Duke folur për protestën madhështore në Tiranë kreu demokrat tha se, “qeveria teknike që përgatit zgjedhjet e lira do ishte zhvillimi më i madh i kësaj proteste”.
Armand Bajrami: Zoti Berisha, vetëm për koment, po xhelozi a ndjeni që një protestë qytetare nxit kaq shumë njerëz?
Sali Berisha: Jo, nuk ndjej xhelozi.
Nuk ka asgjë më të mbarë, më të bukur për një komb se përgjegjësia qytetare.
Përgjegjësia qytetare është tipari kardinal i njeriut të qytetëruar, i cili e kupton që nuk ka përgjegjësi vetëm për veten e tij, për familjen e tij, por ka për shkallën, ka për lagjen, ka për rrugicën, ka për vendin.
Dhe këtë po e dëshmojnë, kjo është një gjë e jashtëzakonshme. Unë kurrë s'mund të kem, përkundrazi, e ndjek me admirimin më të madh.
Ju vetë a do t'i bashkoheni protestës?
Sali Berisha: Jo, sepse nuk është partiake. Unë nuk mund të bëj Edi Ramën të them atë që s'është. Unë jam partiak. Kjo është e vërteta dhe unë nuk dua kurrë që ato ngjyra që i kanë dhënë qytetarët t'ia prek.
Çdo demokrat aty është pa asnjë simbol partiak. Të respektojmë këtë, të mësohemi të respektojmë këtë dukuri madhështore të paparë në Shqipëri.
Lëre çfarë thotë ai, ai është një i çmendur.
Çfarë kanë me fashizmin ata? Kjo është protesta më paqësore, më e bukura, më paqësorja që ka njohur Shqipëria. Ndaj dhe unë po të mos kisha patur këto funksione, ditë natë do isha aty.
Dhe jam i bindur që do fitojë. Dhe i them Edi Ramës, çfarëdo që të bësh, je i pashpresë. Ajo lëvizje të ka prerë biletën. Mos harro, të ka prerë biletën, mos e shtyj më tutje, mos shpik fashistë e të tjerë me radhë.
Turp i madh! Qytetarë që protestojnë që nuk kanë këputur një lule, nuk kanë këputur një lule, edhe i quan protesta fashiste, frymë fashiste e të tjerë me radhë.
Edhe ca ditë dhe do ikë.
A e mbështesni idenë e qeverisë teknike?
Sali Berisha: Sigurisht, sigurisht që ajo protestë ka kërkesa të drejta.
Qytetarët e kanë të qartë që duhet të jetë vota e tyre e lirë e pakontrolluar, që duhet të përcaktojë fatin e Shqipërisë. Dhe një qeveri teknike, e cila përgatit zgjedhjet e lira, do të ishte zhvillimi më i madh, më i rëndësishëm i kësaj proteste.
A do pranoni një ndryshim të kodit zgjedhor sipas kërkesave të protestuesve?
Sali Berisha: Tani unë kam qenë në negociata dhe jam shprehur që jam plotësisht për listat e hapura. Plotësisht.
I qëndroj asaj, i qëndroj domosdoshmërisë së disa ndryshimeve rrënjësore.
Qëndroj për sanksionimin e ndëshkimeve më madhore për krimin elektoral.
Shpalljen e krimit elektoral si krim kushtetues të rëndë, në mënyrë që ajo që ndodhi me Edi Ramën në Shqipëri të mos u përsëritet më shqiptarëve, se ajo është shkatërrimtare për vendin.
© SYRI.net