Nga Sonila Meço
Duhet kujtuar çdo orë se Shqipëria gdhihet e ngryset në narkoregjim.
Prej muajsh, ajo që për vite denoncohej nga opozita dhe gazetarë të guximshmëm po merr statusin e një konstatimi ndërkombëtar. Media me peshë globale, pas investigimesh dhe provash të qëndrueshme, po emërtojnë narkoshtetin në Shqipëri, atë që raportet e organizmave ndërkombëtarë po e prekin gjithnjë e më qartë, edhe pse ende hezitojnë t’ia shqiptojnë emrin e plotë, apo ta sfumojnë si fjalë mes 32 kushteve në raportin e IBAR-it. Është bërë kaq aq i dukshëm fenomeni ballkanik, sa mungon vetëm togfjalëshi për ta pagëzuar, shumë më herët se të zgjonim “xhelozinë” e fqinjëve, apo “armiqësitë” e të mëdhenjve të globit, siç i leverdis ta paketojë zemëratën masive, kryeministri i narkoshtetit të vetëm europian.
Ajo çfarë po kuptojnë edhe gazetarët e huaj është se nuk po protestohet ndaj një pushteti normal që gabon, humbet besimin, zhgënjen dhe zëvendësohet me votë.
Po protestohet ndaj një regjimi.
Dhe regjimi nuk është vetëm pushtet i keq. Narkoregjimi shqiptar, ky rast unik në Europë mbështet ekonominë tek sektorë ku mundësohet pastrimi i parave dhe shterimi i pasurive nën e mbitokësore.
Mbështetet tek krimi elektoral që nuk hetohet kurrë.
Mbështetet tek një drejtësi e dalë nga një reformë e kapur, me prirjen e zënies së saj nga një pjesë njerëzish të shantazhueshëm prej pushtetit dhe krimit.
Mbështetet tek fenomeni i frikshëm i patronazhimit, ku çdokush përgjohet, tundohet e nëse nuk bindet kërcënohet.
Mbështetet tek administrata më e madhe për frymë, prej 180,000 të emëruarish që u kërkohet me dhunë besnikëri elektorale.
Mbështetet tek vjedhja e të dhënave personale dhe përdorimi i institucioneve shtetërore si instrument kontrolli politik.
Mbështetet tek shpopullimi i territorit dhe emigracioni i trurit si strategji sundimi.
Ky është regjim me tipare të qarta të një narkoshteti, ku paratë nga korrupsioni dhe aktivitete të paligjshme e kriminale prodhojnë pushtet dhe pushteti prodhon më shumë para në një qark të mbyllur që ushqehet vetvetiu.
Të gjitha qeveritë kanë mëkatet dhe abuzimet e tyre. Por ka një vijë ndarëse që nuk duhet fshirë nga relativizmi i fabrikuar.
Një narkoregjim nuk është thjesht një qeveri më e korruptuar se të tjerat. Ai është një organizëm krejt tjetër.
Një qeveri e keqe vjedh, korruptohet, abuzon. Një narkoregjim ndryshon vetë metabolizmin e shtetit.
Narkoregjimi nuk nginjet vetëm duke administruar shtetin, por ndryshon ADN-në e tij, duke mos u mjaftuar me përdorimin e institucioneve, por riprogramimin e tyre. Për qëllimet e tij nuk i duhet thjesht të fitojë zgjedhjet, por të prodhojë kushtet që zgjedhje mos të ketë më dhe rotacioni të bëhet i pamundur.
Një narkoregjim ndërton jo vetëm shtet me korrupsion të lartë dhe krim të organizuar të fuqishëm, por i lejon kapitalit të paligjshëm të zbresë nga periferia e ekonomisë në mekanizmat e saj qendrorë të funksionimit.
Paraja e pistë bëhet lëndë djegëse e rritjes. Ndërtimi, koncesionet, tregu i pasurive të paluajtshme, turizmi luksoz dhe konsumi i fryrë fillojnë të mbështeten mbi flukse kapitali që ekonomia reale nuk i prodhon dot.
Një narko-regjim prodhon ekonominë e mirazhit, me para, pa prodhim. Rrëzon ligjet e kërkesë-ofertës. Ngre kulla pa fund, por me çmime të pakapshme. Investon në beton, por jo industri, ka qarkullim kapitali, por jo krijim vlere dhe mirëqenie për frymë.
Një narko-regjim të vjedh pasuritë me ligje, të grabit pronën me çertifikata institucionesh, të dërrmon vitet e jetës në beteja të gjata gjyqësore për një trashëgimi pasurore, që të të rraskapisë derisa të gjen, mashtron, bastis e dhunon sekseri i pushtetit, i krimit dhe trafikantëve.
Një narko-regjim fal territor, krijon parajsa fiskale dhe ndërton skema masive të shtrydhjes së shoqërisë në funksion të kastës. Krijon oligarkë me para taksapaguesish dhe i zhyt në borxhe që mund t’ua lajnë veç çunat e samiteve të ishujve ekzotikë.
Një narko-regjim e kap median, e bën investitore strategjike dhe i jep detyrën “patriotike” të riprodhojë realitetin.
Një narkoregjim e zhyt shoqërinë në kriza të çdo lloji, e mban në emergjencë, sa shëndetësore, psikologjike, progesionale. Sepse e nënshtron më kollaj. Ia zhbën edukimin, kërkimin shkencor, ia than kulturën e artin, zellin inovativ.
Nuk mjaftohet me kapjen e shtetit, përpiqet të kapë edhe imagjinatën e shoqërisë, duke e bindur se asgjë nuk mund të ndryshojë. Ky është talenti më i rrezikshëm i një narkoregjimi, të prodhojë cinizëm, relativizim, të bindë njerëzit se të gjithë janë njëlloj, që shoqëria mos të dallojë mes një pushteti që rrëzohet me votë kur është i keq dhe një narkoregjimi që sundon i pakërcënuar duke kolonizuar shtetin.
Shqipëria ka vuajtur qeveri të mbrapshta, konflikte të ashpra dhe korrupsion. Por një model ku paratë e pista, betonizimi, patronazhimi, kriminalizimi i shtetit, pandëshkueshmëria dhe deformimi i konkurrencës politike ndërthuren në një sistem si fortesë vetëmbrojtëse, është një fenomen i një rendi tjetër.
Zemërata e 14 ditëve po kërkon shprehjen konkrete të fundit të regjimit. Sekush e ka në shpinë kusurin e kësaj mynxyre anti-shtetare. Shqiptari që jeton këtu e shqiptari që iku me kokën e familjen pas. Ndaj jemi gjetur të gjithë atje në bulevard, sheshe e rrugë.
Kjo protestë masive nuk ka detyrë të prodhojë menjëherë liderë të rinj. Ajo krijoi diçka më të madhe dhe sublime, po prodhon një shumicë të re legjitimiteti kundër narkoregjimit të pashoq në historinë shqiptare dhe europiane. Dhe kjo po arrihet.
Ndaj ngjan e dobët një nga tezat, se “duhet të dalë një listë emrash”, se “duhet të dalë një këshill”. Ne nuk vuajmë nga mungesa e njerëzve të mençur e me integritet, si këtu e si në diasporë.
Liderët, këshillat dhe emrat vijnë pas. Nëse ngatërrohet rendi i gjërave, regjimi fiton sërish, sepse debati zhvendoset nga natyra e sistemit tek biografitë e disa individëve. Një fushë ku ky regjim “shkëlqen” në shkatërrimin dhe ndërtimin e karrierave dhe heronjve brenda natës.
Ky është narkoregjim, ka aftësinë diabolike t’i tresë t’i përçajë, t’i neutralizojë dhe madje t’i “injektojë” emrat që “u bëjnë punë”. Historia është plot me “fytyra të reja” që u bënë pjesë e të njëjtit mekanizëm. Ashtu siç ka plot, që për dinjitet u distancuan shpejt nga regjimi që donte t’i përdorte si ballinë “kurbani” për gjynahet e veta.
Narkoregjimit i duhet rrëzuar së pari legjitimiteti. Ky nuk është një pushtet që lejon rotacionin, as thjesht i keq dhe as i ngjashëm në historinë e Shqipërisë.
Koalicioni shoqëror prej bashkimit të protestuesve spontanë, profesionistëve, studentëve, biznesit të goditur nga narkoregjimi, opozitave politike, figurave publike dhe diasporës kanë fuqi çmontuese regjimesh përtej çdo liste e këshillash.
Artikulimi i krizës së legjitimitetit, kërkesat kryesore dhe të kuptueshme për rikthimin e konkurrencës demokratike, organizimi i qendrueshëm, presioni i vazhdueshëm qytetar, politik dhe ndërkombëtar e shndërrojnë protestën nga ngjarje në proces.
Tek e mbramja, askush që ka qeverisur këtë vend nuk mund të marrë çertifikatë pafajësie politike. Demokracia jeton pikërisht nga aftësia për të gjykuar me të njëjtin kut të gjithë aktorët. Drejtësia e bëftë sa më shpejt.
Por po aq e rrezikshme sa verbëria partiake është edhe verbëria e relativizmit mes një pushteti me mëkate dhe një narkoregjimi që ka arritur të ndërthurë kapitalin e errët, asgjësimin e opozitës, kapjen e institucioneve nga krimi dhe ekonominë e betonit në një sistem ekzistencial, në një mekanizëm që riprodhon vetveten, korrupton edhe ndërkombëtarë e kriminalizon qelizën shoqërore për pushtetin e përjetshëm.
Le të kujtojmë çdo orë, Shqipëria nuk po përballet me një pushtet me prirje autoritare apo me një qeveri të korruptuar që rrëzohet me votë, siç ka ndodhur në të shkuarën përgjatë tranzicionit.
Ky është narkoregjim.
© SYRI.net