Arbër Teqja, nyja që lidh lavanderitë spitalore, riciklimin, kompanitë e lidhura me sterilizimin dhe ndërtimet mbi 100 milionë euro

Arbër Teqja, nyja që lidh lavanderitë spitalore, riciklimin, kompanitë e lidhura me sterilizimin dhe ndërtimet mbi 100 milionë euro

12:30, 15/06/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Dokumentet e hulumtuara nga Syri, zbulojnë një aferë gjigante korruptive me transaksione aksionesh në vlera simbolike, qindra milionë lekë kontrata publike dhe një zinxhir kompanish ku të njëjtët emra shfaqen vazhdimisht

Një analizë e dokumenteve të Qendrës Kombëtare të Biznesit, bilanceve financiare, kontratave publike dhe regjistrave të aksionerëve, e konsultuar nga Syri, evidenton një rrjet kompanish dhe personash që shfaqen në mënyrë të përsëritur në sektorin e lavanderive spitalore, riciklimit të mbetjeve mjekësore, sterilizimit dhe ndërtimit.

Në qendër të këtij rrjeti del emri i Arbër Teqjas, i cili gjatë viteve rezulton administrator ose aksioner në disa kompani që lidhen me individë dhe subjekte që kanë përfituar kontrata publike me vlerë qindra milionë lekë.

Nga SERVIZI ITALIA te SANITARY CLEANING

Dokumentacioni financiar publik i kompanisë italiane SERVIZI ITALIA S.P.A tregon se ajo ka pasur pjesëmarrje aksionere në dy kompani shqiptare:

* SANISERVICE SHPK, kompania e lidhur me koncesionin e sterilizimit;

* SANITARY CLEANING SHPK.

SANITARY CLEANING themelohet më 16 dhjetor 2014 nga Fatos Deliu.

Në shkurt 2015, Fatos Deliu emëron administrator me prokurë Olsi Zeqirin, i cili rezulton i punësuar edhe në kompaninë DEJA TURIZEM, shoqëri që ka në pronësi resortin BLUMARE në Spille.

Më 21 maj 2015 kompania regjistron adresë dytësore brenda një spitali privat në Tiranë.

Në prill 2018 hapet një tjetër adresë dytësore brenda Spitalit Rajonal të Durrësit.

Më 15 maj 2018, Fatos Deliu shet 60% të aksioneve te kompania holandeze BERIN B.V për 12 mijë euro.

Vetëm dy muaj më vonë, më 13 korrik 2018, ai shet edhe 40% të aksioneve te SERVIZI ITALIA S.P.A.

Megjithatë, bilancet tregojnë se kompania ishte fitimprurëse:

* 2017: xhiro 104 milionë lekë dhe fitim 12 milionë lekë;

* 2018-2019: xhiro 316.4 milionë lekë dhe fitim 28.9 milionë lekë;

* 2020: xhiro 154.4 milionë lekë dhe fitim 26.1 milionë lekë;

* 2021: xhiro 146.9 milionë lekë dhe fitim 22.2 milionë lekë.

Në bilancin e vitit 2022 klienti kryesor rezulton një spital privat, ndërsa ndër klientët e tjerë figurojnë Spitali Universitar i Traumës dhe DEJA TURIZEM.

Ndër furnitorët kryesorë figurojnë:

* VIDEL SHPK;

* RIKI FABRICS;

* SARDI 2011.

Sipas të dhënave financiare, SANITARY CLEANING ka përfituar 251.684.313 lekë pagesa nga buxheti i shtetit për kontrata lavanderie me Spitalin e Beratit, Spitalin e Traumës dhe Spitalin Ushtarak.

Fitimi i pashpërndarë deri në vitin 2022 rezulton rreth 74 milionë lekë.

Shitja e aksioneve pas arrestimit të Ilir Rrapajt

Më 13 shtator 2023, SERVIZI ITALIA shet 40% të aksioneve që zotëronte në SANITARY CLEANING për 100 mijë euro te Fatos Deliu dhe Bashkim Jata.

Ky transaksion ndodh më pak se një muaj pas arrestimit të Ilir Rrapajt nga SPAK më 16 gusht 2023.

Në dhjetor 2023, Fatos Deliu shet 20% të aksioneve që zotëronte te AMPHORA HOLDING, kompani e themeluar vetëm pak muaj më parë nga Adriana Jata.

Po në dhjetor 2023, BERIN B.V shet 60% të aksioneve të saj te VIDEL SHPK për 100 mijë euro.

VIDEL, AMPHORA dhe pyetjet mbi kapitalin

VIDEL SHPK është themeluar nga Fatos Deliu.

Aktualisht kompania zotërohet:

* 96% nga AMPHORA HOLDING;

* 4% nga Musa Basha.

Sipas bilanceve, Musa Basha ka investuar mbi 100 mijë euro në kompani.

Megjithatë, në dokumentacionin publik të QKB-së evidentohet vetëm financimi prej 2.4 milionë lekësh nga Adriana Jata në rritjen e kapitalit.

Mbeten për t'u sqaruar burimet e kapitalit dhe mënyra e strukturimit të marrëdhënieve juridike mes aksionerëve.

ECO RICIKLIM dhe hyrja e Arbër Teqjas

Një nga hallkat më interesante të kësaj skeme rezulton kompania ECO RICIKLIM.

Shoqëria themelohet në qershor 2016 nga Fatos Deliu.

Pak muaj më vonë:

* 19% e aksioneve i kalojnë Adriatik Memës, punonjës pranë spitalit privat në pozicionin e mirëmbajtësit të kaldajave;

* 30% e aksioneve i kalojnë Ervin Meçes.

Në korrik 2018, Fatos Deliu shet 51% të aksioneve të mbetura te një person i tretë.

Më 29 dhjetor 2020, ky person ia shet aksionet Arbër Teqjas për vetëm 5 mijë euro.

Në të njëjtin vit kompania kishte realizuar fitim prej rreth 94 milionë lekësh.

Në prill 2022, Arbër Teqja blen edhe 19% të aksioneve të Adriatik Memës për 50 mijë lekë.

Në të dy rastet, vlerat e shitjeve rezultojnë shumë herë më të ulëta se fitimet e akumuluara të kompanisë.

Sipas të dhënave të Thesarit dhe prokurimeve publike, ECO RICIKLIM ka përfituar:

* mbi 57 kontrata publike;

* rreth 473 milionë lekë vlerë kontratash;

* rreth 463 milionë lekë pagesa nga Thesari i Shtetit për periudhën 2019-2024.

Element tjetër që bie në sy është norma e fitimit, e cila sipas bilanceve varion nga 50 deri në 60 për qind.

Arbër Teqja shfaqet në disa kompani njëkohësisht

Në vitin 2021 Arbër Teqja rezulton i deklaruar në tre subjekte:

* Administrator i DIAL-ALB;

* Administrator i Equos Resort;

* Administrator i Forever Construction.

Pikërisht Forever Construction përbën një tjetër hallkë interesante në këtë rrjet marrëdhëniesh.

Forever Construction dhe lejet gjigante të ndërtimit

Forever Construction themelohet në vitin 2018 nga Asllan Fetiu.

Asllan Fetiu rezulton i deklaruar si:

* punonjës pranë siptalit privat me pagë 1.800.000 lekë;

* administrator i Medical Recycling;

* person fizik.

Në prill 2020 ai ia shet aksionet një personi të tretë.

Një muaj më vonë largohet edhe si administrator dhe vendin e tij e merr Arbër Teqja.

Në këtë kohë, pavarësisht mungesës së aktivitetit ekonomik domethënës, kompania përfiton dy leje të mëdha ndërtimi:

* Kompleksin në truallin e UET, ku përfshihet edhe një kullë 56-katëshe;

* Projektin e njohur si godina në formë dore në kryqëzimin e rrugëve “Mine Peza” dhe “Don Bosko”.

Vlera e investimeve të parashikuara tejkalon 100 milionë euro.

Medical Recycling dhe transaksionet e pazakonta

Një tjetër kompani ku shfaqen emra të përsëritur është Medical Recycling.

Shoqëria themelohet në vitin 2014.

Në vitin 2015 kalon në status pasiv.

Në shtator 2016, themeluesi i saj transferon 100% të aksioneve te pronari i një spitali privat dhe kompania riaktivizohet.

Vetëm një muaj më vonë, Medical Recycling blen kompaninë Deanda 1 nga Gazmend Demi.

Kontrata parashikon:

* 38 milionë lekë çmim shitjeje;

* 5.7 milionë euro detyrime ndaj palëve të treta.

Në vitin 2021, Gazmend Demi i riblen të njëjtat aksione për të njëjtën vlerë prej 38 milionë lekësh.

Dokumentacioni ngre pikëpyetje mbi logjikën ekonomike të këtij transaksioni dhe mbi mënyrën e trajtimit të detyrimeve financiare që shoqëronin shitjen fillestare.

Pyetjet që kërkojnë përgjigje

Dokumentet e analizuara ngrenë disa pyetje që kërkojnë verifikim institucional:

* Pse kompani me fitime të konsiderueshme janë transferuar për vlera simbolike?

* Cili është burimi i fondeve të përdorura në disa prej blerjeve të aksioneve?

* A ekziston lidhje ekonomike mes subjekteve që përfitojnë kontrata publike dhe kompanive të lidhura me sektorin privat shëndetësor?

* Si shpjegohen fitimet e larta dhe transaksionet e përsëritura të aksioneve?

* A janë kryer verifikime mbi burimin e kapitalit dhe konfliktet e mundshme të interesit?

Nga të gjitha emrat që dalin në dokumentacion, Arbër Teqja rezulton një nga personat që shfaqet në më shumë hallka të këtij rrjeti kompanish, duke e bërë atë një pikë qendrore për çdo analizë apo hetim të mëtejshëm mbi lëvizjen e kapitalit, kontratat publike dhe marrëdhëniet mes subjekteve të përfshira.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco