheti i shtetit. Pra, rritet buxheti i shtetit dhe ndërkohë rritet varfëria e qytetarëve.

Dua t'ju them që vetëm në krizën e fundit, vetëm për muajin natyrisht prilli është akoma më keq sesa marsi, vetëm për muajin mars, minimalisht në buxhetin e shtetit janë mbledhur më shumë se sa 15 milionë euro vetëm nga rritja e e karburanteve.

Pra po janë shtesë, pavarësisht se mund të jetë ulur konsumi për shkak të çmimit, po meqënëse çmimi është rritur ndjeshëm, ka sjellë për pasojë shtesë.

Dua t'ju theksoj vetëm edhe një fakt tjetër, në të gjithë rajonin dhe në Bashkimin Europian aplikohen vetëm dy taksa, akciza dhe taksa doganore.

Në Shqipëri kemi katër taksa. Kemi taksën e qarkullimit, e cila është është absurde dhe madje tek shumica e qytetarëve shqiptarë merret dy herë sepse ne kemi kemi dhe dy tolle në Shqipëri, siç është ajo e rrugës së kombit dhe kjo e e Thumanës. Po kemi dhe taksën e karbonit.

Akoma më keq është që ne aplikojmë TVSH mbi katër taksat. Pra, nëse themi që taksa e qarkullimit është 27 ALL për litër, në fakt nuk është 27 ALL. është 27 ALL * 20%, pra çfarë do të thotë që është rreth 32-33 ALL.

Pra, në të dyja këto krahasime po themi me vendet e tjera të rajonit dhe me Bashkimin Europian, ne prodhojmë një çmim që shkon diku te 60% të çmimit final të karburantit apo të gazit.

Dhe për pasojë ajo konvertohet pastaj në efekte negative të ekonomisë shqiptare, sepse kur ti ë po prapë i referohemi vetëm në muajin mars, 15 milionë euro më shumë kanë paguar drejtuesit e mjeteve dhe konsumatorët e gazit dhe të karburantit sepse është rritur çmimi.

Po a ja ka kthyer qeveria po themi këtë rritje çmimi, këtë rritje kostoje po themi këtyre banorëve, absolutisht jo, vetëm që nuk ja ka kthyer por përkundrazi i ka vendosur në kushte akoma më më më skandaloze sepse është rritur më tej varfëria dhe për pasojë ka dhënë efektet e saj".

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco