Një alarm i ri po ngrihet në zonën bregdetare të jugut lidhur me një projekt që pritet t'u heqë qytetarëve ujin e pijshëm për të furnizuar resorte luksoze. Sipas denoncimeve të fundit publike, ekziston një plan i mirëfilltë për devijimin e vendburimit natyror të fshatit Tragjas, një burim i cili aktualisht mezi plotëson nevojat e vetë komunitetit vendas gjatë pikut të sezonit veror. Synimi është që ky ujë të dërgohet përmes stacioneve të pompimit drejt Palasës, Dhërmiut dhe Drimadhës, zona jashtë juridiksionit të bashkisë përkatëse, për të shërbyer kryesisht në tualetet dhe pishinat e të ashtuquajturve "investitorë strategjikë".
Atird Hoxha, kreu i këshilltarëve të PD në Vlorë tha gjatë një interviste me moderatorin Flavio Qarri në emisionin “Kafe Shqeto” ne Syri tv se, ky veprim do të linte në krizë të thellë hidrike fshatrat Tragjas, Dukat, Radhimë dhe Orikum, aty ku qytetarët dhe emigrantët kanë investuar prej vitesh kursimet e tyre në turizëm. Paradoksi thellohet edhe më shumë kur analizohet mënyra se si po veprojnë institucionet vendore. Megjithëse ujësjellësi është nën administrimin e Ministrisë së Infrastrukturës dhe pushteti lokal është thjesht një aksioner, është hapur një procedurë tenderimi për studim-projektim në mungesë transparence dhe me një qasje që po cilësohet si arrogante dhe në kundërshtim me normat buxhetore e ligjore.
Përtej grabitjes së ujit, po dalin në dritë edhe skandale të tjera të lidhura me tjetërsimin e pronave të cilat dyshohet se janë falsifikuar për të ndërtuar këto resorte luksoze.
Flavio Qarri: Tani duket se vazhdon të jetë pa ndalim plani për ta tharë Vlorën për ujë edhe fshatrat edhe kullotat, dhe mbi të gjitha për të pasur çik ujë nëpër ca resorte. Po ndodh një rezistencë apo po vazhdon i qetë ky plan?
Atird Hoxha: Ka pasur një rezistencë dhe për të qenë më të saktë edhe me qytetarët që na ndjekin, ka të bëjë me grabitjen e ujit në fshatin Tragjas... edhe kronika që u anoncua pak më parë, është konkludimi i aktit përfundimtar për të grabitur vendburimin në fshatin Tragjas, i cili ashtu siç e kam thënë edhe në intervista të tjera edhe me juve, po edhe me kolegët tuaj të tjerë, është një vendburim i cili është i pamjaftueshëm për zonën dhe jo më të merret dhe të çohet ky ujë, të çohet në Palasë edhe në Dhërmi. Unë nuk arrij të kuptoj dot se si Bashkia Vlorë do të justifikojë këtë procedurë të cilën ka nisur për studim-projektim, dhe jam i bindur që ka të bëjë me ndonjë ndërtim depoje apo ndonjë zonë pompimi që ka të bëjë me grabitjen e vendburimit të ujit të Tragjasit dhe për ta çuar atë nëpër venddepozitimet dhe vendpompimet e tjera, për ta çuar dhe për ta konkluduar deri në zonën ku shtrihen investitorët strategjikë, që ka të bëjë me zonën e Palasës, Dhërmiut, Drimadhës e të tjera.
Në të njëjtën kohë nuk arrij dot të kuptoj ligjërisht se si do të procedohet pasi ujësjellës-kanalizimeve është tashmë në administrim të Ministrisë së Infrastrukturës. Dhe Bashkia Vlorë është vetëm dhe thjesht aksionere pasi kur është bërë ai plani i famshëm për ato 12 ujësjellësat kombëtarë, është bashkuar SHA Ujësjellësi Vlorë me SHA Ujësjellësin Himarë dhe SHA Ujësjellësin Selenicë. Por ndërkohë administrimi dhe aksionet kryesore, pra 51% të aksioneve dhe administratori dhe menaxhimi i të gjitha aseteve dhe burimeve financiare bëhet nga ministria. Unë nuk kuptoj dot se si ka arritur në këtë konkluzion administrata ekzekutive e Bashkisë Vlorë me në krye një arrogante, më keq sesa Rama do ta konsideroja unë atë kryetaren e bashkisë. Ajo me arrogancë dhe pa zbatuar asnjë normë ligjore dhe asnjë ligj të zbatueshëm sa i përket buxhetit të bashkisë, hyn në një procedurë tenderimi për studim-projektim pikërisht për të grabitur ujin e fshatit Tragjas dhe për të hequr një vendburim të rëndësishëm për zonën e Tragjasit, Dukatit, Radhimës dhe Orikumit. Dhe për t'ia çuar këtë, për t'i bërë favor klientëve të qeverisë të cilët kanë ndërtuar dhe vazhdojnë të ndërtojnë resorte në toka të grabitura, të falsifikuara, siç po rezultojnë tashmë të gjitha pronësitë në të cilat janë ndërtuar këto resorte.
Dhe jam i bindur që në qoftë se prokuroria e posaçme do të vazhdojë të hetojë në të gjithë zonën në të cilën janë ndërtuar këto resorte, ku janë të gjithë shokët, miqtë, ata darkuesit edhe drekuesit e kryeministrit Rama në Dhërmi, do të gjejë gjëra të jashtëzakonshme sa i përket pronësisë, në të cilat vetë qeveria këtyre personave u ka dhënë edhe statusin e investitorit strategjik. I cili, sipas ligjit faktikisht, do duhet që qeveria dhe taksapaguesit, buxheti i shtetit dhe taksapaguesit shqiptarë do duhet t'i pajisin këta investitorë strategjikë me infrastrukturë: në kanalizime, në ujësjellësa, në rrugë, në trotuare, në ndriçim, në energji elektrike e të tjera si këto. Sepse këta duke qenë të preferuarit e qeverisë, sepse duket ndonjëherë kështu kur flasim edhe ne që kemi përkatësi politike kur themi investitorë strategjikë, po ky investitori strategjik është i veshur me një sërë veprimesh ligjore dhe me një sërë financimesh nga buxheti i shtetit që janë taksat e qytetarëve në fund. Do ta konsideroja kriminale vendimin përfundimtar për të grabitur, dhe ju e keni parë madje dhe Rama në aksion në vetë të parë në grabitjen e ujit të Tragjasit, i cili thashë dhe njëherë, në kushtet ose në matjet që bëhen në muajt qershor, korrik, gusht dhe shtator, është në nivele minimale vetëm për zonat të cilat ai mbulon aktualisht. Dhe tani ne nuk mund të shkojmë të çojmë ujë 24 orë në Drimadhë e në Palasë, që nuk është as në hartën territoriale të bashkisë që mbulohet nga Bashkia Vlorë.
Të furnizohen me 24 orë ujë të pijshëm këta zotërinj dhe ndërkohë vetë fshati Tragjas, vetë Dukati, vetë Radhima dhe Orikumi, nuk kanë ujë 24 orë. Imagjinojeni domethënë se me çfarë tendence këta shkojnë dhe investojnë paratë e qytetarëve për t'u bërë favor klientëve të qeverisë në Palasë, në Dhërmi, Drimadhë e të tjera. Jo se ata nuk duhet të kenë ujë, të kuptohemi qartë, por unë në biseda edhe me ekspertë atje ka me dhjetëra, për të mos thënë me qindra, vendburime të ujit të pijshëm të cilat mjafton që me investime ndër vite të ishin bërë, ato do të kanalizoheshin dhe do të grupoheshin për t'i furnizuar. Edhe tjetrën e kam thënë dhe do vazhdoj ta them, uji që këta zotërinj kërkojnë nuk është uji që kërkohet për t'u shërbyer si ujë i pijshëm, por është uji që shërben për tualetet e investitorëve strategjikë dhe për pishinat e investitorëve strategjikë. Është e pafalshme që ne të nxjerrim jashtë loje një zonë në të cilën po investohet dhe kanë investuar ndër vite emigrantë, qytetarë në zonën e Radhimës, një zonë bregdetare shumë e bukur, në të cilën po investohen miliona euro nga qytetarët vlonjatë, ndoshta dhe nga investitorë të tjerë të huaj, të cilët më pas do të vuajnë mungesën e ujit të pijshëm. Dhe pse? Sepse ky ujë i pijshëm, nga ky vendburim, i cili është aktualisht një vendburim natyral, do të shkojë te investitorët strategjikë në Palasë e të tjera.
© SYRI.net