Policia mbrojti me militantizëm Narkoshtetin

Policia mbrojti me militantizëm Narkoshtetin

23:54, 18/04/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Nga Ylli Dylgjeri/

Deklarimet e mbrëmshme të Ministrit të Brendshëm Lamallari pas protestës së Opozitës, se "Policia veproi me profesionalizëm..." më lanë me gojë hapur! S'di ku ta kërkoja profesionalizmin e Policisë së Shtetit mbrëmë? Ta kërkoja te goditjet me shqelma, me shkopinj të uniformave anonime, te civilët me kapuç që lëshoheshin si çakej, te goditjet me gaz lotsjellës për arinjtë, ta kërkoja te rrahja e deputetëve, te tërheqja zvarrë e një pensionisti, te asfiksimi dhe përplasja në tokë e fotoreporterit, te lotët e gazetarëve, te barrelat me aktivistë, te thirrja qesharake e policëve për t’u shtruar urgjent te Trauma se duhej vënë ekuilibri i dhunës me protestuesit, te vizita prej kllouni e Lamallarit në krevatet e Traumës?

Zoti Lamallari!

Që je një diletant, kjo s'ka nevojë për shumë argumente, por edhe që je i palexuar po ashtu... Fytyra jote habitore më çudit sa herë del në TV.
Nuk di kush e drejtonte operacionin policor mbrëmë, se në të tilla situata ndërhyn mendje pas mendjeje, por ajo që më bëri të thërras ishte:

Pse nuk i la policia deputetët të kalonin për të shkuar në Kuvendin e tyre? Deputetët nuk mund të ndaloheshin, turmat po. Kjo ishte një provokim sa amator aq edhe dhunë.
A ke dëgjuar për puçin e Mynihut, ti ministër? Ishte edhe Adolf Hitleri mes turmës, por ishin edhe oficerë të lartë, ish-gjeneralë, kundërshtarë të kancelarit të kohës që u vërsulën drejt zyrave të Ministrisë së Mbrojtjes gjatë puçit.
Puçi i Mynihut (i njohur gjithashtu si Puçi i Mynihut ose Beer Hall Putsch) ishte një përpjekje e dështuar për grusht shteti nga Adolf Hitler dhe Partia Naziste (NSDAP) mes 8 dhe 9 nëntorit 1923, në Mynih të Gjermanisë, për të rrëzuar Qeverinë e Bavarisë.

Edhe puçistët mësynë drejt institucioneve, por
Urdhri që u dha nga policia ishte:
Të hapet dera dhe të hyjnë ushtarakët e lartë në Ministri, sepse ata janë pasuria jonë kombëtare, janë ushtarakë të shtetit, dhe më pas të mbyllet dera dhe të thyhen puçistët, anarkistët, bashkë me Hitlerin...
Në demonstratë mbrëmë ishte opozita shqiptare, ishin të zgjedhurit me votë.
Ç'punë kishte policia me ndalimin, goditjen dhe dhunën ndaj deputetëve?
Policia nuk duhet të kundërpërgjigjet edhe nëse e godet një deputet.

Tjetër,
u bënë mbi 30 vite që nga rrëzimi i diktaturës, 14 vite të drejtimit të socialistëve në qeveri dhe ky vend akoma nuk ka krijuar një klasë policore inteligjente, të kualifikuar dhe të pavarur, ku grada të jetë e merituar. Vetëm emëro e largo banditë nga ministër në ministër.
Kjo është klasa policore që krijuat ju dhe të tjerët para jush, zoti Rama. Se ju ndryshuat ligjin për Policinë e Shtetit sipas orekseve tuaja. Erdhen vit pas viti militantë dhe të paditur, pazarxhinj policësh e suport trafikantësh nga komisariati në drejtori.
Kjo është Republika jote. Ky nuk është perceptim. Ky është realitet. Kjo është dhuna e narko-shtetit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco