E ftuar në emisionin e mëngjesit “KAFE SHQETO” në SYRI TV me modratorin Flavio Qarri ishte gazetarja Ambrozia Meta, e cila komentoi protestat e fundit masive që kërkojnë largimin e kryeministrit Rama dhe qeverisë së tij.
Gjatë intervistës, Meta u shpreh se kryeministri Edi Rama ndodhet përballë një ekspozimi publik të paprecedentë, pavarësisht investimit të gjatë në propagandën politike.
Sipas saj, çështje të debatuara prej vitesh nga opozita, si ato të Sazan dhe Zvërnec, janë rikthyer në qendër të vëmendjes publike dhe kanë ndikuar në rritjen e pakënaqësisë qytetare. Ajo theksoi se shumë prej shqetësimeve që ngriheshin nga aktivistë dhe qytetarë vite më parë, sot po gjejnë më shumë mbështetje në opinionin publik.
Meta vlerësoi gjithashtu qëndrueshmërinë e protestave, duke theksuar se ato kanë treguar një rezistencë të pazakontë në kohë dhe një rritje të vazhdueshme të pjesëmarrjes.
Duke u ndalur te reagimi publik ndaj zhvillimeve në Zvërnec, Meta tha se ngjarjet e fundit kanë shërbyer si pikë kthese për shumë qytetarë, duke e bërë më të vështirë, sipas saj, që situata të kalojë pa reagim.
Më tej, gazetarja komentoi edhe reagimet ndërkombëtare lidhur me projektet e investimeve në zonat e mbrojtura. Ajo vuri në dukje se institucionet europiane kanë dhënë sinjale për mbrojtjen e këtyre zonave dhe shtoi se, sipas parashikimit të saj, polemikat e krijuara mund të ndikojnë në të ardhmen e projekteve të lidhura me familjen Donald Trump, duke parashikuar se kjo e fundit mund të tërhiqet nga iniciativa e diskutuar
Ambrozia Meta:
Rama është investuar shumë gjithë këto vite për propagandën e vet dhe kjo është ndoshta hera e parë në gjithë këto vite që ai është në pushtet, që është më i ekspozuar se kurrë. Pra ndoshta në qoftë se ne kemi qenë në çadrat e para që kemi dalë kundër dhe nga shumë njerëz mund të shiheshim edhe si persona që kishim axhenda të caktuara, mbështesnim opozitën, na kanë sulmuar, na kanë cilësuar si personat e opozitës... sot nuk ka asnjë njeri në atë shesh që nuk e kupton që Edi Rama është një hajdut dhe është një person i cili është i gatshëm të falë tokat e vendit, që i ka falur tokat e vendit, që është i gatshëm t'i shesë vetëm për të blerë pushtet personal. Kur ne e thoshim këtë para dy viteve, çështja e Sazanit dhe e Zvërnecit është shumë e vjetër.
Pra kanë ndodhur shumë gjëra gjatë këtyre viteve, pavarësisht se njerëzit tani u ngritën, ndoshta ishte dhe gjë shumë e mirë. Atëherë unë e mendoja dhe më dukesh shumë çudi, thosha 'Ore nuk e kuptojnë këta njerëz që ky po i jep këto gjëra vetëm për të pasur akses te familja Trump, vetëm për të bërë lojërat e tij të pushtetit dhe vetëm për të vazhduar për t'u përqendruar në pushtet'. Më dukej e çuditshme që ishin shumë pak njerëz që e ngrinin zërin.
Sot nuk ka njeri që nuk e ka kuptuar që Ramës i ka rënë totalisht maska, e gjithë propaganda, dhe me të vërtetë pavarësisht se aty ka njerëz që janë të acaruar me të gjithë klasën politike, me gjithë sistemin që është ngritur, urrejtja ndaj tij dhe fakti që të gjithë ata që janë në shesh sot e kuptojnë se çfarë i ka bërë ai Shqipërisë në gjithë këto vite, kam përshtypjen që është arsyeja kryesore sepse kryeministri pësoi edhe këtë metamorfozë.
Sepse ndoshta, ashtu si dhe ne, edhe ai nuk e ka parashikuar që qëndresa të ishte kaq e gjatë, kaq e shtrirë në kohë, kaq e vendosur dhe njerëzit mos lodheshin. Se ne jemi mësuar në Shqipëri që të kemi kauza të cilat ngrihen dhe pastaj njerëzit fillojnë të lodhen, është normale, futen rryma të caktuara, përçahen. Ndërkohë që kjo ka qenë një protestë që deri tani ka treguar që vetëm shtohet në numër dhe vetëm e vijon më shumë rezistencën, nuk do të psohet.
Po për pjesën e parë, më vjen ndonjëherë për të qeshur se ka persona, ka njerëz në protestë të cilët nuk dua të them nuk kanë qenë shumë të informuar, po duket sikur vërtet nuk e kanë pasur idenë se çfarë ka ndodhur në Shqipëri.
Dhe unë kur dëgjoj disa persona që dalin edhe në rrjetet sociale edhe bëjnë thirrje, pavarësisht se thirrjet e tyre janë shumë të mirëpritura dhe unë i mbështes për të dalë në protestë, më duket pak qesharake dhe qesh kur thonë që 'sot është Narta, nesër mund të jetë dikush tjetër'.
Në fakt Narta është e fundit! Zvërneci është i fundit, i ka falur të gjitha, i ka paketuar. Po mendoj që ajo që e mbushi kupën këtë herë në sytë e njerëzve ishte ajo që ndodhi në Zvërnec.
Tërheqja zvarrë e atij njeriut, shteti që u bë bashkë, mediat që kyçen gojën, pra u krijuan të gjithë faktorët që njerëzit në një farë mënyre e kuptuan që aty Rama doli vërtetë lakuriq, Rama doli vërtet si është. Dhe kam përshtypjen që ai ishte momenti që këtë herë e bëri ndoshta më dramatike situatën dhe më të vështirë për të për t'u heshtur.
Bashkimi Europian duket sikur ka një qasje kundër investimit. Edhe ata kanë ato le të themi qëndrimet e tyre sa i përket gjeopolitikës, sa i përket Trumpit. Dhe kanë dhënë mesazhe, zakonisht Brukseli e dimë që tregohet shumë i kursyer, shumë burokratik, dhe në Shqipëri kanë dhënë mesazhe në një farë mënyre kundër investimit duke kërkuar që të mbrohen ato zona.
Megjithatë po bëjmë një lloj parashikimi, unë mendoj që fakti që çështja u bë kaq e madhe, mendoj që familja e Trumpit do tërhiqet. Rama vetë nuk do tërhiqet, Rama vetë nuk do ta japë dorëheqjen. Po unë kam përshtypjen që do tërhiqen ata, dhe shpresoj të tërhiqen ata.
© SYRI.net