Partia Demokratike ndodhet në një proces të thellë riorganizimi, i cili pritet të kulmojë me zgjedhjen e kryetarit të ri dhe mbajtjen e Kuvendit Kombëtar në fund të muajit maj.
Për kreun e Kuvendit Kombëtar, Edi Paloka, ky proces nuk është thjesht një riorganizim rutinë, por një përshtatje e domosdoshme ndaj asaj që ai e cilësoi si "diktaturë" e instaluar në vend.
Në një intervistë për edicionin e pasdites në Syri Tv, Paloka shpjegoi se procesi zgjedhor ka nisur nga baza e partisë dhe do të finalizohet me zgjedhjen e kryetarit të partisë dhe strukturave të reja drejtuese si Këshilli Kombëtar dhe Kryesia.
Megjithatë, pika më e rëndësishme e këtij procesi do të jetë rishikimi i statutit të partisë, ku Paloka tha se një grup pune është ngritur për të propozuar ndryshime, të cilat më pas do t'i kalojnë për miratim Kuvendit Kombëtar.
Arsyeja kryesore për këto ndryshime, sipas Palokës, është situata politike anormale. "Ne jemi në diktaturë, pavarësisht formës që ajo shfaqet," deklaroi ai, duke theksuar se qeveria e sheh opozitën si armike dhe e lufton atë si të tillë.
Ai përmendi se ky represion ka bërë që shumë anëtarë të PD-së dhe qytetarë të tjerë të largohen nga Shqipëria. Si dëshmi për këtë luftë politike, Paloka solli në vëmendje denoncimet e fundit të bëra nga deputetja socialiste Elisa Spiropali, të cilat, sipas tij, konfirmojnë atë që PD ka thënë prej kohësh për mënyrën se si kryeministri Rama i trajton kundërshtarët.
Në këtë kontekst, ndryshimet statutore dhe riorganizimi i partisë, sipas deputetit të PD, synojnë të forcojnë strukturat e PD-së për t'iu përgjigjur kësaj sfide. "Jemi të detyruar të përshtatemi në këto kushte për të reaguar ndaj diktaturës," tha Paloka, duke shtuar se i gjithë procesi duhet të bëhet me këtë pikësynim.
Gati më shumë se një muaj, Partia Demokratike është futur në procesin e riorganizimit ose të rizgjedhjes së strukturave të saj, duke filluar nga baza, nga seksionet te grup seksionet dhe deri tek zgjedhja e kryetarëve të degëve pastaj dhe kryesive të degëve, që do finalizohet me zgjedhjen e kryetarit të Partisë Demokratike dhe me kuvendin kombëtar të Partisë Demokratike, i cili do të zgjedhë pastaj dhe strukturat e tjera siç është Këshilli Kombëtar e më pas kryesia e Partisë Demokratike, pra kryesia qendrore e Partisë Demokratike, por edhe më e rëndësishme se kjo le të themi, ky proces zgjedhjesh do të jenë dhe rishikimi i disa pikave të statutit, është ngritur një grup pune për rishikimin e statutit të Partisë Demokratike, i cili do t'i propozojë kuvendit edhe ndryshime pra që përshtatje me situatën ku jemi. Besoj do të ketë edhe disa pika të këtij statuti që do të ndryshohen, thashë, për t'u përshtatur me situatën. Do të ketë dhe propozime të tjera, besoj, unë vetë kam disa propozime për të bërë për ndryshimin e statutit, që ja kam paraqitur si ide kryesisht kryesisë pak a shumë dhe grupit që merret me ndryshimin e statutit. Do të shohim pastaj do t'i përshtatim të gjitha edhe propozimet që do të vijnë, se me siguri do të ketë dhe propozime të tjera nga individë apo nga grupe, të cilët them që do të kenë propozime pra për ndryshimin e statutit dhe në fund fare do të jetë kuvendi që do të shohë se cilat nga këto ndryshime do të jetë më të përshtatshme, më të favorshme dhe më optimale për zhvillimet në Partinë Demokratike dhe në arenën politike pastaj.
Të gjitha kanë të bëjnë me sigurisht me mbarëvajtjen e punëve të Partisë Demokratike. E ke fjalën për ato që do propozoj unë, në përgjithësi janë ndryshime thashë që do të përshtatin statutin në bazë të situatës së re politike ku jemi, sepse nuk jemi në as në kushte normale politike. Pra, prej kaq vitesh jemi në diktaturë. Për mua nuk ka asnjë dilemë, ne jemi në diktaturë, pavarësisht formës që ajo shfaqet dhe sigurisht dhe Partia Demokratike është në një situatë ë jo të atyre viteve kur sigurisht kishim një strukturë krejt tjetër, funksiononim me një numër tjetër anëtarësh, jo në situatën e këtij represioni. Shumë prej anëtarëve të Partisë Demokratike, shqiptarëve në radhë të parë, po mes tyre shumë prej anëtarëve të Partisë Demokratike janë detyruar të largohen fare nga Shqipëria. Represioni është i madh. Unë ua kam thënë nëpër takime demokratëve. Sot, dhe jo vetëm unë, sot është sakrificë e madhe të jesh në opozitë, sepse nuk është një opozitë normale. Jemi përballë një qeverie që opozitën prej kohësh e sheh si armike, e lufton si armike, e lufton çdo individ, çdo demokrat e lufton si armik.
Dhe po shohim ç'po i bëjnë, ç'po i bën Rama të vetëve. Mjafton çfarë ka denoncuar deri tani Elisa Spiropali për të kuptuar ose për të konfirmuar atë që Partia Demokratike i ka thënë prej kohësh se çfarë ndodh me ata që Rama i konsideron jo thjesht kundërshtarë, por armiq të tij politik. Pra, ajo çfarë, po e marr dhe njëherë Spiropalin si shembull, çfarë ka denoncuar Spiropali është vetëm një pikë në atë që ndodh realisht në një vend ku, edhe njëherë e them, sundon diktatura. Pra, ne, duke u kthyer edhe njëherë tek pyetja juaj, jemi të detyruar, ky është mendimi im të paktën, të përshtatemi në këto kushte për të reaguar pastaj ndaj ëh diktaturës. Edhe struktura, dhe riorganizimi i Partisë Demokratike mendoj që duhet bërë me këtë pikësynim. Besoj këtë do ta ketë parasysh grupi që po merret me statutin, po thashë, do të ketë edhe propozime pastaj të tjera që do t'i bëhen këtij grupi për t'u hedhur e për t'u paraqitur në, në kuvend i cili ka pastaj tagrin që t'i miratojë këto ndryshime.
© SYRI.net