Gjykata Kushtetuese ka zbardhur të plotë vendimin e saj, lidhur me kërkesën e PD për shfuqizimin e ndryshimeve të miratuara nga PS “Për miratimin e Rregullores së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar”, si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.
Në vendimin e zbardhur, GJK vëren se mazhoranca përmes ndryshimeve të miratuar, ka cenuar parimin e demokracisë përfaqësues.
‘...i cili i garanton çdo anëtari të Kuvendit që të ushtrojë, gjatë veprimtarisë parlamentare, të drejtat që burojnë nga statusi i tij kushtetues, i përcaktuar në nivel kushtetues lidhur me lirinë e shprehjes dhe jo vetëm, për shkak se pengimi është evidentuar edhe në drejtim të rolit substancial të pakicës parlamentare për të paraqitur amendamente dhe ndryshime në projektvendimin për ndryshimin e Rregullores, si pasojë e mosrespektimit të afateve minimale të kërkuara që u mundësojnë deputetëve që të reflektojnë dhe prodhojnë nisma të tilla, duke sjellë në këtë mënyrë asgjësimin e këtyre të drejtave në këtë proces.’, thuhet në vendim.
Gjykata çmon se mënyra e thirrjes së Kuvendit në seancë plenare, si dhe procedura e përshpejtuar e miratimit të ndryshimeve të Rregullores kanë sjellë cenimin e parimit të demokracisë përfaqësuese në drejtim të lirisë së shprehjes së deputetëve të pakicës parlamentare.
Për rrjedhojë, vëren, Kushtetuesja, pretendimi i kërkuesit në këtë drejtim është i bazuar.
Efektet shfuqizuese të vendimit, pritet të hyjnë në fuqi 30 ditë nga data e botimit në Fletoren Zyrtare.
Ndryshimet që parashikonin rritjen e numrit të komisioneve parlamentare nga 8 në 11 u bënë vetëm 3 ditë pas konstituimit të parlamentit në shtator, ndërsa PD pretendonte që ndryshimet jo vetëm u bënë në mënyrë të nxituar dhe pa respektuar as afatet e procedurës së përshpejtuar, por përmes ndryshimeve të njëanshme edhe ngushtuan hapësirat e saj në parlament.
Nga 11 komisionet e reja, 7 prej tyre drejtohen nga Partia Socialiste, ndërsa 4 nga opozita, kësaj të fundit iu mor edhe drejtimi i Komisionit për Integrimin, që u bashkua me atë të Jashtëm në një komision të vetëm.
© SYRI.net