Gjykata e Posaçme ka ndarë çështjen për 11 nga 30 të pandehurit e dosjes “Veliaj”, të cilët do të gjykohen me procedurë të shkurtuar, dhe mes të cilëve janë miku i kryebashkiakut, Elman Abule, dhe ish-deputetja socialiste Klotilda Bushka. GJKKO pritet të hedhë shortin dhe të caktojë një tjetër trupë gjykuese për Erion Veliajn dhe të pandehurit e tjerë që do të gjykohen me procedurë të shkurtuar. Seanca u shoqërua me debate mes mbrojtjes së Veliajt dhe prokurorëve të SPAK, ku nuk u kursye as ironia. Togat e zeza rrëzuan kërkesën e të pandehurit kryesor në këtë proces që gjyqi të transmetohej live në media dhe që të mos qëndronte në kafazin e blinduar.
Mes debateve, tensioneve, kërkesave dhe disa vendimeve me rëndësi, gjyqi për Erion Veliajn këtë të hënë është mbyllur me ndarjen e gjykimit për 11 të pandehur, mes të cilëve Elman Abule dhe Klotilda Bushka, të cilëve iu pranua kërkesa për gjykim të shkurtuar, ndërsa seanca ndaj tyre, ku SPAK do të lexojë konkluzionet përfundimtare, u la për më 20 maj.
Kryebashkiaku i Tiranës paraqiti një tjetër arsye për mosprezencën në seancë, duke thënë se do të merrte pjesë vetëm nëse nuk do të qëndronte pas kafazit të blinduar. Ndërkohë, çështja ndaj tij, bashkëshortes Ajola Xoxa dhe disa biznesmenëve do të gjykohet me procedurë të zakonshme, ku pritet të hidhet shorti për caktimin e trupës së re.
Avokati i Erion Veliajt kishte dy kërkesa kryesore për gjykatën: transmetimin live të gjyqit dhe nxjerrjen e të mbrojturit prej tij nga kafazi i blinduar për të qëndruar krah mbrojtjes. Por të dyja kërkesat, për të cilat edhe SPAK u shpreh kundër, u rrëzuan nga togat e zeza. Në debatin mes Ndrecës dhe prokurorëve Dado e Dumani nuk munguan as ironitë:
“Kemi dy muaj që kemi kaluar në themel dhe vijojmë me seancat paraprake. Avokatët e Veliajt, në mënyrë të përsëritur, me kërkesa artificiale në gjykimin tonë, me qëllim zgjatjen e shqyrtimit gjyqësor. Gjyqi live?! Ne si organ akuze nuk e kemi problem, por mund të shqetësojë procesin. Çështjet penale ku ka dëshmitarë, për më tepër bashkëpunëtorë drejtësie, nuk lejohet transmetimi live; nuk ndodh kjo as në rajon, as në Evropë, as në gjykatat federale në SHBA. Mund të lejohen kamerat për disa pamje filmike, por dëshmitarët dhe bashkëpunëtorët nuk mund të ekspozohen.”
“Ne nuk kemi qëllim të zvarrisim procesin. I vetmi që mbahet në burg është Erion Veliaj dhe ai ka interes që ky proces të ecë sa më shpejt. Ne nuk pranojmë të ecim pa qenë një proces i rregullt ligjor. Veliaj të nxirret nga kafazi në gjykatë, si në Gjykatën Kushtetuese, ku nuk pati asnjë problem. Cenohet barazia në proces; merrni masa për këtë.”
“Nuk besojmë se përbën problem, s’është kafaz por një xham, ka edhe një të çarë aty ku mund të komunikohet. Kushtet e Gjykatës së Posaçme janë shumë të mira, si hotel me 5 yje.”
“Ndrysho vendet me të, qëndro ti në kafaz dhe të ulet z. Veliaj ku jeni ulur ju.”
Plarent Ndreca u pyet nga gazetarët në përfundim të seancës për mungesën e Veliajt dhe tha se e vetmja pengesë është kafazi.
Gjykata iu tërhoqi vëmendjen palëve lidhur me replikat që u bënë. Nga ana tjetër, avokati Plarent Ndreca ngriti shqetësime mbi mënyrën e administrimit të kallëzimeve anonime, duke përmendur rastet e Nesti Angonit dhe Nasta Pëllumbit, dhe kërkoi nga SPAK të tregojë mënyrën se si kanë mbërritur këto kallëzime. Ndreca shtoi se në dosjen hetimore përfshihen përgjime që mbrojtja nuk i ka dëgjuar drejtpërdrejt, por vetëm përmes procesverbaleve, të cilat sipas tij janë interpretime, si dhe kërkoi që të skanohen të gjithë fashikujt hetimorë. Ndërkohë, ndonëse disa media kishin shfaqur interes për të ndjekur seancën, gjykata nuk i lejoi ato as për marrjen e pamjeve në fillim të saj, pasi kundërshtoi biznesmeni Elman Abule.
© SYRI.net